Shkencëtari që do të ringjallë të vdekurit

anazapta

Në librin “Lazarus Effect”, shkencëtari Sem Parnia shpjegon se përse beson se është e mundur të risjellë në jetë pacientë që nga autoritetet spitalore deklarohen të vdekur. Arsyetimi i tij dhe dyshimet e komunitetit shkencor sillen në një artikull të “The Guardian”

 

Sfida që parashtron ai ka lënë pa fjalë shkencëtarë dhe doktorë. Sem Parnia, shkencëtar në “Stony Brook University School of Medicine”, ka bindjen se të vdekurit mund të sillen sërish në jetë: E shpjegon në librin e tij “Lazarus effect“, në të cilin thekson se personi që është deklaruar klinikisht i vdekur mund të rivijë në jetë me anë të teknikave që janë praktikuar edhe më parë në spitalet e disa vendeve aziatike.

Siç shpjegon për “The Guardian”, teknologjia konsiston në kthimin në jetë të personit edhe pasi kanë kaluar shtatë orë qëkur zemra ka ndaluar së rrahuri, mjafton të përdoret e ashtuquajtura ECMO ( Teknika e Oksigjenimit Ekstratrupor të Membranës). Siç e shpjegon shkencëtari i gjithë procesi mbështetet te ftohja e trupit me xhel, në mënyrë që të pakësohet aktiviteti metabolik i qelizave. Në vijim, trupi lidhet me një aparat oksigjenimi me membranë, i cili riaktivizon qarkullimin e oksigjenit në gjak.

A mund të ringjallen të vdekurit?

Parnia thotë se shkenca po zhvendos kufijtë midis jetës dhe vdekjes. “Asgjë fantastikoshkencore nuk ka këtu”, pohon ai duke shtuar: “Progreset që shkenca ka arritur gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kanë lejuar të zbulohet se si një njeri që vdes, shndërrohet në një kufomë vetëm kur qelizat e  trurit të tij kanë pushuar së funksionuari. Pavarësisht se pjesa më e madhe e personave mendojnë se vdekja është një proces i menjëhershëm, në të vërtetë këto qeliza qëndrojnë në jetë deri në shtatë ose tetë orë, pasi njeriu deklarohet teknikisht i vdekur”. Për këtë arsye, nëse manipulohen këto procese mund të ndodhë që të risillet në jetë një njeri i vdekur prej pak orësh. “Ekziston një probabilitet i barabartë me 33 për qind që kjo të ndodhë në rast të një infarkti. Sipas tij, me këtë metodë në spitalet amerikane mund të shpëtohet jeta e 40 mijë personave çdo vit.

Studimet e Parnias

Teoritë e Parnias kanë shkaktuar jo pak hutim midis komunitetit të shkencëtarëve, e megjithatë studiuesi, me një eksperiencë të gjatë në sektorin e terapisë intensive, këmbëngul. Tani për tani ftohja drastike e kufomës për të ngadalësuar vdekjen e qelizave nervore, ashtu si monitorimi dhe ruajtja artificiale e nivelit të oksigjenit në tru nuk janë pranuar nga mjekësia zyrtare.

Shkencëtari dëshiron ta ndryshojë këtë situatë. Ai thotë se teknika që synon të fusë në spitalet amerikane nuk përbën ndonjë risi meqë ajo tashmë përdoret në Japoni dhe në Korenë e Jugut. Raste të procedimeve të tilla që kanë rezultuar të suksesshme citohen edhe në librin e tij.

“Një vajzë japoneze ishte shpallur klinikisht e vdekur prej tre orësh, kur u risoll në jetë përmes kësaj metode dhe tani ajo është bërë nënë”, thotë ai për “The Guardian”. Megjithatë teoria mbetet shumë e debatuar dhe po ashtu të ndryshme janë opinionet e shkencëtarëve në lidhje me kohën kur duhet të deklarojnë një person realisht të vdekur.

Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment
  • JO VETEM AQ POR NESENJE NJERI I VDEKUR PAS 1-7 DITE VIHET NE NJE USHQIM ELEKTRICITETI PREJ 20 WAT,MUND TE VERE NE RIFUKSIONIM TRURIN NEPERMJET INJEKTIMIT ARTIFICIAL TE SHPIRTIT.ME PAS NESE PERDORET METODA E PROPOZUAR E PROF.PARNIAS,AI MUNDET TE RINGJALLET EDHE PAS 7 DITESH.MOS KINI FRIKE SEPSE AI JO VETEM NUK DO JETE LUGAT POR DO JETE QENIE E BEKUAR NGA ZOTI QE E KRIJON NEPERMJET BIRIT TE TIJ NJERIUT.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *