Shkeljet e rafinuara të ligjit

redaktor

Konstitucionalisti Niazi Jaho në këtë intervistë ngre një sërë shqetësimesh për mangësitë e vëna re gjatë këtij procesi zgjedhor, të cilat në të vërtetë rrezikojnë prishjen e procesit dhe rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Pse dështoi numërimi elektronik në Fier, shkeljet në Kodin Zgjedhor dhe pse nuk është funksionale KQZ-ja me katër anëtarë. Ndezja e parakohshme e motorëve të fushatës dhe incidentet me grisjen e posterave të partive… Lexoni në vijim intervistën e plotë.

 

– Ka të dhëna se numërimi elektronik në qarkun e Fierit po shkon drejt dështimit. Thuhet se shkaku i këtij dështimi ka të bëjë me faktin se pajisja e kompanisë spanjolle mban vetëm 42 subjekte zgjedhore, ndërsa subjektet tona zgjedhore janë 66 ose 67. Nëse përfundimisht kjo pajisje nuk mund të përdoret, ligjërisht si do të veprohet?

– Fillimisht e shikoj të nevojshme të përmend nëse numërimi i votave në qarkun e Fierit nuk do të bëhet me pajisje elektronike, siç është parashikuar në Kodin Zgjedhor, do të ishte mirë që KQZ-ja të informonte publikun për këtë çështje. Kjo duhej bërë në kuadrin e transparencës. Në këtë mënyrë mendoj se do të largohej çdo dyshim i mundshëm, pavarësisht nga përgjegjësia dhe shkaqet që mund të çonin në dështimin e përdorimit të këtyre pajisjeve.

– Nëse do të ndodhte kjo, a do të kishte ndonjë pasojë apo çrregullim në procesin e numërimit të votave në qarkun e Fierit?

– Mendoj se jo, sepse edhe në qarkun e Fierit për numërimin e votave do të duhej të veprohej në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën procedurë si në qarqet e tjera (gjithmonë në bazë të Kodit).

– Në Kodin Zgjedhor, a parashikohen rregulla për vendosjen në fletën e votimit të emrave të subjekteve zgjedhore?

– Po, këto rregulla parashikohen në nenin 98 të Kodit Zgjedhor, por për këtë KQZ-ja duhet të organizojë hedhjen e shortit për detyrimet që rrjedhin nga ky nen. Ky short duhet të organizohet menjëherë sapo të ketë përfunduar regjistrimi i listës shumemërore.

– Cila është procedura për hedhjen e shortit?

– Këtë nuk e di, por e rëndësishme është të theksohet se, sipas pikës 5 të nenit 98 të Kodit Zgjedhor ku thuhet se “Rregullat për hedhjen e shortit përcaktohen me akt normativ të KQZ-së”.

– Në KQZ, aktualisht ka vetëm 4 anëtarë. Akti normativ për caktimin e rregullave të hedhjes së shortit a mund të miratohen me 4 anëtarë?

– Mendoj se jo, nuk mund të miratohen. Sipas nenit 24 të Kodit Zgjedhor (Vendimmarrja në KQZ) konsiderohen të miratuara vendimet kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, veç të tjerave edhe aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve lidhur me zgjedhjet (shkronja “d” e nenit 24 të Kodit). Në këtë drejtim duhet patur parasysh edhe neni 22, pika 5 e Kodit Zgjedhor, ku thuhet: “Mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se 4 anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit sipas nenit 24 të këtij Kodi”.

– Fushata zgjedhore fillon një muaj para zgjedhjeve. Por qysh tani kanë ndodhur disa incidente duke hequr ose grisur postera të subjekteve zgjedhore. Çfarë thuhet në Kodin Zgjedhor për fushatën dhe propagandën zgjedhore? 

– Ju e kini fjalën për fushatën zyrtare zgjedhore, kur në fakt fushata ka muaj që ka filluar. Vërtet se Kodi Zgjedhor këtë nuk e ndalon, por për të gjithë është e qartë se shpenzimet janë të mëdha, madje ka qytetarë që thonë: ç’po bëhet kështu? Nuk mund të parashikoj se çfarë të rejash do të ketë fushata që zyrtarisht fillon një muaj para zgjedhjeve.

Në Kodin Zgjedhor thuhet se gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme. Nëse tensionet e fushatës do të jenë në rritje dhe do të vazhdojë gjuha e urrejtjes, në këtë apo atë rast fushata mund të shoqërohet edhe me elemente paligjshmërie, pse jo dhe me shkelje të ligjit.

Përsa i përket heqjes apo grisjes së posterave (siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme) Kodi Zgjedhor ka parashikuar edhe diçka që mund të parandalonte raste të tilla. Kështu, në nenin 79 të Kodit thuhet se kryetari i qeverisjes vendore në mënyrë të drejtë dhe të paanshme cakton vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike.

KQZ-ja për këtë qëllim duhet që me udhëzim të veçantë të miratojë kriteret për përzgjedhjen e këtyre vendeve. Nuk e di nëse KQZ-ja ka lëshuar ndonjë udhëzim të tillë. Nuk di nëse kryetarët e qeverisjes vendore kanë vepruar sipas ligjit. Nëse në këtë drejtim nuk është bërë gjë, mendoj se duhet të veprohet me urgjencë.

– Po në rast se subjekti zgjedhor nuk respekton vendimin apo urdhrin e kryetarit të qeverisjes vendore?

– Sipas Kodit, çdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara, sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit në varësi të njësisë të qeverisjes vendore.

– A jeni në dijeni nëse është bërë prova e pajisjeve elektronike që do të përdoren për identifikimin e dokumentit të zgjedhësve?

– Jo, nuk jam në dijeni, por duke iu referuar Kodit Zgjedhor, mund t’ju them se ky sistem do të përdoret në qarkun e Tiranës. Si rregull, çdo qendër votimi duhet të jetë e pajisur me këtë sistem elektronik.

– Përse thoni ‘si rregull’? A do të thotë kjo se do të ketë përjashtime?

– Shprehja ‘si rregull’ përdoret në Kodin Zgjedhor. Kjo ka lidhje me faktin se në të njëjtin nen (seksioni 3, pika 1) theksohet: “Shtrirja e SEV dhe përcaktimi i qendrave të votimit në të cilat për arsye teknike nuk mund të përdoret SEV, përcaktohen nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve”.

– Si duhet të veprohet nëse pajisja e leximit elektronik të dokumentit të identifikimit nuk funksionon?

– Në raste të tilla, sipas seksionit 3, pika 3 e Kodit, votimi zhvillohet pandërprerje duke shënuar në listën e zgjedhësve të qendrës së votimit numrin e dokumentit të identitetit, ndërsa fakti i mosfunksionimit shënohet në Librin e Protokollit të qendrës së votimit dhe për këtë njoftohet KZAZ-ja përkatëse. Kur pajisja vihet në punë, procesi vazhdon. Vlen të përmendet se procedurat e komunikimit, zëvendësimit dhe raportimit sipas kësaj pike përcaktohen me akt normativ të KQZ-së.

– KQZ-ja a mund të zbatojë një akt normativ që mund të jetë miratuar më parë?

– Në nenin 23, pika 4 të Kodit Zgjedhor thuhet se: “Aktet normative të KQZ-së kanë karakter të përhershëm dhe zbatohen si rregull për të gjitha zgjedhjet. Këto akte rishikohen në rast të ndryshimit të ligjit apo për shkaqe të tjera që përligjin ndryshimin e tyre”.

E shikoj të nevojshme të përmend se Kodi Zgjedhor në fuqi ka pësuar ndryshime të shumta dhe të rëndësishme.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *