Një sasi e vogël eksplozivi ka shpërthyer mëngjesin e djeshëm, në ambientet e një lokali në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë vendore, mësohet se një sasi rreth 20 gramë lëndë eksplozivi tritol, ishte vendosur në tarracën e lokalit në pronësi të Z. N., 52 vjeç, nga Vau i Dejës. Eksplozivi ka qenë i lidhur me fitil zjarrpërcjellës, ndërsa nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Ende nuk dihen autorët dhe shkaqet e vendosjes së tritolit në lokal, kurse policia ngriti një grup hetimor dhe pyeti pronarin e subjektit rreth konflikteve që ka pasur. Grupi hetimor dyshon për një konflikt banal dhe të çastit, ose në motivet e konkurrencës. Janë kryer disa shoqërime të dyshuarish, banorë të zonës ku ndodhej lokali dhe po vijojnë hetimet për gjetjen e autorëve.
