Kryeprokurori i Gjirokastrës, Arben Pashaj është shkarkuar nga detyra, ndërsa është konfirmuar në detyrë Artan Shtrunza, kryeprokurori i Tropojës.
Arben Pashaj nuk ishte i pranishëm në seancë gjatë vendimit.
Me 13 maj, në një seancë dëgjimore maratonë, që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 14:20, drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastër, Arben Pashaj u ballafaqua me pikëpyetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pasurinë dhe profesionalizmin.
Pozita e kreut të Prokurorisë së Gjirokastrës duket se u rëndua edhe nga një marrëdhënie financiare me një biznesmen, që ishte denoncuar tre herë për pastrim parash, por që Prokuroria e Gjirokastrës i kishte mbyllur hetimet në të tre rastet.
Pashaj deklaroi se hetimet ishin mbyllur për shkak të mungesës së provave.
Hetimi administrativ për Pashajn u kryesua nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtar Roland Ilian.
Nga ana tjetër, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Artan Shtrungza.
Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Etleda Çiftja kryesuese, Genta Tafa (Bungo) relatore dhe Pamela Qirko anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Shtrungza u përball të hënën me procesin e rivlerësimit, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme me profesionalizimin, të cilat u pranuan edhe prej vetë prokurorit që u justifikua se gabimet kishin ndodhur për shkak të mbingarkesës në punë.
Shtrungza e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004 si Oficer i Policisë Gjyqësore ndërkohë që në vitin 2010 ai është promovuar si prokuror po në të njëjtin rreth gjyqësor. Që nga viti 2012, Shtrungza ka mbajtur për periudha të ndryshme pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Tropojës.
Relatorja e çështjes, Genta Tafa (Bungo) u shpreh se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, e ka vlerësuar pozitivisht prokurorin Artan Shtrungza lidhur me kriterin e pasurisë.
KPK ka gjetur të saktë konstatimet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për përshtatshmërinë e prokurorit Artan Shtrungza për vazhdimin e detyrës, pasi nuk janë identifikuar kontakte të papërshtatshme.
(Në foto: Artan Shtrunza)
o.j/dita
