Bedri Islami
..po sikur të kishte,diku, mijra vite drite larg,
një galaktikë tjetër,
me qiell, me ujra, me frymë, me tokën si mëndafsh,
me zëra, me ëndrra, dallëndyshe, manjola dhe mjegull,
Me një qytet të çuditshëm mbretërish, si Shkodra,
me kumbanore, minare, në të njëjtën rrugë e shesh,
me një legjendë ku gurët qumështojnë,të vjetër sa bota,
pa vdekje, me makthe njerëzore, ngulitur në kujtesë,
perëndeshë e tre lumejve, detit, vargmaleve ku qielli përflaket,
me një shtëpi të gurtë të një fisi zëmadh ,e të brishtë si ëndërr,
ku shkallët zbret një poet që nuk dëshiron të plaket,
i zhytur në një pafajësi të herëshme dhe të ëmbël,
Sikur në galaktikë të kishte një qytet të dytë si Shkodra,
i mistershëm në kohra, në truallin e lashtë të të parëve të tij,
ku mbyllim sytë dhe shohim zogjtë të fluturojnë mbi kodra,
Ku e dimë se Zoti ekziston dhe trëndafili i bardhë çel përsëri:
Ku do të ishe ti?!!!!
Të gjitha gjërat duan të jenë, ashtu si janë
trëndafili i bardhë don të jetë trëndafil i bardhë,
muzgu – muzg, kënga e mesnatës,po ashtu,
koralet duan të jenë korale, vala – valë,
murgesha- murgeshë, plaga – plagë gjithashtu.
Gurët duan të jenë gurë,në themele qofshin vënë
a të gdhendur në katër katër brinjët e bujtinës,
një yll që shndrrohet në gjethe,nën hënë,
trëndafili që digjet zhuritur në cakun e fundit të stinës…
Era nuk do asgjë tjetër, veçse të jetë erë,
zërat e natës- zëra nate duan të jenë,
Pranvera domosdo kërkon të jetë pranverë,
Dantja,po ashtu, tek ngrinte mbretërinë e përtejshme në Ravenë..
Edhe hidhërimi, Fjala, çasti i fillesës, gjeneza,nata pa gjumë,
trishtimi që mbetet kaq gjatë në sy,
Unë – nuk dua të jem askush tjetër – veç unë,
Në mos tjetër- të dua gjithë botën si të dua Ty!
Në histori nuk ka gjykatës
e as përmendore lavdie,
vetëm hetues dhe pranga.
Vajtojcat e gjithë botës janë aty,
të mundurit rebelohen dhe spostojnë kohën,
funerali i lavdisë mbetet prapa…
Ata, që ikën nga lufta,
u bënë hetues, kujtesa humbet
e zhduket..
Ringjallja memece ushqehet me imazhe,
Heronjtë s’janë më,
mbeten vetëm rrasat e gurta të rrugës…
nesër të rënët mund t’i heqin nga piedestalet
për deri sa hetues u bënë dezertorët,
Zhbërjet e mëdha po afrohen….
Lëvizin trëndafilat në muzg
si puthje dashurie,
trishtim malli…
dita ime e rrëzuar diku,
mes këmbanëzave të yjeve
në një fund maji…
pas pak do të ngrihen muret e natës,
do të bjerë heshtja,
dalëngadalë do të çelin gonxhet
si puthjet e së nesërmes…
të fshehta…
Atë që kam unë, nuk është e thënë ta kesh edhe ti,
Atë që dua unë, ti nuk mund ta duash,
Unë nuk i dua klithmat e pulëbardhave në muzg
E ti mund t’i duash,
I kemi të ndryshme kujtimet e vegjëlisë
Dhe çelësat e vjetër ku i ruajmë ato i kemi të ndryshëm,
Unë e kam mbështetur kokën mbi një gur vendlindje
Që ishte tjetër nga vendlindja yte,
Abstraktja më është shfaqur në një pamje tjetër
Dhe Viset e Askundit i ndërtova ndryshe…
Unë i tjetërsuar në Ëndërr
E ti mund të jesh thjeshtë Realja…
Ndoshta as heronjtë nuk i kemi të përbashkët…
E megjithatë ,kjo nuk më bën mua më të mirë se ti
E, as ty më të mirë nga unë..
Thjeshtë jemi ndryshe..
Asnjëri prej nesh nuk është i humbur,
Për deri sa e kemi gjetur Vetveten
Stërpikur nën bjeshkën e hënës…
Thjeshtë jemi ndryshe
Kur ndodh..
Kur ndodh një ndarje
ia vënë fajin dashurisë…
Vërtet kaq ishte?
Po mollët
që pikuan në fundin e vjeshtës,
po yllëzimin e ftojve
në një natë të argjëndtë,
po zërat
që shuhen si një puthje,
po dhimbja
që zvarritet pas teje e të mund,
po nata,
pagjumësia e saj me këmbanëzat si portokajt e jugut,
po zgjimi,
përmes trëndafilit të zërit,,
po loti,
po malli
po lëvizja e detit nëpër baticën e gjelbër…
Mos ia vini fajin dashurisë…
pluhuri i borës që shkundet nga flatrat e një zogu
i jep asaj qënien njerëzore
dhe dritë…
Liria
Ajo që nuk është gjithçka,
nuk është
kurrë e mjaftueshme.
ruaje gjakun tënd
larg zbrastësisë së makthit të harresës,
nuk është koha
të çlodhesh nga jeta,
për largësi dashurie.
Brenda katedrales së shpirtit
dremit asgjëja.
Në vetminë e hidhur,
dritat po shuhen,
nojmat iluzore nuk shfaqen më,
Zotat po kthehen përmes qiellit të erërave.
Atje ku nuk je ti,
nuk është asgjë,
është përherë pamjaftueshmëria…
veç hapat tonë që afrohen drejt teje,
përherë të pasigurtë,
të vonuar…
I mblodha të gjitha çfarë mund të mblidhet,
dallgët prej argjendi nën koralen e hënës,
padukshmërinë – të vrullshme si era,
hapësirën- që krijuan vitet në honin e Gjithçkasë,
muzgjet pa dritë,
Zotat e dikurshëm me hapin e ndadaltë,
Trishtimin e Detit nga mungesa e zogjve të hirtë..
Ç’më mbetej tjetër?
Ndoshta një ditë
do të kthehem përsëri,
edhe nga një tjetër botë,
të dëgjoj zërat e largët
që nuk i mblodha dot…
Flej tani,
ka gjithmonë një çast
për t’u nisur drejt ëndrrës.
Mbuluar në heshtjen e natës
është gjithmonë një kohë
kur ëndrra çel si trëndafilat e mëngjesit,
vesa e rënë mbi to si çasti i pritjes
gonxhet
ende paçelura
si buzët e puthura,
dega e gjelbër,
si pusi i vjetër
ku dikur shihnim vetveten…
tallazohej uji
tallazoheshim edhe ne…
Është gjithmonë një kohë
për të besuar ëndrrat…
ÇAST
Sa prej nesh e kujtojnë atë çast
kur bota
dukej për së mbari?!!
Çdo ditë,
shpirti i trazuar kërkon prehjen e vet,
mjegullat ranë
mbi rrafshirën pa fund të kujtesës,
në një tjetër det,
Ç’mesazh më sjellin shirat
të ngrirë në duar dhe shndërrohen në zogj?
Cila pranverë u end mbi shpirtra,
vjeshta e cilit vit u dogj?
Oh, ka ardhur koha
të kthehem në vendlindje..
të hap kanatat e drunjta,
të ndjell zogun e pritjes,
mbi pëllëmbë trëndafili,
të shikoj kur çelin lulet e mollës
dhe kundërmon bliri..
t’i falem shtëpisë së vjetër,
rrugëve që më rritën,
atyre që më deshën marrëzisht
deri në vdekje më pritën…
askund tjetër nuk mund të jesh i lumtur…
Parajsa e Dantes,
nuk është tjetër,
veç shtëpia në vendlindje….
M’i ktheni prapsht shirat e mi!
Ku shkon ky shi kështu?
Në një pyll,ku gjurmët e dhimbjes shndërrohen në shpirt,
në fillimet e natës, diku,
në kulmet e rrëzuara, në mjegullën e ftohtë,
në korijet e dendura,labirinthet e mjegullta,
ikën së bashku me zogjtë?
Shkoi të bëhet ëndërr
shkoi të vdesë në një ditë tjetër,vend tjetër,
shkoi të bëhet det,
të vijëzojë në ranishte,
ndaj një burimi të cektë,
ndërsa ujrat rrëshqasin në gjethishte?
Ku shkoi ky shi kështu?
shkoi të bëhet guackë,
të bëhet re
mbrëmje kristal,
mëngjes pa perëndim,
mbi të cilën rrinë fjalët që nisa,
pikuar mbi degë, mall?
M’i ktheni prapsht shirat e mi…
T’u kumtoj vetëtimave dhimbjen time…
Gjurma
Nuk e di se cila është gjurma ime në jetë,
Nuk dimë asgjë për ty-
nuk do më thonë,
si lum kam rrjedhur në jetën time,
me shpresën se kurrë nuk kam qenë vonë…
Nuk jam fshehur nga frika se mos më gjejnë,
si i çmendur kam qeshur e dashuruar,
kam kthyer dolli pa fund me verë,
nga një trëndafil i çelur jam urtësuar,
Nuk e di se cila është gjurma ime
sido që të jetë,
kam jetuar si kam dashur,
qetësisht, pa zhurmë,
ju them të vërtetën,
trishtohem për njerëzit pa gjurmë,
ata,
nuk do e kenë për herë të parë vdekjen..
Ngjashmëri
Thonë se i kem ngjarë stërgjyshit tim,
paksa i krisur, dashuronjës i marrë,
ikës nëpër qiej,
i kthyer në tokë,
zhurmues në dasma, në morte pa fjalë…
Ulëritës nga dhimbja
ngazëllues i çasteve,
besëdhënës e kurrë besëprerës
ngarendës pas shirave të vjeshtës,
dallgëve.
I rënë në një muzg të përndritur,
i ringritur në mëngjesin e herët,
Thonë se i kam ngjarë stërgjyshit tim…
i pagjumë, thepisur në dashuri,
Në pastë qenë kështu,
Atëherë jam ai…
Çdo mbrëmje…
Çdo mbrëmje,
para se të flej,
më shfaqet fëtyra e nënës sime…
më duket sikur shoh stinën e jargavanëve,
fëmijërinë time,
brymën e rënë mbi fijet e barit,
heroiglifet e ngrira – si shenjat e vuajtjeve të saj,
mjegullën e bardhë,
filizat e blirëve që kishim në oborr,
lulëzat e e varura në qoshkun e madh,
erën që vjen nga pylli me pisha,
shtegun e gjelbër,
dhe lotin e mbetur në memorjen time,
mbi jetën e saj trysninë e egër…
çdo pëllëmbë e brendisë së saj,
më vjen si shkëlqimi i ditës..
Dhe unë besoj tek mrekullitë!
Peisazh
Mëngjesi çeli i pastër si dëshirë fëmije,
u shua hëna si kujtim i shkuar
që nuk e thirra dot,
ikur përmes dhimbjes dhe harresës,
në një vetmi të plotë…
Kaq e bukur kjo ditë…
si një frymëmarrje dashurie,
vetëtimat janë larg,
po bien në një tjetër det,
Çelur kanë trëndafilat,
si hapje misteri, e fshehtë – fshehtësie,
që mbart një jetë…
Pastaj erdhi mbrëmja,
drithëruese dhe e butë,
si flokët e dëborës në mesnatën e qetë…
ky trëndafil i bardhë nuk është rastësisht
në oborrin e shtëpisë sime të vjetër,
i pamoshë, ashtu si Koha,
i harlisur, si vjeshta e mollëve,
si një këmbanë, e çuditshme, e bardhë,
me fletëzat ku ende janë bulëzat e vesës së mbrëmshme,
poshtë tij edhe mund të kryqëzohem,
i etur për kujtimet që brofën si zogjtë,
përmbysur nën dritën e bardhë të hënës….
të gjethësohem për botën,
që desha çmendurisht,
nën qepallat e trëndafilit të bardhë,
ku pikat e vesës,
si mijra sy,
largojnë Harresën!
i harruam lahutat,
etnosin paganë…
lojrat e fëmijërisë e
varret e lashtë me emrat e stërgjyshërve,
sythet e pemëve,
mollët e jeshilta që vareshin
në strehën e shtëpisë së vjetër.
s’ka më pagjumësi mbi enigmën e madhe
të së nesërmes,
në vend të jetës
na magjeps vdekja…
harruam fisin mbretëror të zogjve,
u bëmë gjethe që na vërtit fati,
duke kërkuar një diell tjetër
që kurrë nuk ndrin si dielli ynë…
të dielat e zemrës humbën…
askush nuk e di
ku do na zërë ndalesa e fundit….
ENIGMA
Në çdo dashuri ka një enigmë
mos u mundoni kurrë ta zbuloni,
fshehur ndoshta në magjepsjen e Orientit të fshehtësisë,
në format e brishta që i dashurojmë deri në vuajtje,
në yjet e ndritur, si lot të skuqur nga mundimi i ndarjes,
në iluzionin e agimit kur zhduket një puthje,
në ujrat e puseve që gurgullojnë mes fijeve të barit.
në degët e rënduara të pemëve nga frutat e pjekura,
në kohën e papritur të ardhjes dhe trishtimin e ndarjes,
dhe në çastet e fundit të mbetura,
në çastin magjik ,kur sytë mbyllen të thonë “jo”
e buzët,
si shegë të hapura që kanë enigmën e tyre,
të thonë diçka tjetër,
si pëllumba të bardhë me gugatjen e tyre,
në çatinë e shtëpisë së vjetër…
Mos u mundoni të zbuloni enigmën e një dashurie,
e kyçur me diell,
e larë nën hënë,
pëlhurë mjegullore,
gjysma e zjarrtë,gjysma e akullt,
buzë thepisjes si lule e mbirë,
me dhimbjen e saj të pashpjegueshme kristalore,
si galaktikë e ngrirë…
Mos u mundoni…
është e kotë,
ajo mbetet si një gonxhe e pahapur trëndafili
që kurrë nuk do të bëhet lule e plotë…
Dielli ka zënë vend
mbi gjokset e luftëtarëve të vrarë…
Nëse dielli ikën
nga gjokset e tyre
fillon shkretëtira,
zhduket mirazhi i lirisë,
urithi i natës vjen…
retë e nxira…
në përmendoret e tyre zë vend ndryshku..
Mos e lini diellin të ikë,
ndryshe shtriga Harresë,
në fshehtësinë e natës,
mpreh thikën
për të prerë atdheun
pjesë – pjesë…..

Mjaft të goditura strofat e fundit. Janë afro 1.5 milionë “reze të shkëputura dielli” që i janë larguar atdheut. Shumica në lule të rinisë. Kujtesa e tyre nuk vyshket kollaj.
Shkodra dhe Ti…Bedri Islami ..PENE atdhetari*
Trinirine per mua 85 vjecarin….!?
si *Parandalim i COVID-it*-ardhe!
Ne kulmin e deshperimit…COVIDI trokit..
Tek mua 85 vjecari,sa kthyer nga mergimi,
Tej oqeanit mes Torontos,te atij shteti HUMAN,
Marre masat mbrojtese,Shteti AME-mi RIPERTERIN… ** Faleminderit njisise shendetesi se Lagje dy,
Mes Tiranes,ne shtepi,TAMPONIN derguar,
Nje *engjllushe*specialiste me emrin Pranvera,
Pranvera Gjylystani-Skrapariote,Tirane- ngadhnuar
***Mes kenaqesies marre,per shebimin falas,
Kur *specialistet* private,donin mijera leke,
Falenderojm; Shetin social ne *Atdheun NENE*
Masat *Anti virusit*,falas per popullin marre.
VO..Teksa formuloj kete koment ne falenderit ne Poetit te Mirenjohur Berdri Islami *Shkodra dhe…*nje TYFE POEZI te shkelqyara,une 85 vjecari,lexoj komemtuesin*Mirazh Lirie*-Qe e falenderoj per shprehien: *shumica ne LULE te Rinise- kujtesa e tyre ne VYSHKET kolla*-
EMIGRACIONIN MASIV-pas 90tes marre-fatkeqesi kombetare. Ne atdhe kthyer,mes bashkeatdheve..*RIJETE marre*
Mbrodhesi AYDHEUT tone te dashur i urojme!
Pasuesi Veteran 85 vjecar Dh.Xhoga-Guri Naimit D. Tirane 23 Tetor 2021.