Italia dhe Spanja nuk falin. Dy emrat e mëdhenj të grupit G ku bën pjesë edhe Shqipëria e nisën me fitore bindëse aventurën e tyre në kualifikueset e Botërorit, Rusi 2018-të. Të Kaltërit e Giampiero Venturës triumfuan me rezultatin 3-1 në transfertën e Haifas përballë Izraelit vendas, ndërkohë Spanja bombardoi me një breshëri golash modestët e Lihtenshtejnit duke fituar me shifrat 8-0.
Në Sammy Ofer Stadium të kryeqytetit të Izraelit, Haifa, Italia mori një fitore të thjeshtë ndaj skuadrës së trajnerit Levy. Grazianno Pelle në minutën e 14-të hapi serinë e golave për 4-herë kampionët e Botës ndërkohë që në të 32-tën Antonio Candreva kthehu në gol një 11-metërsh duke dyfishuar shifrat.
Goli i Ben Haim në të 35-tën dhe kartoni i kuq i marrë nga Chielini, 20 minuta më pas u duk sikur rihapën llogaritë por as avantazhi numerik në fushë nuk i mjaftoi Izraelit që pësoi edhe golin e tretë nga Immobile në të 83-tën. Luajti tenis, Spanja me Lihtenshtejnin në Leon duke arritur një fitore të thellë me rezultatin 8-0. Diego Costa realizoi golin e vetëm për La Rojan në pjesën e parë, ndërkohë që në fraksionin e dytë nisi edhe golada e Spanjës.
Sergi Roberto, David Silva dy herë, Vitolo, sërish Diego Costa dhe Morata dy herë ishin autorët e golave për skuadrën e Lopeteguit. Në grupin I ku bën pjesë edhe Kosova, Kroacia favoritja kryesore për tu pozicionuar në vendin e parë nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Turqisë. Gjithcka u vendos në minutat e fundit të pjesës së parë, me Rakitic që fillimisht kthehu në gol një penallti ndërsa disa sekonda më pas Calhanoglu nëpërmjet një goditjeje standarte barazoi shifrat.
Tre barazime 1-1 në grupin I, sepse edhe Ukraina dhe Islanda u ndanë mes tyre me të njëjtin rezultat. Uellsi ndërkohë fitoi lehtësisht 4-0 ndaj Moldavisë, Serbia barazoi 2-2 me Republikën e Irlandës ndërsa Austria mundi 2-1 në transfertë Gjeorgjinë.
