Dy përgjegjës të Shërbimit Social të qarkut Shkodër janë marrë nën akuzë ditën e djeshme, pasi dyshohen se kanë firmosur për dhënien e ndihmës ekonomike familjeve të cilat jetonin jashtë Shqipërisë. Procedimi penal ka nisur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Në hetim janë Lumturije Smakaj, 46 vjeçe, banuese në Dobraç, me detyrë përgjegjëse e Shërbimit Social e Komunës Rrethina, si dhe Dashamir Shabaj, 43 vjeç, banues në fshatin Boks, me detyrë përgjegjës i Shërbimit Social i Komunës Postribë. Po kështu ka nisur procedim penal për akuzën e mashtrimit ndaj A. L., 42 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, B. R., 43 vjeç, banues në fshatin Zus, K. Z., 27 vjeç, po banues në Zus, që trajtoheshin me ndihmë ekonomike nga komuna Rrethina, ndërsa gjatë verifikimeve rezultoi se ishin jashtë Shqipërisë. Nën hetim u morën edhe B. H., 32 vjeçe, banuese në Myselim, B. B., 30 vjeç, banues në fshatin Mes dhe N. B., 48 vjeç, banuese në fshatin Myselim, që trajtoheshin me ndihmë ekonomike nga komuna Postribë, ndërsa ishin emigrantë.
