Përpiqej të digjte shkurret në kullotë për t’i ripërtërirë, por gjen vdekjen aksidentalisht. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, kur djegia e mbeturinave i ka marrë jetën një 75-vjeçari në Shkodër. Policia bën me dije se viktima është Zef Ndoji. Banorët e zonës gjetën trupin e burrit dhe njoftuan menjëherë policinë vendore.
Një grup hetimor u dërgua në vendngjarje për të zbardhur atë që kishte ndodhur. Sipas policisë, 75-vjeçari Ndoji kishte shkuar në mal për të djegur mbeturinat, shkurret në kullota, por për shkak të tymit të madh ka mbetur i asfiksuar dhe ka gjetur vdekjen. Ngjarja ndodhi në komunën Shllak, teksa do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbardhë rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes. Policia dyshon se përveç asfiksisë mund të jetë bërë shkak edhe ndonjë atak kardiak për shkak të moshës së thyer të të ndjerit.
