Shkatërruesit dhe bllokuesit e Shqipërisë

anazapta

Dje, u publiku botërisht nga “TI”, realiteti që ka instaluar qeveria “Berisha”: Shqipëria “federohet” në grupin e vendeve me korrupsion më të lartë dhe me pandëshkueshmëri e me zbulim “ZERO” të zyrtarëve të lartë që organzzojnë dhe realziojnë korrupsionin “VIP”. Shqiptarët e dinë tashmë, se refuzimi për herë të tretë i BE, duke mos i dhënë Shqipërisë Statusin e vendit kandidat e ka shkakun brenda Shqipërisë, konkretisht tek politika dhe qeverisja shqiptare e askund tjetër.

 

Prej 22 vjetësh, shqiptarët kanë dëgjuar e vazhdojnë të dëgjojnë premtime e përbetime për pranimin në BE, bërë më bujë e kapardisje prej politikës, madje prej të njëjtëve përsona, të cilët prej 22 vjetësh vazhdojnë të qëndrojnë me rradhë në krye të partive e kolltuqeve të larta shtetërore si sundimtarë-pronarë të tyre. Rezultati është ky: Edhe këtë vit, BE na tha: “JO”, duke na lënë jashtë e larg “portës” së saj. Ndërsa parlamenti, qeverisja, presidenti Republikës, krejt institucionet e larta shtetërore në vend që të zbresin nga kolltuqet, në vend që të zhduken nga ekranet, në vend që të kërkojnë falje publike dhe të dorëzojnë “çelësat” e drejtimit (sundimit) të vendit për t’i hapur rrugë për një politike e qeverisje integruese, vazhdojnë të mbajnë fjalime me premtime, mashtrime demagogji të stërpërsëritura për “integrimin” e shpejt në BE!

 

Në vitet që kanë kaluar, pasqyra e qeverisjes së këtij vendi, paraqet fytyrën e shtrembër të politikës shqiptare, këtij “kamzhiku” që ka rënë pa rreshtur mbi shpinën e vendit e të popullit, duke shkatërruar ekonominë, shoqërinë, çështjen kombëtare, pasuritë, financat dhe mundësitë për të na integruar në familjen evropiane. Nëse bëjmë një krahasim është me vend të themi, se tashmë pas kaq vitesh predikime e demagogji për demokraci dhe evropianizim, Shqipëria ngjason me një “arrë” të shkundur, të cilës, shkopi i qeverisjes, përdorur barbarisht mbi të nuk i ka lënë jo kokrra, por as gjethe.

 

Mbrapshtësia e kësaj politike, ka krijuar klimën e pamundësisë për të jetuar në këtë vend, duke detyruar mijëra familje shqiptare, të ikin me urgjencë e sakrifica jashtë kufijve.

 

Ekonomia e falimentuar nuk është rigjallëruar, duke mbetur vetëm si “vite pune” në librezat e punës të shqiptarëve, të hedhur në rrugë nga papunësia e nisur në vitin 1992. Pjesa e mbetur e ekonomisë po privatizohet në mënyrë mafioze, duke u përdorur si “gjah i majmë” prej njerëzve të fuqishëm të pushtetit. Popullit i përdoret emri si “parullë”, vota e tyre shfrytëzohet banalisht nëpër fushata e në ndonjë seancë parlamentare, sa për të përligjur mandatin e njerëzve të politikës. Qeveria i ka shkëputur lidhjet me popullin, pasi ka krijuar klikën e fuqishme ekonomike-financiare, duke qëndruar përfundimisht larg interesave të popullit e të kombit, të vendit e të integrimit të tij. Kjo klikë abuzatorësh anti-shqiptarë, ka shfrytëzuar deri tani gjithë mundësitë dhe pazaret, për të përfituar sa më shumë për xhepat e veta. Nëse shqiptarët nuk i ndajnë “llogaritë” me klanin që po i shkatërron, Shqipëria do të vazhdojë të jetë një trup i paralizuar, një kufomë, një “kavje” mbi të cilin klika që e sundon, do të vazhdoj të kryej eksperimente akoma më të tmerrshme mbi këtë vend e mbi këtë popull, që nuk janë bërë as nga politika dhe pushtetet në Somali e Ugandë.

 

Letër e nënshkruar: Përparim Halili

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *