Shkëlzen Gashi mbetet një goleador. Konfirmimi më i fundit edhe për ata pak skeptikë erdhi në sfidën e javës së 5-të të Superligës zvicerane, ku Basel fitoi 3-1 përballë Thun.
Pas avantazhit të vendasve me dopietën e Jankos, që u aktivizua i vetëm në repartin ofensiv, sulmuesi shqiptar ngjitet në skenë. Gashi u aktivizua në minutën e 74-rt të takimit dhe i mjaftoi shumë pak të gjente rrugën e rrjetës.
Në të 79-tën “bomberi” kuqezi shënoi me 11-metërsh, duke mposhtur portierin kundërshtar në tentativën e dytë.
Ky është goli i dytë sezonal për Gashin, që edhe pse në javët e fundit nuk është preferuar si alternativë e parë për sulmin, mbetet një nga kandidatët për tu shpallur sërish golashënuesi më i mirë i kampionatit, raporton SS.
Në suksesin që mban Baselin në krye të renditjes, me 15 pikë të plota, Taulant Xhaka ishte titullar i padiskutueshëm, ndërsa minuta në dispozicion pati edhe për kandidatin potencial për një fanellë kuqezi, Albian Aliji, që zëvendësoi në të 86-ën autorin e dy golave, Marc Janko.
