Nga Viron Kona
(Me mësuesin dhe drejtuesin e talentuar Mehdi Hoxha)
1.
Gjithnjë kam ndjerë respekt të thellë për kolegët e mi mësues me të cilët kam punuar në shkolla të Qarkut të Tiranës, në zonën e Bërzhitës, Ibës dhe Kërrabës, apo dhe në disa shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Ndërkohë që puna redaktor i gazetës “Mësuesi” dhe detyra specialist në Ministrinë e Arsimit, më kanë mundësuar gjithnjë njohje të reja, kontakte dhe komunikime me mësues në shumë shkolla të tjera të Republikës. Dhe, gjithkund kam njohur përkushtimin e tyre, punën dhe veprimtarinë e përditshme mësimore, sakrificat për t`ju gjendur pranë nxënësve, për t`u hapur sytë dhe për t`i ndihmuar ata të kuptojnë jetën, dukuritë dhe fenomenet e saj, ndërkohë që me talent dhe aftësi të rralla pedagogjike ata kanë nxitur dhe frymëzuar te nxënësit dashuri dhe imagjinata nga më të bukurat për shkencën, letërsinë, artin, sportin dhe të ardhmen… Natyrisht që është një punë tërësisht fisnike, që ngjall respekt, nderim dhe dashuri për mësuesit, por shpreh edhe qëndrime, karaktere të mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe përkushtimi ndaj shkollës, ndaj edukimit dhe arsimimit të brezit të ri të Shqipërisë.
2.
Kësaj here më lindi dëshira të shprehem veçanërisht dhe disi më gjatë për Mehdi Hoxhën, mësues dhe drejtues i njohur i disa prej shkollave të kryeqytetit, një personalitet i spikatur i arsimit.
E kam njohur Mehdiun fillimisht në stacionet e pritjes së autobusëve të mësuesve të linjës Tiranë – Ibë – Kërrabë, ku ne mblidheshim e përshëndeteshim çdo mëngjes në pritje të autobusit dhe, më pas, gjatë udhëtimit për më shumë se një orë deri në shkollat tona. Ishin vitet e para të tranzicionit demokratik, kur shkollën e braktisën shumë mësues. Për shkak të kushteve të jetesës apo me ëndrrat për një jetë më të mirë, ata largoheshin në emigracion, kështu që mësimin u duhej ta përballonin kolegët e tyre, që vijonin normalisht punën, e, veçanërisht barra më e madhe binte atëherë mbi drejtuesit që duhej të organizonin procesin mësimor të shkollës pa krijuar boshllëqe e mangësi.

Mehdi Hoxha kryente atëherë detyrën drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar të Kërrabës. E mbaj mend gjithnjë të qeshur dhe me humor, energjik dhe të shkathët. Ndjeja dëshirën të bashkëbisedoja me Mehdiun dhe vinte rasti: herë, aty në pritje të autobusit dhe ndonjëherë duke pirë kafe, teksa ai ishte gjithnjë i preokupuar për problemet e shkollës dhe ardhjes në ndihmë të kolegëve, tek ai ndihej interesimi dhe meraku për t`ua lehtësuar mësuesve vështirësitë që kishin të bënin me shkollën dhe mësimin, por edhe të halleve që i dalin njeriut në jetën e përditshme. Puna e drejtorit ka edhe shumë telashe. Por shkolla kërkon edhe kabinete, kërkon edhe bibliotekë e literaturë cilësore mbështetëse e studimore, kërkon edhe angazhim për zgjidhjen e mjaft problemeve që janë jashtë mundësive reale të një drejtori: ajo duhet rikonstruktohet, çatia pikon, dyert dhe dritaret janë dëmtuar nga koha dhe lagështia, shkolla duhet lyer, ndërkaq po vjen dimri, kërkohet ngrohje, ka raste emergjente për ndihmë mjekësore…Por, duhet rifreskuar përmbajtja figurative e mjediseve, klasave, kabineteve dhe korridoreve të shkollës, ndërsa herë pas here kërkohen specialistë marangozë, elektricistë, hidraulikë, muratorë; por duhen thërritur për veprimtari jashtëshkollore edhe shkrimtarë, shkencëtarë, studiues, piktorë, specialistë të informatikës, të rendit publik, koreografë, inxhinierë, arkeologë, historianë, gjeografë, gjeologë… Se ja, shkolla e Kërrabës, ndodhej në një zonë mineralmbajtëse dhe doemos nxënësit duhej ta dinin këtë, edhe si fakt, por edhe shkencërisht, ndërkaq mjedisi përreth kishte shpella të lashta si ajo e Pëllumbasit, aty ishin kryer edhe gërmime arkeologjike… Zona ishte malore, ekskursionet dhe alpinizmi ishin një veprimtari e pëlqyer dhe tërheqëse për nxënësit… Mehdi Hoxha i kryente këto detyra me pasion të veçantë, gjithnjë në krye të zgjidhjes së tyre, ndaj dhe shkolla të gjallëronte, nxënësit dhe mësuesit ndiheshin mirë dhe të rëndësishëm në kryerjen e detyrave të tyre fisnike.
Temat e bisedave me drejtor Mehdiun kanë qenë përherë të shumta dhe të llojllojshme. Ato lidheshin veçanërisht me nxënësit dhe problemet e tyre. Kam në kujtesë atëherë preokupimin e Mehdiut për disa nxënës, që donin të braktisnin shkollën dhe të drejtoheshin në qytet për punë e mbijetesë, të tjerë kërkonin të largoheshin me prindërit e tyre në emigracion, të tjerë që humbnin mendjen në dëshpërim për shkak se kishin muaj e mbase vite pa i parë e kontaktuar prindërit e tyre, përveçse herë-herë vetëm me telefona, ndërkohë që gjendja e vështirë ekonomike ua vështirësonte disa prindërve dërgimin e fëmijëve në shkollë. Duket sikur këto ishin probleme vetëm të familjeve të nxënësve, por në të vërtetë këto ishin probleme për zgjidhje edhe për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, zgjidhja e tyre kërkonte doemos edhe angazhimin dhe ndihmën edhe të mësuesve, që ishin dhe janë si prindër të dytë. Shikoja se Mehdi Hoxha, ishte kurdoherë i pranishëm në hallet dhe shqetësimet e përditshme e të përhershme, si të atyre prindërve që duheshin ndihmuar për t`u plotësuar kërkesat e nxënësve për çanta, libra, fletore etj., por ai ndodhej edhe pranë nxënësve jo vetëm si drejtues, por me ngrohtësinë dhe humanizmin ai shfaqej përpara tyre edhe si një edukator i talentuar. Ndërkaq me nxënësit duhej punuar nga afër, duke njohur gjendjen shpirtërore, kërkesat dhe dëshirat, ëndrrat dhe pasionet, problemet që shoqëronin rritjen e tyre fizike dhe zhvillimin mendor intelektual. Mehdi Hoxha e tregonte veten si një nga ata mësues, edukator dhe drejtues, që duke jetuar pranë botës shpirtërore dhe psikologjisë së nxënësve, nxiste tek ata dëshira për mësim, por edhe shpresë e besim se, ja, së shpejti prindi, babai, vëllai, motra që ishin në emigracion do të ktheheshin, se jeta do të vinte duke u përmirësuar, se nxënësit duhej të mos e braktisnin shkollën, por t`i përvisheshin mësimeve, të ecnin të sigurt në rrugën e dijes sepse në krahë kishin kurdoherë edhe mësuesit e tyre të përkushtuar…
3.
Kudo që ishte në drejtim, drejtor Mehdi Hoxha, ia arriti t`i zgjidhte me sukses të plotë problemet e shkollave që drejtonte… Ai kreu me sukses të plotë detyrën e drejtorit në shkollën e Bulceshit (1985 – 1991), në shkollën e mesme të Bashkuar Zall-Dajt(1991 – 1993), në shkollën e Mesme të Bashkuar Kërrabë(1993-1996), në shkollën 8-vjeçare Babrru-Fushë(1997 -2001), në shkollën e Mesme të Bashkuar “Sadik Stavileci”, Katundi i ri, komuna Kashar(2001 – 2005)… Rezultatet e arritura në ato shkolla kanë qenë veçanërisht për rritjen ndjeshëm të nivelit të mësimdhënies, të frekuentimit, disiplinës, për ngritjen e kabineteve për lëndë të veçanta…Atij i është dashur të zgjidhë deri dhe probleme të okupimit të shkollave nga njerëz dhe familje të veçantë, siç ishte rasti në shkollën e Kërrabës, në shkollës Babrru – Fushë (sot shkolla “Vëllazërimi”), e cila nga një ish repart ushtarak u shndërrua në shkollë me parametra të modern. Madje duhet përmendur që, ndonëse edhe mbi atë shkollë kaloi furtuna shkatërrues e vitit 1997, mësuesit dhe drejtori i saj në krye, e ruajtën, e mirëmbajtën shkollën e tyre, madje arritën t`i shtojnë edhe disa klasa të tjera për të përballuar prurjet dhe fluksin në rritje të nxënësve.
Këtë punë me nivel të lartë dhe përkushtim Mehdi Hoxha e kreu edhe në drejtimin e shkollës “Sadik Stavileci”.Kjo shkollë u rikonstruktua me një arkitekturë të bukur dhe funksionale, si dhe me një oborr të përshtatshëm dhe të këndshëm për veprimtaritë e nxënësve, si ato të edukimit fizik dhe të lëndëve të ndryshme. Madje këtë shkollë për nivelin dhe standardin e lartë të treguesve të saj, DAR e Qarkut Tiranë, e shndërroi në një shkollë qendër të trajnimit metodik të rrethit. Në shkollë u futën uniformat e nxënësve, u rrit personaliteti i tyre, këtu dhe vetë Mehdi Hoxha kontribuoi me shpenzimet e të tij për ngritjen e radio “Shkollës”, që ndihmoi shumë në procesin mësimor dhe edukativ, sikurse, aty u ngrit Muzeu i shkollës, u vendos që në çdo datë 14 Mars, të zhvillohej veprimtaria “Pranvera Letrare” në shkollë. Për 4 vjet me radhë në këtë ditë të shënuar vinin mes mësuesve dhe nxënësve shkrimtarë e poetë, që zhvillonin takime mbresëlënëse për letërsinë dhe artet. Mehdiu kujton me respekt emrat e krijuesve Xhevahir Spahiu, Ali Aliu nga Kosova, Vasil Premçi, Viron Kona, Pano Taçi, arkitektit Zhani Canco, Çobo Skënderi, studiuesi Gëzim Tushi. Të pranishëm kanë qenë edhe shumë artistë, piktorë e humoristë… Në vitin 2002 pranë kësaj shkolle u hap edhe e mesmja profesionale e specialitetit “Mësuesi”, e cila në vitin e parë pati 120 nxënës të regjistruar. Shkolla u kthye në simbolin e shkollave, ndër më të mirat e rrethit Tiranë. Tradita e asaj fryme dhe periudhe vijon edhe sot, teksa banorë të zonës, por dhe mësues e nxënës, përmendin me respekt në bisedat e tyre se, aso kohe ishte në krye të shkollës drejtuesi i talentuar Mehdi Hoxha.
Gjithnjë, kurajoze, një personalitet që nuk jepej dhe nuk e thyente zemrën për padrejtësitë që bëheshin ndaj tij, Mehdiu ishte aktiv në jetën e shkollës dhe të familjes. I arsimuar dhe i kompletuar plotësisht si mësues me përgatitje të lartë teorike dhe përvojë, i pajisur me një sërë certifikimesh nga institucione të larta të shtetit, duke filluar nga MASH, ato të vartësisë, por dhe institucione të nivelit evropian, Mehdiu, në vitin 2005 mori iniciativën të konkurroj në MASH, për postin e Drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale të rrethit Tiranë, ku sipas dokumenteve dhe të njohura dhe nga ai vetë ishte fitues, por… Përsëri në vitin 2013, Mehdiu konkurroi për postin e Drejtorit Rajonal të Arsimit, organizuar nga MAS, por, përsëri, ndonëse fitoi…duhej të vihej dikush tjetër në atë vend pune…
4.
Një biografi e shkëlqyer që tregon për një mësues dhe drejtues model dhe të përkushtuar plotësisht drejt arsimit, që nuk i ka bërë asnjëherë bisht profesionit të nderuar për të cilin u shkollua dhe u arsimua, por që gjithë vëmendjen, përkushtimin dhe energjitë e tij i drejtoi atje në shenjtërinë e shkollave që drejtoi, të klasave, kabineteve, mjediseve shkencore, edukative, fizike, kulturore dhe artistike, në marrëdhëniet e drejta dhe komunikimin e mrekullueshëm me kolegët mësues, që si ai kryenin detyrat e tyre ndaj mësimit dhe dijes.
Që nga ajo kohë, Mehdi Hoxha, mësuesi dhe drejtori i talentuar, është vazhdimisht afër arsimit dhe probleme të tij, ndërsa për të mbijetuar merret me një biznes të vogël familjar. Gjithsesi, sytë dhe mendjen e freskët ai i mban nga arsimi, që e dëshiron aq shumë. Prej 5 vitesh, me shpenzimet e veta, Mehdiu boton gazetën “Benda”, një organ periodik i krahinës së njohur të Tiranës, Benda (zona Zall – Bastar) duke merituar kështu vëmendjen dhe respektin e veçantë të banorëve të asaj krahine, të cilës i shërben edhe sot me devocion të lartë dhe pa u kursyer.
