Si dhe në vrasjet e tjera, autorët dyshohet të kenë qenë dy dhe të kenë përdorur një motor me të cilin kanë lëvizur në krah të shoferit dhe kanë qëlluar Kujtim Krajën
Rreth dy muaj më parë policia kishte ushtruar një kontroll në shtëpinë e Kujtim Krajës ku kishte gjetur dy krëhëra automatiku me nga 30 copë fishekë dhe ndaj tij kishte nisur hetimi për mbajtje municionesh pa leje. Ndërkohë, por sipas policisë, 30 gëzhoja janë gjetur në vendin e vrasjes së 48-vjeçarit, i cili u ekzekutua mesditën e së shtunës në afërsi të varrezave të dëshmorëve në Shkodër. Policia deklaroi se mënyra e ekzekutimit është e njëjtë me vrasjet e fundit të ndodhura në kryeqendrën veriore, por që asnjëra prej tyre nuk është zbardhur deri më tani. Kushëriri i Mir Koçisë, i ekzekutuar edhe ai në nëntor të vitit të kaluar mësohet se është ndjekur nga autorët dhe vendi ku është vrarë ka qenë i veçuar dhe pa shumë lëvizje.
Ashtu si dhe në vrasjet e tjera, autorët dyshohet të kenë qenë dy dhe të kenë përdorur një motor me të cilin kanë lëvizur në krah të shoferit dhe kanë qëlluar Kujtim Krajën, ndërkohë që ky i fundit ngiste makinën. Më pas ata janë larguar po me motor duke mos pasur kështu pengesa, por edhe duke mos krijuar dyshime.
Sipas informacioneve zyrtare të policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 gëzhoja model 56 kalibër 7.62 mm, 7 copë gëzhoja pistolete model 54 kalibër 7.62 mm, 3 këmisha predhe dhe një bërthamë predhe e deformuar, si dhe automjeti ku është qëlluar viktima, i llojit kamion vetëshkarkues “Iveko”, ngjyrë i bardhë me targë SH 0304 E.
Sipas policisë, 48-vjeçari Kraja është qëlluar nga i njëjti krah.
Deri ditën e diel nga policia nuk kishte asnjë autor pavarësisht shoqërimeve. Mësohet se në banesën e Kujtim Krajës është ushtruar kontroll më 21 janar dhe atij i janë gjetur 2 krëhra automatiku me nga 30 copë fishekë, ndërsa ndaj tij kishte nisur hetimi. A.Qemali