Shkodër, procedohet “i forti” me Porsche që dhunoi qytetarin, pezullohet polici

Elton Tafaruci

Policia e Shkodrës ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj 35-vjeçarit Aldo Doçaj, i cili dhunoi një qytetar në mes të rrugës “Bulevardi Skënderbeg”.

35-vjeçari doli nga makina e tij Porsche dhe filloi të ushtronte dhunë ndaj qytetarit me iniciale A.Ç, ngjarje e ndodhur për motive të dobëta. E gjithë skena ndodhi në prani edhe të një oficeri të policisë rrugore, i cili shikonte se çfarë po ndodhte por nuk ndërhyri në asnjë moment për të ndalur sherrin.

Në këtë mënyrë, punonjësi i policisë Taf Vokrri është pezulluar nga puna dhe ka nisur ndjekja disiplinore,

“Ai është treguar i njëanshëm në kryerjen e detyrës, dhe pa asnjë arsye nuk i ofroi ndihmë qytetarit, nuk ndërhyri kur e kërkonte nevoja, duke dëmtuar imazhin e Policisë.

Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes të ligjit apo shkeljeve nga punonjësit e policisë duke garantuar marrjen e masave të menjëhershme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Share This Article
1 Comment
  • JA KUSH ESHTE “I FORTI”

    SHKODËR – Identifikohen autorët e vrasjes së babë e birë, Frederik dhe Jurgen Marku, e ndodhur në 31 gusht të vitit 2012, të cilët janë pesë persona.
    Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se, pas hetimeve të shumta gjatë një viti kanë mundur ti identifikojnë autorët, të cilët janë: A. Doçaj, 32 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, L. Martini, 29 vjeç, E. Boka, 32 vjeç, A. Prebibaj, 30 vjeç dhe L. Nika, 32 vjeç.
    Policia e Shkodrës ia ka shpallur në kërkim të pesë të dyshuarit, ndërsa mësohet se ata dyshohet se fshihen në një zonë të thellë Dukagjin të Malësisë së Madhe. Hetimet e Policisë së Shkodrës janë bërë në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.
    Krimi i dyfishtë ndodhi për motive të dobëta, pasi viktimat dhe personat e shpallur në kërkim ishin konfliktuar me njëri-tjetrin në zonën e Thethit në Malësinë e Madhe.
    NGJARJA NË 31 GUSHT 2012
    Babë e bir u ekzekutuan të enjten e datës 31 gusht 2012, pas një grindjeje për një fjalë goje në zonën turistike të Thethit, por që pati pasoja fatale për familjen Marku. Frederik Marku, 46 vjeç, ndërroi jetë në vend, ndërsa i biri nuk ia doli dot me gjithë përkushtimin e mjekëve.
    Ngjarja ka ndodhur pas një sherri të ndodhur mes tyre. Por hakmarrja ndaj babë e bir nuk është ndalur me kaq, pasi shtëpisë së tyre të pushimit në Theth u është vënë flaka. Zjarri që ka përfshirë shtëpinë alpine prej druri ka djegur edhe makinën e familjes Marku.
    Ne atë moment asnjë person i familjes nuk ka qenë në banesë, pasi varrosnin 45-vjeçarin. Prej disa ditësh viktima së bashku me familjen po bënte pushimet ne Theth, aty ku ka ndodhur edhe konflikti me autoret e dyshuar të vrasjes.
    Policia dyshon se bëhet fjalë për 5 persona që kanë ngacmuar vajzën e viktimës, gjë që ka çuar në debat mes palëve. Sherri ka përfunduar në polici ku të rinjtë kanë denoncuar babë e bir për kërcënim me jetë, por pas pyetjes ata kanë dëshmuar se ka ndodhur e kundërta.
    Duket se kjo nuk është pritur mirë nga grupi i të rinjve qe ju kanë zënë pritë në afërsi të spitalit të Shkodrës ku edhe i qëlluan me armë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *