“Ëndrra ime e fëmijërisë po bëhet realitet, koncert me ansamblin shtetëror të Shqipërisë”. Me këto fjalë e lajmëron në Facebook një koncert të afërm në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, violinisti me famë botërore Shkëlzen Doli. Koncerti do të mbahet më 4 qershor në orën 18.00 në Teatrin e Operës.
“I ftoj të gjithë adhuruesit e muzikës së mirëfilltë shqiptare në këtë festë të bukur”- shprehet i emocionuar violinisti shqiptar, i cili prej vitesh performon në skenat e Vjenës, Parisit, Spanjës e vende të tjera të botës. Për Shkëlzen Dolin muzika popullore, arti i popullit të tij mbetet një burim frymëzimi e pasioni.
Nga zemra e artistit, tek telat e violinës, tingëllon natyrshëm muzika e të gjitha trevave shqiptare. Janë po këta tinguj me të cilët violinisti i shquar shqiptar Shkëlzen Doli ka mahnitur publikun vjenez më 1 janar 2015 me interpretimin e muzikës shqiptare me orkestrën e Filarmonisë së Vjenës.
Në koncertin me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Shkëlzen Doli do të interpretojë “Perlat e muzikës popullore”, premierë absolute në TKOBAP, përpunuar për violinë dhe orkestër nga Gerti Druga.
