Shkodër, burg dhe 2 të tjerëve, dosja te Krimet e Rënda

redaktor

Mbeten në qeli edhe 2 të arrestuarit e tjerë të akuzuar si anëtarë të “grupit të zjarrit”, të cilët qëlluan me armë zjarri për katër ditë me radhë policinë dhe helikopterët e saj në operacionin antikanabis në Dukagjin. Dy të dyshuarit Lekë Thani dhe Fatmir Shpati mohuan akuzat, duke dhënë alibi vendndodhje të ndryshme, por prokuroria deklaroi se ka përgjime telefonike të kryera ndaj tyre. Më herët ishin lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës kryeplaku i fshatit Plan dhe i arrestuari i tretë për sulmin, Pal Dushku. Në kërkim janë edhe 7 të dyshuar si pjesëtarë të grupit. Po dje operacioni ka vijuar në tre komuna dhe janë asgjësuar mbi 3600 bimë narkotike. Ndërsa Gjykata e Shkodrës vendosi që dosjen voluminoze për këtë operacion dhe arrestimet t’ia kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, njëlloj si në rastin Lazarati.

 

Masat e sigurisë
Gjykata e Shkodrës dha dje masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për 2 të arrestuarit e tjerë të dyshuar si anëtarë të “grupit të zjarrit”, që qëlluan helikopterët në operacionin antikanabis në Dukagjin javën e kaluar. Me dyer të hapura dhe në seanca që nuk zgjatën më shumë se 30 minuta secila, gjyqtari i gatshëm aprovoi kërkesën e prokurorisë për Lekë Thanin, 38 vjeç, i akuzuar për “vrasje në tentativë ndaj punonjësve të policisë”. Thani akuzohet gjithashtu edhe për “kultivim të bimëve narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjatë seancës, Thani ka mohuar akuzat, duke u vetëdeklaruar i pafajshëm. Arrest me burg është masa që është dhënë edhe ndaj Fatmir Shpatit, 25 vjeç, ku sipas prokurorisë, përfshirja e tij dhe e Thanit provohet nga transkriptimet e bisedave telefonike. Avokati i Shpatit ka deklaruar se ai është vetëdorëzuar dhe se nuk ekziston përgjimi telefonik. Vetë i pandehuri ka mohuar përfshirjen në sulmin me armë ndaj policisë, duke deklaruar se po punonte në arë dhe nuk ka qenë pjesë e grupit. Dy ditë më parë u dha masa “arrest në burg” për të dyshuarin e tretë, Pal Dushku, që po ashtu kundërshtoi akuzat dhe ndaj kryeplakut të fshatit Plan. Po dje, Gjykata e Shkodrës vendosi që dosja voluminoze e Prokurorisë për operacionin në Dukagjin dhe sulmin me armë për 4 ditë me radhë ndaj policisë, t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, duke ndjekur precedentin e Lazaratit, si krim i organizuar.

 

Aksioni dje

Operacioni antikanabis në Dukagjin ka hyrë dje në ditën e nëntë të tij dhe u asgjësuan 3615 rrënjë hashashi në një zonë të pyllëzuar, tepër të thepisur, me rrugë shumë të ngushta dhe të rrezikshme për t’u kaluar. Policia zbuloi dy stane, pranë të cilëve ishin ndërtuar dy sera, që përdoreshin për tharje të bimës narkotike, të cilat ujiteshin me ujë që sillej me tuba plastike nga rreth 1 km larg. Në total u gjetën 18 parcela me kanabis. Në aksion janë të angazhuara 150 forca policore operuese, 21 automjete, si dhe 3 skafe. Operacioni dje u krye në disa zona të komunave Shllak, Plan dhe Shosh. Në kërkim për sulmin me armë janë Nikollë Shpati, Mentor Bungaja, Nik Tonaj, Pëllumb Dushku, Gjin Guri, Kol Bungaja dhe Geg Kola.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *