Prof. Fatos Tarifa
Pjesa I
Shoqëria dhe studimi shkencor i saj
Çdo shoqëri është përpjekur e përpiqet të krijojë mënyrën e vet të të kuptuarit të sjelljes njerëzore, të mënyrës së organizmit e të funksionimit të rendit shoqëror dhe të dukurive të ndryshme që ndodhin në jetën e saj. Kjo është, ndoshta, shprehje e nevojës për të parashikuar dhe planifikuar të ardhmen tonë, si shoqëri, dhe jo thjesht një instinkt për të mbijetuar. Gjatë mileniumit të fundit dhe, sidomos, në periudhën moderne, shoqëritë më të zhvilluara kanë krijuar institucione socialë (universitete, shtëpi botuese, revista), apo role socialë (profesorë, kritikë socialë), qëllimi i të cilëve ka qenë dhe është studimi dhe analiza e marrëdhënieve shoqërore, si dhe debati mbi vërtetësinë e ideve për shoqërinë.
Ndër të parët mendimtarë modernë që shprehën shqetësimin e tyre mbi rrjedhojat e padëshiruara—edhe pse të paevitueshme—të zhvillimit shoqëror ishin Henri de Saint-Simon dhe Auguste Comte në fillim të shekullit të 19-të. Sipas tyre, për shkak të kaosit shoqëros dhe të problemeve të shumta e të mprehta sociale, shoqëritë europiane po dekompozoheshin dhe rendi shoqëror po vihej në rrezik. Për të ruajtur harmoninë sociale dhe bazat e rendit ekzistues, ata sugjeruan që problemet e shoqërisë të studioheshin shkencërisht. Ndryshe nga vizioni filozofik që e shihte qeverinë thjesht si një artefakt, ose si një konstruksion legjislativ, Saint-Simon u përpoq të argumentonte se qytetërimi është pjesë e natyrës, ndërsa ndryshimet shoqërore janë pjesë e një procesi të tërë kozmik. Mbi këtë bazë, ai propozoi shndërrimin e shkencës mbi politikën dhe mbi shoqërinë, në përgjithësi, në një shkencë po aq pozitiviste, sa dhe fizika. Sipas tij, deri në atë kohë, historia kishte qenë thjesht letërsi; tani ajo duhej të bëhej shkencë.
Ndërsa Saint-Simon formuloi problemin e një “shkence pozitiviste mbi shoqërinë”, August Comte kërkoi dhe gjeti një përgjigje për të. Projekti që krijoi Comte për këtë shkencë të re kërkonte përdorimin e metodave pozitiviste të shkencave natyrore në studimin e historisë dhe të jetës politike të shoqërisë. Synimi i tij ishte që ta vinte studimin e jetës shoqërore mbi bazat e një shkence ekzakte dhe që parashikimeve të historisë t’u jepte, pak a shumë, saktësinë e formulave matematike. Sipas tij, ndërsa shkencat natyrore—fizika dhe kimia veçanërisht—kanë bërë të mundur kontrollin e njeriut mbi natyrën, shkenca e re—sociologjia—të cilën ai fillimisht e quajti “fizikë sociale” (physique sociale), do të ishte një shkencë mbi shoqërinë, që do të studionte, “organizmin shoqëror” (l’organisme sociale), një koncept ky esencialisht sociologjik. Kjo shkencë do t’i mundësonte njeriut kontrollin mbi veten e tij. (Marksi do të shtonte më vonë edhe kontrollin “mbi kushtet shoqërore të ekzistencës së tij”).
Sociologjia, një disiplinë ekumenike dhe integruese
Gjysmë shekulli më vonë, kur Max Weber fliste për “kërkimin e vërtetë empirik sociologjik”, në gjykimin e tij, një kërkim i tillë fillon me pyetjen: Çfarë i motivon individët, si anëtarë të një komuniteti, të sillen në një mënyrë të tillë që, para së gjithash, bën të mundur vetë krijimin dhe ekzistencën e këtij komuniteti? Weber dhe bashkëkohësi i tij Georg Simmel kanë dhënë shembuj të shkëlqyer sesi mund të arrihet në përgjithësime sociologjike, duke vëzhguar me kujdes veprimet dhe marrëdhëniet e individëve në shoqëri. Weber argumentonte se sociologjia duhet të synojë të formulojë koncepte “ideale tip” (Idealtyp) dhe uniformitete të përgjithësuara të proceseve empirikë, çka është, në të vërtetë, ajo që bëjnë edhe shkencat natyrore. Është pikërisht kjo që e dallon sociologjinë dhe dijen e saj nomotetike, tipike për shkencat natyrore, nga historia, dija e së cilës është përshkruese, apo ideografike.
Kushtet e ekzistencës së shoqërisë dhe pothuasje të gjitha eksperiencat njerëzore kanë të bëjnë me tri elementë kryesorë: (1) me mjedisin material, në të cilin njerëzit jetojnë dhe realizojnë veprimtarinë e tyre si qenie shoqërore; (2) me vetë individin njerëzor, me të gjitha karakteristikat e tij—fiziologjike, psikologjike, konjitive e morale—që e dallojnë atë si një qenie shoqërore dhe (3) me format e asociuara të jetës e me marrëdhëniet e individit me organizatat dhe institucionet e shoqërisë.
Të tre këta elementë—natyra, njeriu dhe institucionet shoqërore—janë objekt studimi i një numri shkencash shoqërore (sociologjia, shkenca politike, ekonomia) dhe disiplinash humane (gjeografia, historia, psikologjia, antropologjia, filozofia, arkeologjia, artet etj.) por, siç vinte në dukje më shumë se një shekull më parë sociologu i njohur amerikan, Albion Small, asnjëra nga këto disiplina, në vetvete, nuk i ka mundësitë që ka sociologjia për t’i ekzaminuar dhe shpjeguar në mënyrë sistematike dhe holistike ndërveprimet mes këtyre elementeve esencialë të jetës shoqërore.
Në fakt, sociologjia është një disiplinë ekumenike, me kufij të hapur në të gjitha drejtimet, çka mundëson—madje sot e bën të domosdoshëm—studimin e shoqërisë nga një perspektivë ndërdisiplinore. Cilësitë integruese të sociologjisë, pavarësisht diapazonit të saj të gjerë në përmbajtje, në teori dhe në metodë—madje, ndoshta, pikërisht për këtë arsye—shpjegojnë diversifikimin e jashtëzakonshëm (disa e quajnë këtë proces “ballkanizim”) që ka ndodhur në këta 30 apo 20 vitet e fundit në studimin e jetës së shoqërisë.
Pas këtij backgroundi historik, dëshiroj të fokusohem në dy çështje esenciale, që kanë të bëjnë: (a) me rolin që luajnë shkencat shoqërore në njohjen dhe në zgjidhjen e problemeve sociale dhe (b) me rolin e tyre në hartimin e politikave të informuara sociale.
Shkencat sociale dhe problemet e mëdha të shoqërisë
Prej kohësh, studiuesit e jetës shoqërore u kanë kushtuar vëmendje problemeve të shoqërisë, janë munduar të shpjegojnë natyrën dhe shkaqet e tyre, si dhe të gjejnë mënyra për zgjidhjen e tyre. Në fakt, vetë lindja e sociologjisë dhe zhvillimi i saj, si një disiplinë akademike—prej së cilës më vonë u diferencuan, si nënfusha më vete, psikologjia sociale, sociologjia e së drejtës, kriminologjia etj.—ka pasur si premisë dhe qëllim kryesor shpjegimin dhe zgjidhjen e problemeve të shoqërisë.
Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, shumë mendimtarë të shquar e përqëndruan vëmendjen e tyre në ligjësitë e përgjithshme të zhvillimit shoqëror dhe në problemet sociale, që ishin bërë dukuri të zakonshme të jetës ekonomike e shoqërore në Europën e asaj kohe.
Marksi dhe Engelsi, fjala vjen, u kushtuan vëmendje të veçantë problemeve të varfërisë dhe të pabarazisë ekonomike e sociale në shoqërinë kapitaliste.
Émile Durkheim u përpoq të shpjegonte sesi shoqëria moderne mund të ruante një sens rregulli dhe solidariteti ndërmjet anëtarëve të saj. Në një sërë studimesh të rëndësishëm, ai u përqëndrua në probleme të tillë, si ndarja shoqërore e punës, krimi, vetëvrasja dhe aspekte të tjerë të jetës së shoqërisë.
Në të njëjtën kohë me të, Georg Simmel analizoi dallimet mes jetës urbane dhe asaj rurale, si dhe efektet e jetës së qytetit në psikologjinë dhe në veprimtarinë e individëve të veçantë.
Bashkëkohësi i tyre, Max Weber, i përqëndroi interesimet e tij akademike në problemet sociale që kanë të bëjnë me organizimin burokratik dhe racionalizimin e shoqërisë moderne, si dhe në pushtetin që ky organizim burokratik ka mbi çdo anëtar të shoqërisë.
Të gjitha këto probleme mbeten edhe sot fokusi i studimeve sociologjike, antropologjike e politike, edhe pse probleme të tillë janë fare pak të studiuar nga studiuesit tanë në fushën e shkencave shoqërore.
Problemet sociale në fokus të shkencave mbi shoqërinë
Problemet sociale dhe mënyrat sesi mund të zgjidhen ato mbetet fokusi i interesimeve dhe i veprimtarisë studimore jo vetëm për sociologët, por edhe për studiuesit e tjerë të jetës shoqërore. Por cilat dukuri konsiderohen probleme sociale?
Natyrisht, një problem social është i ndryshëm nga një problem personal, të cilin nuk e përjetojnë individë të tjerë përveç nesh. Sidoqoftë, C. Wright Mills vinte në dukje se një problem personal mund të jetë gjithashtu edhe një problem social, nëse kushte të caktuara shoqërore bëjnë që edhe individë të tjerë ta përjetojnë atë si një problem personal të tyre. Për shembull, shumë individë ose familje e përjetojnë varfërinë ekonomike si një problem personal ose familjar të tyre, por të gjithë ata janë pjesë e një mënyre organizimi ekonomik të shoqërisë dhe e një strukture sociale që krijojnë pabarazi, shfrytëzim, papunësi dhe varfëri. Prej këtej rrjedh se, për të gjykuar nëse një dukuri e caktuar përbën ose jo një problem social, duhet vlerësuar nëse problemet personale të njerëzve janë të lidhura me—dhe të kushtëzuara nga—kushtet e përgjithshme objektive të shoqërisë.
Problemet sociale nuk janë thjesht perceptime subjektive të individëve të veçantë, ose të një grupi të caktuar njerëzish. Ata përmbajnë në vetvete elementë objektivë, pra ata mund të evidentohen e të “maten” empirikisht. Për shembull, nëse të dhënat empirike tregojnë se familje ose shtresa të varfra të popullsisë kanë të ardhura të pakta, kushte strehimi joadekuate dhe një cilësi jetese më të ulët, krahasuar me familjet ose shtresat jo të varfra, kjo do të thotë se një problem i tillë social, si varfëria, përveç elementit subjektiv, të shprehur në perceptimet dhe përjetimet tona individuale, përmban në vetvete edhe një element objektiv.
Kur flasim për probleme sociale, me këtë kuptojmë, kryesisht, se: (a) kushte të caktuara shoqërore shkaktojnë probleme personale për anëtarë të caktuar të shoqërisë; (b) problemet sociale mund të jenë lokale, pra mund të ndeshen në një komunitet të caktuar, por mund të jenë edhe kombëtare ose globale dhe (c) problemet sociale kanë të bëjnë si me perceptimet subjektive të njerëzve, ashtu dhe me evidencën objektive mbi ekzistencën e tyre. Një problem social është një rrethanë shoqërore e shkaktuar nga faktorë që janë pjesë inherente e strukturës sociale të një shoqërie të dhënë, e cila, në mënyrë sistematike, krijon kushte disavantazhi, ose diskriminon një segment të caktuar të popullsisë apo një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të saj. Me fjalë të tjera, “një problem social është një rrethanë shoqërore, të cilën një pjesë e shoqërisë e sheh si të dëmshme për anëtarët e saj dhe prandaj kërkon që ajo të ndryshohet”.
Çështja që meriton vëmendje është kjo: Ç’rol mund dhe duhet të luajnë shkencat shoqërore në zgjidhjen e problemeve sociale? Si disiplina që studiojnë kushtet e jetës së shoqërisë, struktrurën dhe institucionet e saj, si dhe marrëdhëniet mes individëve dhe grupeve shoqërorë, shkencat sociale kanë potencialisht një avantazh të madh për të ndihmuar në njohjen dhe në zgjidhjen e problemeve sociale.
Objektiviteti në shkencat sociale
Studimi i problemeve sociale përbën një dilemë për studiuesin e shkencave shoqërore. Kjo dilemë nuk ka të bëjë me—dhe nuk shfaqet në—momentin kur studiuesit i duhet të zgjedhë subjektin e studimit të tij, as me procesin apo metodën e mbledhjes së të dhënave. Kjo dilemë nuk shfaqet as në momentin kur një sociolog zbulon shkaqet e një problemi social, ose vë re pasojat e tij për shoqërinë. Dilema me të cilën ndeshet një sociolog ka të bëjë me aspektin e zgjidhjes së problemeve sociale. Me fjalë të tjera, ç’duhet të thotë një sociolog për zgjidhjen e një problemi shoqëror dhe a duhet ai, në fund të fundit, të shprehet për zgjidhjen e tij? A duhet që një grup sociologësh apo studiuesisht të tjerë të shkencave shoqërore (ose shoqatat e tyre) të shprehen kolektivisht se çfarë duhet bërë për zgjidhjen e një problem social? A mundet që një sociolog, ose një psikolog të mbetet objektiv (nëse me këtë kuptojmë që ai të mos mbajë një qëndrim të caktuar mbi atë se çfarë duhet bërë) dhe, përsëri, në një farë mënyre, të mund të kontribuojë në atë se çfarë dimë ne për shkaqet—dhe çfarë bëjmë për zgjidhjen—e një problemi social?
Ka sociologë që mendojnë se detyra dhe roli i tyre është thjesht të pohojë atë që vëzhgojnë, me fjalë të tjera, të fokusohen në përshkrimin e dukurive ose të problemeve, në shkaqet dhe në pasojat e tyre, si dhe në parashikimin e prirjeve të tyre, pa thënë se çfarë duhet bërë për zgjidhjen e tyre. Sociologët që i përmbahen kësaj pikëpamjeje i referohen Weber-it, i cili argumentonte se sociologët duhet të mbeten sa më objektivë që të jetë e mundur për aq kohë sa ata “mbajnë kapelen” e sociologut. Kur ata nuk janë në rolin e sociologut, por janë, fjala vjen, qytetarë që marrin pjesë në votime, ose që bëjnë pjesë në një parti politike që ka një qëndrim të caktuar mbi çështjet, ata mundet dhe duhet të shprehin pikëpamjet e tyre. Ata sociologë që i përmbahen pikëpamjes weberiane vihen në vështirësi kur vjen puna për të diskutuar rreth zgjidhjeve që mund t’u jepen problemeve të ndryshme sociale pasi, duke sugjeruar zgjidhje për këta probleme, ata gjykojnë se i largohen rolit të tyre si sociologë dhe detyrimit për të qenë objektivë, duke u bërë thjesht një tjetër grup interesi që ka axhendën e vet. Zgjidhja e problemeve, sipas tyre, u duhet lënë parlamentit dhe institucioneve qeveritare.
Sociologë të tjerë dhe shumë studiues të jetës së shoqërisë mendojnë se roli dhe detyra e tyre, si studiues, nuk është thjesht që të pohojnë atë që është dhe të përshkruajnë atë që ndodh, por dhe të shprehin pikëpamjet e tyre të informuara mbi atë se si duhet të jetë. Unë bëj pjesë në këtë grup studiuesish të jetës së shoqërisë. Unë besoj se objektiviteti në studimin shkencor të realitetit shoqëror nuk mund të jetë kurrë absolut; objektiviteti është gjithnjë relativ.
Ndarja e fakteve nga vlerat deri vonë është pranuar si një aksiomë në shkencat shoqërore. Sidoqoftë, unë mendoj se ndarja e plotë e fakteve nga vlerat individuale është diçka thuajse e pamundur në shkencat që studiojnë shoqërinë, përderisa cilësitë e tyre humane, si individë njerëzorë, janë ndër mjetet e studimit që përdorin si sociologët, ashtu dhe antropologët, studiuesit e shkencave politike etj. Ndryshe nga kimisti në laboratorin e tij, një sociolog ose një antropolog është edhe vetë një prej molekulave të organizmit shoqëror që ai studion. Njohja e të tjerëve prej tij bëhet e mundur përmes njohjes së vetvetes. Unë i përmbahem tezës se vlerat janë funksionale për studiuesin e shkencave shoqërore, ashtu siç ato janë të tilla edhe për individët e tjerë që ai studion.
Asnjë studiues nuk mund të gjykojë për ngjarje ose për dukuri shoqërore i zhveshur tërësisht nga vlerat e tij politike e morale. Kërkimi në shkencat shoqërore influencohet pothuajse gjithnjë—edhe pse jo gjithnjë në të njëjtën masë—nga personaliteti, nga formimi kulturor, nga vlerat dhe nga interesat e vetë studiuesit. Pavarësisht kësaj, studiuesi i shkencave shoqërore ka detyrimin që të jetë sa më “objektiv” që është e mundur—d.m.th. që të mbështetet në kritere ndërsubjektivisht të verifikueshëm për të verifikuar përgjithësimet që ai bën kurdoherë që kjo është e mundur dhe të mos lejojë shtrembërimin e qëllimshëm të fakteve. Kjo është në një linjë me standardin weberian. Kjo nënkupton, gjithashtu, detyrimin për të mos i paraqitur gjykimet e mbështetura mbi vlera si fakte reale.
Misioni i shkencave shoqërore
Idenë se shkenca shoqërore duhet të ketë për mision jo vetëm shpjegimin e botës, por edhe transformimin e saj, e ka artikuluar për herë të parë Karl Marksi, me tezën e tij se njerëzit janë autorë të kushteve të tyre sociale dhe, për këtë arësye, ata mund t’i transformojnë këto kushte. Në formën e vet klasike, Marksi e artikuloi këtë ide në Tezat mbi Fojerbahun, duke ardhur në formulimin e famshëm se: “Deri më sot, të gjithë filozofët vetëm janë mjaftuar ta shpjegojnë botën; çështja është sesi ta ndryshosh atë”.
Ndryshimet që ndodhin në shoqëri nuk janë rezultat i veprimeve të robotëve, por i veprimeve të njerëzve që kanë njohuri, botëkuptim, moral, interesa dhe qëllime të caktuara. Përsa i përket njohurive tona mbi shoqërinë, ato përveçse ofrojnë një kuptim më të mirë mbi botën shoqërore, luajnë, gjithashtu, një rol të rëndësishëm edhe për të krijuar hapësirat dhe oportunitetet e nevojshme për të sjellë ndryshime të dobishme në shoqëri, për të krijuar një shoqëri më të mirë se e sotmja. Në fund të fundit, ç’vlerë do të kishte shkenca—përfshirë këtu edhe shkencat natyrore, diturinë e të cilave e konsiderojmë “më objektive”—nëse njohuritë që ofron ajo nuk i shërbejne progresit të racës humane? Si studiues të shkencave shoqërore ne nuk do të kishim asnjë vlerë dhe aktiviteti ynë nuk do të kishte asnjë dobi, nëse përpjekjet tona nuk do të synonin, nga njëra anë, të kuptuarit më të mirë të shoqërisë dhe, nga ana tjetër, progresin e vazhdueshëm të saj.
