Rikthimi në formacion i Bledi Shkëmbit, pas mungesës me Kukësin për arsye pezullimi është një bonus për trajnerin Mirel Josa, që do të ta ketë organikën të plotë në transfertë me Djemtë e Detit. Kapiteni i kampionëve të fuqi, qëndroi në tribunë bashkë me tifozët në sfidën e shtëpisë ndaj verilindorëve, pa mundur të shijojë fitoren, edhe pse Skënderbeu u shfaq ndjeshëm superior ndaj kundërshtarit.
“Ju siguroj që është më e vështirë në tribunë sesa në fushën e blertë. Unë si të gjithë tifozët jam i kënaqur me lojën e skuadrës, por po na bëhet zakon të ndëshkohemi nga gjyqtari, që na këtë sfidë na hoqi dy pikë”, tha Shkëmbi.
Nga Kukësi te Teuta. Statistikat e viteve të fundit flasin ndjeshëm në favor të Djemve të Detit, por për Shkëmbin nuk do të thonë asgjë, pasi edhe pozitat e të dyja skuadrave kanë ndryshuar.
“Është e vërtetë që Teuta na ka hapur probleme në sezonet e fundit, por unë nuk bazohem te statistikat, sepse situatat kanë ndryshuar. Ne do të shkojmë në këtë ndeshje vetëm për të marrë tri pikët dhe jemi të bindur që do t’ia dalim”, shtoi kapiteni.
Kampionati ka hyrë në një fazë kur skuadrat tentojnë të krijojnë aleanca për të objektivin titull, por Teuta-Skënderbeu sipas Shkëmbit do të jetë një sfidë mjaft e luftuar sepse Teuta ka objektivat e saj dhe ka nevojë për pikë.
“Teuta është një ekip për t’u respektuar dhe gjithmonë ka luajtur futboll për interesat e veta. Edhe në këtë sfidë pres që Teuta të japë maksimumin për objektivat e saj”, shtoi lideri i korçarëve.
Në takimin e fazës së parë të këtij sezoni, që u zhvillua në “Niko Dovana”, Teuta triumfoi pastër 2-0, ndërsa në sfidën e fazës së dytë Skënderbeu iu kundërpërgjigj me rezultatin 3-2.
