Shkodra sipas Nasho Jorgaqit dhe një kujtim me Frederik Rreshpjen

J L

Prof. Xhelal Gjeçovi

 

Para pak muajsh, Nasho Jorgaqi, një personalitet ndër më të shquarit e kohës, një pendë e njohur me kontribute në shumë fusha të dijes, të historisë, të arsimit e të kulturës kombëtare mbushi 90 vjet. Reagimet, me vlerësime e urime ishin të shumta e të merituara, nga figura të njohura, kolegë e miq të shumtë, në Shqipëri, në Kosovë e në Diasporë, që i uronin nga zemra dhe shumë e shumë vite tjera, kështu siç e gjeti ky 90-vjetor, në punë, në aktivitet, në krijimtari, që s’u ndërpre për asnjë çast, por dhe i rrethuar nga dashuria e mirënjohja e familjes, në radhë të parë, bashkëshortes së devotshme, pedagoges së njohur e të dashur, veç tjerëve dhe të gruas time, për të cilën si familje kemi një respekt të veçantë; të Kristinës, tashmë të njohur jo vetëm si bija e dy prindërve të shquar, por dhe si studiuese po kaq e njohur dhe e shquar për studimet në fushën e vështirë të gjuhësisë, duke vazhduar e çuar me përpara traditën familjare. E krahas tyre dhe plot shokë e miq në të katër anët e vendit.

Me këtë rast, gazeta “Dita”, botoi një pjesë të kujtimeve. Si njëri prej miqve të tij, kujtimet i lexova me një frymë e me ngjallën emocione të veçanta, me përshkrimet që janë në natyrën e Nashos, plot dashuri dhe respekt për vendin e për njerëzit e në këtë rast dhe për Shkodrën e qytetarët e saj, për figurat e ndritura të arsimit e të kulturës kombëtare, që ka nxjerrë ky qytet i lashte e me tradita të spikatura, disa prej të cilëve vështirë të përsëriten. Disa nga këto figura që profesori na i sjell në vëmendje, kam patur fatin t`i njoh dhe unë, kur një dekadë pas tij, u ula në bankat e gjimnazit 29 nëndori, ku ai mori mësimet e para për jetën, për t’u bërë, më pas një personalitet dhe erudit i rrallë, siç e cilësonte me të drejt “Dita”.

Bilanci i këtij kolosi të letrave shqipe, në këtë 90-vjetor, është i jashtëzakonshëm, që do ta dëshironte e do ta nderonte çdo krijues, shkrimtar apo studiues. Një jetë e jetuar në mënyrë aktive e me dinjitet, me punë të pa lodhur e të pandërprerë për asnjë çast, me studime e krijime në shumë fusha të dijes, të mishëruara në vepra të shumta, fondamentale, që përfaqësojnë thesare në kulturën kombëtare, ku do të veçoja sidomos botimin shumëvëllimësh për Nolin, këtë figurë madhore të kulturës kombëtare, ëpor dhe shkrimet e studimet që vazhdon të na i sjellësh herë pas here për zhvillimet në Kosovë, në Çamëri, arbëreshët në Itali e bashkatdhetarët e Diasporës, së vjetër e të re, të shpërndarë në vende të ndryshme të Europës e në SHBA. Të gjithë këta pjesë të trungut arbëror, të gjymtyrëve të kombit, që e bënë të aftë të përballojë sfidat e historisë. Në veprat e studimet e tij profesori pasqyron e lartëson përpjekjet heroike për mbijetesë e progres, për të ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare, zakonet e doket që na kanë mbajtur gjallë, të lidhur me njëri tjetrin e me vendin amë, me Shqipërinë, ku siç thoshte Çajupi edhe balta të duket më e ëmbël se mjalta. Kujtimet janë në një linjë tashmë të njohur të autorit, që sjell gjithnjë në punimet e tij, fakte të reja, interesante, duke riparë, e pse jo dhe korrigjuar, me kurajo çdo gjë të nevojshme, për t’iu afruar sa më shumë që të jetë e mundur realitetit historik e letrar, për të kapërcyer kësisoj dhe meraqet që ka çdo studiues ndaj veprës se vet, një motiv i fortë që e mban gjithnjë në lëvizje e në kërkim. Kjo krijimtari e ka bërë profesorin të njohur e të respektuar si rrallëkush, brenda e jashtë vendit dhe e ka renditur, me dinjitet ne radhën e njerëzve të ditur të kohës, që hodhën themelet e arsimit, të kulturës e të shkencës shqiptare.

Kujtimet që botoi “Dita” më sollën në kujtesë mbresa të pashlyera nga jeta intelektuale e qytetit tim, e bashkëqytetarëve e bashkëmoshatarëve të mi, që një dekadë pas Nashos do të uleshim në të njëjtat banka, të gjimnazit të famshëm 29 nëntori, një shkollë me emër e tradita (që ruhen e zhvillohen më tej në kushtet e sotme), me një trup mësimore që rrallëkush mund ta kishte, me profesorë të mëdhenj, me shkollim, kulturë e frymë europiane. Kësisoj, do të kishim edhe ne fatin, që të merrnim mësimet e para nga kjo plejadë njerëzish të mëdhenj, bashkë me bashkëmoshatarët e mi, ndër të cilët kujtoj sidomos të paharruarin Frederik Rreshpja, mikun tim Salvator Frania, një tjetër nxënës dhe njeri i shkëlqyer e modest, që mbeti i tillë gjithë jetën dhe të tjerë si këta, të gjithë me prejardhje nga familje të njohura qytetare shkodrane. Në rrugëtimin e sapo nisur do të përpiqeshim, të gjenim veten dhe vendin, kryesisht me angazhimin në mësime që të bëheshim sa më shpejt mbështetje për familjet që, ashtu si i tërë vendi kalonin vështirësi jo të pakta, për shkak të varfërisë së skajshme, e kuptueshme dhe e pashmangshme për një vend të sapo dalë nga një luftë shkatërrimtare, por të domosdoshme.

Kësisoj, me ëndrrat e dëshirën që të bëhemi dikushi, përpiqeshim të kuptonim kompleksitetin e situatës me të cilën përballej vendi, që përshkruhet me realizëm dhe në kujtimet e profesorit dhe me atë formim e konceptim të jetës, të realitetit që kishim, arritëm që secili në mënyrën e vet të orientohej e adoptohej me kohën, me ndryshimin. Shembullin e kishim dhe e shihnim tek pedagogët, në pergatitjen, sjelljen dhe edukatën që manifestonin në çdo hap ne raportet me nxënësit e me njëri tjetrin, pasqyrë dhe e edukatës e kulturës familjare. Kështu krijuam ndaj tyre një dashuri e respekt të jashtëzakonshëm. Me këtë shpjegohet trishtimi që ndjenim kur mernim vesh se njeri apo tjetri do te ishin objekt vëzhgimi nga organet inteligjente. Natyrisht ishim qenie njerëzore, aq më shumë tërinj, adoleshentë, me ëndrra e dëshira te moshës, por ato nuk na pengonin, qe te ndiqnim me vëmendje ndryshimet, me shpresë se mjerimi, varfëria e padituria e trashëguar do te kapërceheshin dhe vendi do të kishte më shumë punë, shkollim e zhvillim. E këtë besonim se mund ta bënin e mund ta sillnin forcat e reja, që bënë dhe luftën, në radhët e të cilëve kishte dhe kapacitete jo të pakta intelektuale, specialistë të fushave të ndryshme, sidomos të arsimit. Vetë situata, me zhvillimet kontradiktore, por me një prirje të qartë drejt progresit na shtynin e na bënin të ndjeshëm dhe ndaj politikes, ndaj hapave e vendimeve që merrte shteti. Gëzoheshim me ndryshimin, me rezultatet e përparimet, që nuk vonuan të dukeshin. Por, na tërhiqnin vëmendjen disa ngjarje që shpirtrat tanë të brishtë i trishtonin, sidomos goditjet, që nuk do të kursenin as profesorë e intelektualë dhe as nxënës e bashkëmoshatarë tanë, siç ishte dhe Frederik Rreshpja, që në shkollë tërhoqi shpejt vëmendjen për angazhimin e rezultatet në mësime, por dhe në rrethin letrar, me krijimet e para poetike. Donim të dinim më shumë rreth tyre, por ishte e pa mundur, informacioni nuk jepej e nuk njihej. Ne ishim të rinj, kureshtarë e kërkues. Kërkonim e ëndërronim shumëçka, por mbi të gjitha liri, por secili këtë fjale të artë e mendonte dhe e kërkonte në mënyrën e vet e jo pak dhe për veten e vet. Disa nxënës nga radhët tona, më kurajozët nisën t’i shfaqnin hapur mendimet për këto çështje, që kalonin caqet e mësimit, për t’iu afruar disi politikës. Por koha nuk ua mundësonte e nuk i pranonte, as t’i mendoje e jo me t’i diskutoje, e aq me pak t`u kundërviheshe.

Por, gradualisht do te mësoheshim e ambientoheshim dhe ato do t`i percillnim, natyrisht me shqetësim, por pa komente dhe me një farë ngushëllimi kur merrnim vesh se fenomene të tilla po shfaqeshin dhe në vendet e tjera, të sapodalë nga e njëjta luftë, e kësisoj nisëm t’i konsideronim të pashmangshme për kohën. Sidoqoftë, të ndikuar nga shumë faktorë, më së pari nga ndryshimi që dukej gjithnjë e më qartë, sidomos në disa fusha të ndjeshme për jetën e qytetarëve, siç ishte ajo e ekonomisë, ku ndryshimi reflektohej drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së familjeve tona, na forconin bindjen se vendi po ecte në rrugën e duhur. Ndryshimi po dukej në gjëra të prekshme siç ishin punësimi, arsimimi, shërbimi shëndetësor, që bëri të mundur zhdukjen, në një kohë rekord të sëmundjeve ngjitëse, si tuberkulozi, malaria, sifilizi etj., që në të kaluarën bënin kërdinë dhe nuk e linin jetën e njeriut që të kapte as dyzetë vite. Ky ndryshim i materies na çoj vetvetiu në një pozicionim që sot dikujt mund t`i duket jo i natyrshëm e i qortueshëm sidomos atyre që fluturojnë, pa mbajtur parasysh se ngjarjet e qëndrimet gjykohen në lidhje me kushtet e atëhershme, e jo duke i sjellë në mënyrë të sforcuar në ditët tona e gjykuar me kushtet e kërkesat e sotme.

***

Pas ndërrimit të sistemit kam patur një takim e bisedë shumë interesante mbi këto çështje me ish shokun tim të gjimnazit, poetin e njohur por me një fat që s’e meritonte Frederik Rreshpja. Më mori vetë në telefon, nuk e dija e nuk prisja, pasi dhe nuk e kisha takuar pas lirimit nga burgu. Pa pritur në një ditë të zakonshme bie telefoni i shtëpisë. E hapa dhe dëgjova menjëherë zërin e tij të veçantë. “Xhelal, jam Frederiku, shoku i yt i gjimnazit, apo më ke harruar? Si mund të harrohesh ti mor Frederik, i thashë në moment, ti s’je dokushdo, por një poet me emër, je Migjeni i botës së sotme letrare. Me ty krenohet një vend i terë, e aq më shumë ne bashkëmoshatarët e bashkënxënësit e të njëjtës shkollë.

Hajde me tha se jam në oborrin e selisë së PS e të pimë një kafe. U ulëm dhe nisi bisedën. A e mban mend se kemi qenë në një bankë, ishim më të vegjlit e klasës, pasi kishin hyrë 6 vjeç në shkolle, kurse të tjerët shtate. Po Frederik, po ndryshe nga ne, ti ishe i veçantë, me një inteligjence e karakter të veçantë që bije në sy e që shpejt do të bëheshe dhe i njohur e i pa arritshëm, per shkak te dhuntive që të fali natyra por dhe të punës e përpjekjeve tuaja. Po, por ajo me çoi ne burg, kurse ju vazhduat jetën normale e me bëhet qejfi që të paktën u bëtë dikushi. Miku im, vazhdoi më tej, a e din sa kam vuajtur nga marazi që më dënuan?

Të shkuara e të harruara Frederik, thotë populli. Jo tha, s’ka ikur akoma, do të duhet dhe ca kohë e ca përpjekje se akoma janë gjurmët e së keqes në kokat e njerëzve. Dhe më tej vazhdoi: Dua një shkrim prej teje për gazetën time, që kam nisur të nxjerr me ndihmën e kujdesin e PS e të Fatos Nanos. Po, perse don të të shkruaj, i them. Për Luftën, u përgjigj menjëherë, se ajo na ka mbetur gjerdan.

Kuptova se sprovat e renda qe kishte kaluar nuk e kishin lëkundur aspak në bindjet e tij, në një kohë që jo pak të tjerë, moshatarë tanë, pa arsye kishin kaluar me të djathtën ekstreme me shprese se kështu do të arrijnë të grabisin pronat, e krijuara me mundin e djersën e shqiptarëve për gjysmë shekulli. Ishte, siç thoshte Dritëro Agolli, ai shiu i marrë që kish rënë e kish lagur e trullosur dhe mjaft nga njerëzit që njiheshin si të ndershëm. Një dramë e vërtetë. Po kjo është temë tjetër.

Shkrimin që më kërkoi Frederiku e bëra me kënaqesi dhe ai e ktheu në intervistë dhe ashtu u botua me një shënim të vënë prej tij, në fund: “Intervistoi Frederik Rreshpja”. Atë e ruaj në arkivin tim si një kujtim të rrallë, nga shoku i kohës se adoleshencës dhe miku i përjetshëm Frederik Rreshpja. E ndjej si peng që më mundon që nuk kam shkruar më parë e më shumë për Frederikun, po për këtë më duheshin ca të dhëna, që s’arrita dot t’ia marr. Ku të linin një taborr i tërë që i shkonte pas, sikur donin të tregonin me këtë gjest se ishin rinovuar dhe kishin lënë pas të kaluarën, kur vetë Frederiku kishte mbetur ai që ishte. Çështje karakteri sigurisht. Unë e dija se Frederiku kishte shokë e miq të shumtë, por në bisedën prej më shume se një ore në kafen ngjitur me godinën e PS më foli vetëm për Moikom Zeqon, mikun më të ngushtë, mikun e vërtetë, i vetmi që sipas tij i kishte qëndruar afër në situatat më të vështira me të cilat e kish përballur jeta. Këtë konsideratë ia përcolla dhe Moikomit, në një nga kafet që pinim shpesh prapa muzeut. Ai nisi të më flasë për vuajtjet e Frederikut që s’i meritonte. Ishte i mbushur e këtë e tregonte pasoni me të cilin fliste. Kujtimet e profesorit i konsideroj dhe një homazh për këto dy figura, dy talente, ndër më të shquarit e brezit të tyre.

***

Profesor, i dashur, siç e shikon, me kujtimet e shkruara me ndjenjë e realizëm, dashuri e respekt për personazhet që bënë emër e lanë gjurmë në zhvillimet në vend fill pas lufte, më keni impresionuar e vënë në lëvizje si asnjëherë mendimin, kujtesën për ato kohëra të vështira, por dhe interesante. Ato janë me rëndësi për studiuesit e historisë së kësaj periudhe, ku përfshihemi ju dhe unë. Por, në mënyrë të veçantë, ato janë të nevojshme për brezat e rinj, që s’e kanë jetuar atë kohë, për të kuptuar se rruga dhe arritjet, aq sa ishin, nuk na i dhuroi kush, nuk na erdhën as nga qielli dhe as duke qëndruar duarlidhur, por me një kuptim e ndërgjegjësim gradual e më pas dhe një angazhim të fuqishëm për ta bërë Shqipërinë, për ta ngritur në nivelet që meriton.

Si historian e si qytetar, kujtimet e profesorit i shikoj e i çmoj dhe si një moment për reflektim, një mesazh që na përcjellin kujtimet, për të kuptuar të kaluarën, por dhe të sotmen, lidhjen në mes tyre, se nga hiçi asgjë e mirë nuk vjen dhe nuk arrihet. Ky është mesazhi që na vjen, në këtë rast, nga kujtimet e një shkrimtari e dijetari të njohur, me kulturë e përvojë jetësore. Në fund të fundit, ata që na udhëhoqën në vite ishin idealistë e atdhetarë, që e donin dhe u përpoqën që ky vend të ecë përpara, e shumë nga dëshirat dhe objektivat e kohës u realizuan, por jo pak probleme mbeten e madje dhe u trashën në vazhdim, për t’u bërë pengesë për realizime të tjera në fusha jo më pak të rëndësishme, siç është demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Share This Article
5 Comments
  • Doli nga burgu dhe kerkonte interviste nga xhelatet per luften e xhelateve qe sollen vrasjet burgosjet dhe nje bande kriminale ne pushtet????!!!!
    Une nuk kam lexuar asnje rresht te ketij Frederik Rreshpes,.Te me falni,mund te kete qene poet ashtu si thoni ju,por ai pushteti jot popullor,or Xhelal,ja paska bere mire.E paska merituar burgun.

  • Demo Me vjen keq per komentin qe ke bere ne drejtim te Frederikut i cili vuajti burgun politik ne kohen e diktatures per lirine e fjales dhe ishte kunder letersise se realizmit socialist Ju thoni qe diktatura e ka denuar me te drejte dhe ju kete e thoni nga marrazi pse Frederiku perkrah luften e bere per clirimin e atdheut Ajo lufte nuk u be per te ardhur regjimi diktatorial por u be per te cliruar atdheun nga nazifashistet dhe ne se Shqiperia nuk do ishte rreshtuar ne boshtin Amerike Angli Rusi ne nuk do ekzistonim si shtet ku gjysma do i kalonte Greqise dhe veriu do i kalonte Jugosllavise

  • Athanasios Jorgaqis (Nasho Shqiptari) nuk eshte as Turk Safi as Greke ne Ndergjegje por nje renegate pa Kombesi.
    Skiptare do te thote Greko-Turk.

  • Sa naiv,qe je o titi Zyrit.
    Lexo proces-verbalin e plenumit te Beratit,,te kuptoc c`qe ajo lufte!
    Lexo kujtimet e Kadri Cakranit.
    Lexo leter-porosine per torturimin dhe vrasjen me tortura te komunistit leninist Zai Fundo,,

  • Nenekoloneli i sigurimit, bilbili i partise, Nasho Jorgaqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *