Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një sërë shkeljesh gjatë kontrollit të kryer në Bashkinë e Pogradecit. Për këtë, KLSH ka ndërmarrë një kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike për kryetarin aktual të Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, dy nënkryetarët dhe tre drejtues të tjerë të kësaj bashkie.
Sipas KLSH-së, shkeljet kanë të bëjnë me shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike. Gjithashtu, KLSH bën të ditur se auditimi ka nxjerrë në pah një sërë veprimesh të kundraligjshme në lidhje me nënshkrimin e kontratave të qerasë për ambiente në interes të institucioneve të treta në dëm të interesave të institucionit dhe në kushtet e konfliktit të hapur të interesit. Në total, nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit financiar dhe atij që ka të bëjë me zbatimin e kontratave për punë publike dhe taksat në fushën e urbanistikës, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 46 411 128 lekë.