Shkodër, ekzekutohen ish-polici dhe bashkëjetuesja, shpëton foshnja

DITA Online

 

Një krim i dyfishtë ka tronditur qytetin e Shkodrës mëngjesin e kësaj të diele.

Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tyre, në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”, në afërsi të qendrës së qytetit, poshtë pallatit ku banonte çifti.

35-vjeçari Boran Bercama dhe bashkëjetuesja e tij janë qëlluar me armë zjarri, pistoletë, nga një distancë e afërt, sapo kanë zbritur nga banesa e tyre dhe në momentin që kanë hyrë në automjet.

Breshëria e plumbave u kanë marrë jetën në vend.

Për fat të mirë, foshnja që ndodhej në vendin e pasagjerit përpara, në prehrin e gruas së vrarë, ka shpëtuar nga plumbat.

Sipas grupit hetimor, autorët dyshohet të jenë të paktën dy persona, të cilët kanë ditur mirë çdo lëvizje të viktimave.

Në shënjestrën e tyre, përveç ish-punonjësit të policisë ka qenë edhe bashkëjetuesja, për të zhdukur çdo dëshmi të mundshme.

Nga dyshimet e policisë duket se bëhet fjalë për një krim të kryer nga profesionistë, duke parë saktësinë e goditjeve me armë zjarri, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.

Aktualisht nuk dihen as motivet dhe as autorët e ngjarjes së rëndë, ndërsa dyshimet e para hidhen për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të ish-punonjësit të policisë.

Boran Bercama kishte dhënë dorëheqjen para rreth 6 muajsh nga policia, ku shërbente si punonjës i Policisë së Rendit me patrullat.

Policia ka shoqëruar disa persona, që dyshohet se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve aty pranë, për të mësuar më shumë mbi lëvizjen e autorëve.

a.s/dita

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *