Nis sërish aksioni i policisë për zbulimin e zonave të mbjella me lëndë narkotike në veri të vendit. Policia e Shkodrës ka zbuluar në fshatin Mazrek-Gur i Zi, një serë të vogël me përmasa 1,2 dhe 2,4 metra dhe me lartësi 35 centimetra, ku ndodheshin të kultivuar 1068 kubikë të mbjella me bimë hashashi me një lartësi 5, deri në 7 centimetër. Pas rritjes në serë, rrënjët e hashashit do të vendoseshin në parcela për t’u kultivuar dhe trafikuar. Kjo zonë vitin e kaluar ishte një nga zonat më problematike për kultivimin e hashashit, në të cilën gjatë muajve të verës u ndërmor një aksion nga Policia e Shtetit. Ende nuk ka autorë të identifikuar për pronësinë e serës me drogë.
