Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, thotë se nëse ky institucion do të kishte qenë transparent dhe i pavarur, do të ishin shmangur shumë nga sakatimet që i janë bërë ekonomisë së vendit. Në një intervistë për revistën “Java”, Shkëlqim Cani thotë se në vend të pavarësisë, Banka e Shqipërisë ka zgjedhur vartësinë e vullnetshme.
“Skema e pensioneve është pothuaj e falimentuar, sistemi energjetik krejt i rrënuar, krimi i organizuar, monopolet, kapja e shtetit, korrupsioni dhe informaliteti… kanë kapur për fyti ekonominë”, thotë Cani.
Ai kritikon drejtuesit e BSH, të cilët thotë se janë kthyer në papagallë të qeverisë që e kanë kthyer bankën më të madhe në vend në një institucion ku sundon servilizmi dhe injoranca. “Herë pas here, me shumë vonesë dhe pasi merr leje nga qeveria, del në media guvernatori për të thënë diçka që presupozohet si kritikë, por e artikuluar me shumë kujdes dhe në një gjuhë të pakuptueshme nga publiku”, thotë Cani, duke shtuar se “shumë nga sakatimet që i janë bërë ekonomisë këto vitet e fundit do të ishin shmangur nëse do të kishim pasur një bankë qendrore transparente, të pavarur dhe serioze në llogaridhënie. Fatkeqësia është që këtij institucioni nuk i mungon ekspertiza, por mbisundon injoranca dhe servilizmi në drejtim”.