Petrit Brokaj
Të shtunën, më dt. 9 tetor 2019, shkolla e mesme “Ramiz Aranitasi”në Ҫorovodë, feston 60 vjetorin e saj. Në vitin 1970, kur unë fillova punë atje, menjëherë pas përfundimit të studimeve në fakultetin filologjik, ajo ishte 11 vjeçe, kurse ne që po shkonim aty si mësimdhënës, ishim 22-23 vjeçar. Nëqoftëse do të niseshim nga vitet, edhe shkolla edhe ne hynim në moshën e re. Por, më pas, mosha merr vlerësim tjetër. Ajo mbetet gjithmonë e re dhe plot vitalitet, kurse ne, tani, në këtë 60 vjetor të saj, nuk jemi më ata djelmoshat dhe vajzat e reja, por ca burra dhe gra në pension që nuk i ngjitim më shkallët e kateve të saj dy e nga dy si dikur, por një e nga një dhe duke u mbështetur te parmakët e tyre. Normale. Tek ne rëndojnë vitet. Tek ajo qarkullojnë brezat e rinj pa pushim. Por, kur flasim për kujtime, atëherë, ato te ne qëndrojnë pasuri të shumta dhe të freskëta, ku kanë brenda mallim, shumë miq e shokë, ngjarje pa fund dhe mësime që na shoqëruan aktivitetin tonë edhe kur nuk ishim më aty.
Shkolla me emrin e heroit në ballë
Jo më kot kësaj shkolle iu vu emri i Ramiz Aranitasit, një djaloshi trim dhe idealist 20 vjeçar nga Mallakastra që u vra pabesisht në malet e Skraparit. Ramizi u lind në Aranitas të Mallakastrës. Pasi mbaroi shkollën fillore të fshatit, e cila i dha formimin fillestar të karakterit të tij, që sa vjen e rritet kur Ramizi vazhdon shkollën e mesme teknike në Tiranë, në Kavajë e në Korçë. Për vitin arsimor 1939-40 shkollën teknike të Tiranës për vitin arsimor e transferuan në shkollën Bujqësore Kavajë, ku u kaloi edhe Ramizi me tre bashkënxënës.
Për vitin shkollor 1940 – 1941 u regjistrua në klasën e V “Edile” të shkollës teknike në Korçë. U arrestua pas një demonstrate dhe më pas u lirua dhe doli në mal, ku vajti në krahinën e Skraparit ku bashkëpunoi me Kahreman Yllin, Mestan Ujanikun dhe Gjin Markun, u bë pjesë e çetës së Skraparit, i së cilës u bë zëvendëskomandant dhe më pas komandant.
Më 4 nëntor 1942 prefekti i Gjirokastrës kërkonte arrestimin e familjarëve të Ramizit, sepse përflitej si vrasës i kuestorit Skënder Çami. Më 13 korrik 1943 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se Ramiz Aranitasi nga Ballshi, të cilit i detyrohej vrasja e kuestorit të Korçës, Skënder Çami, ishte pjesëtar i forcave komuniste të rebelit Xhelal Staravecka, komisar i bandave komuniste i angazhuar më pas në një bandë prej 150 vetash me shërbime policie në Mallakastër dhe Skrapar.
Më 22 qershor 1943 u vra për gjakmarrje nga xhandari Ali Kajmaku, që ishte pjesëtar i bandës së tij. Sipas oficert britanik David Smiley, Aliu e kishte vrarë për t’ia marrë Ramizit 200 stërlinat e arit që Smiley i kishte dhënë.
Një nga bijtë më të shquar të Skraparit, Kahreman Ylli, ka shkruar kështu në kujtimet e tij: “Ishte maji i vitit 1942. Ramizi dhe Sotir Gura, shoqeruar nga patrioti Asllan Osoja, që la Korçën dhe hyri në thellësi të Skraparit. Në Leshnjë për herë të parë takova Ramizin. Më përshëndeti me plotë gojën, me atë zërin e tij të qartë “Vdekje Fashizmit”, ku qëndruam 2-3 ditë. Folëm, biseduam, bëmë plane dhe takime me burrat sidomos me Avniun dhe Shaqir Kapinovën me shokët e tij. Të gjithë ishin të gatshëm për veprime. Unë u nisa për në Tomorricë, tek Hysen Zaloshnja ku vura në dijeni se do të vinin dy ilegalë, Ramizi me Sotir Gurrën. Ata u takuan me patriotin Hysen Zaloshnja dhe aty biseduan e morën vendime për të vazhduar luftën kundër armikut.
Pastaj Ramizi u nda dhe u nis drejt çetës partizane të Skraparit, pikërisht në fshatin Kuç, ku Ramizi bëri takimin e parë me bashkëfshatarët e një ideali. Aty njihet me Mestanin Skraparliun dhe Gjin Mirditorin, me të cilin u lidh përjetësisht, luftëtar e një kuadër të një epopeje mbarë kombëtare. Ramizi që në ditët e para në çetë u bë shpirti dhe zemra e partizanëve. Si partizan i thjeshtë u vlerësua nga drejtuesit e çetës partizane dhe u emërua zëvendëskomandant i çetës plakë.”
Çeta partizane e komanduar nga Ramizi u bë flamur jo vetëm në Skrapar, mbasi ajo qarkullonte në Berat, Përmët, Dangëlli, Kolonje, Mallakastër, Roskovec, Sulovë, Gramsh. Si bashkëluftëtar i tij mund të them se është nga ata komisarë që me çetën partizane për periudhën tre mujore, fund viti 1942 deri në ditët e para të majit 1943, duke kaluar sa në një rreth në tjetrin, duke kryer veprimtari të gjërë politike dhe ushtarake, duke mbajtur një qëndrim të qartë në zbatimin e direktivave të KQ të PKSH për kryerjen e aksioneve.
Në letrën që iu ka dërguar shokëve Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo në 21 prill 1943, Ramiz Aranitasi, shkruan:
“Ka tre akte që kur ka filluar lufta. Në Nivicë kanë pushkatuar 20 fshatarë. Lufta është zhvilluar në Lekdush. Krisma e baterive është dëgjuar në Kuç dhe Vernik. E kemi dëgjuar edhe ne. Nqs e lejon situata e atjeshme, për t’ua lehtësuar barrën shokëve, unë mendoj që të bëjmë ndonjë aksion atje ku ta shohim të nevojshme.
Vendosni dhe na vini në dijeni“
Përshëndetje revolucionare
Ramiz Aranitasi
Skraparllinjtë janë ndier gjithnjë krenarë që shkolla e mesme e tyre mban emrin e këtij heroi të shquar dhe idealisti të madh të Luftës sonë antifashiste Nacionalçlirimtare.
Vite të paharruara
Për mua, ato vite që punova në shkollën e mesme “Ramiz Aranitasi”, mbeten vite të paharruara dhe vite shkolle-formimi. Në atë periudhë, në Skrapar, kishte shumë kuadro nga Rrethe të tjerë. Kryesonte Vlora. Pothuajse në çdo fshat do të gjeje nga ky Rreth, mësues, agronom, ekonomistë, etj. Vetëm atë vit, në shkollën e mesme “Ramiz Aranitasi”, u emëruam; unë për gjuhën ruse, Dituri Dervishi për Histori-gjeografi dhe Fiqiri Aliaj për Letërsi. Pas një viti erdhi Viron Tato për Matematikë, Vasil Qesari për Letërsi dhe Mario Petro për edukim fizik, sepse u shtua numuri i nxënësve dhe pati edhe ndonjë transferim. Edhe te konvikti, kujdestarja ishte vlonjate. E filluam punën tërë pasion dhe larguam sadopak atë zymtësi që kishin lënë disa mësues të Rretheve të tjerë që kishin shumë vite dhe që mezi prisnin të transferoheshin.
Sot, mund të duket e pabesueshme, por ne e ndjenim shpirtërisht moton: “Të punojmë atje, ku ka nevojë Atdheu”. Mundoheshim ta mbushnim jetën me aktivitete të larmishme, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj. Shkolla “Ramiz Aranitasi” ishte qendër kulture, qendër arti, qendër sporti, qendër argëtimi, duke u bërë shembull nxitës edhe për qendrat e punës dhe institucionet e tjerë. Në atë kohë, në Ҫorovodë, kishin ardhur në kuadrin e qarkullimit, edhe disa specialistë të artit e të shtypit, ku nuk mund të harroj atë përkushtim të Fiqiri Sejdisë në gjallërimin e jetës teatrore dhe Gazetarin e njohur, Sefedin Ҫela, në ngritjen e Gazetës “Jehona e Skraparit”. Në periudhën e muajve mësimorë, Ҫorovoda gjallëronte edhe më shumë nga nxënësit që vinin edhe nga fshatrat e Rrethit. Duhet thënë se, ndihej një kujdes i veçantë për zhvillimin e jetës së Skraparit. Komitetin e Partisë e drejtonte një nga bijtë e tij, burri i nderuar dhe me shumë ambicie, Teki Malindi. Ishte meritë e tij që edhe në Komitetin Ekzekutiv punonin specialistë me shumë përvojë dhe të ardhur edhe nga Rrethet e tjerë. Mbi të gjithë, aty jetonte një popull që e donte të renë, emancipimin, zhvillimin e gjithanshëm dhe që të ngrohte me respektin për ne që nuk ishim vendas.
Në këtë periudhë, filloi dhe përfundoi godina e re e shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”. Në përurimin e saj erdhi udhëheqësi kryesor i vendit, Enver Hoxha. Ishte një ditë-feste e madhe dhe që u shënua si një nga ditët e veçanta të jetës së saj. E shoqëronte, Ministri i atëhershëm i Arsimit, Thoma Deliana. U ngjit deri në katin e dytë. Ne e prisnim pranë kabineteve tona, në korridor. Kur po vinte drejt nesh, i bëri përshtypje mosha jonë e re dhe këtë ia thotë edhe Thoma Delianës me një gëzim të veçantë. Ishte pragu i festave të Nëntorit të vitit 1972.
Një vit më pas, shoqërova nxënësit e kësaj shkolle në aksionin e hapjes së taracave në Jonufër të Vlorës. Ishte një periudhë, kur në Tiranë, sidomos në shollën “Petro Nini”, kishte një harbim në sjellje sepse, aty ishin edhe fëmijët e qeveritarëve dhe partiakëve të lartë të cilët e shfrytëzonin këtë rrethanë për të qënë të vecantë edhe në mjedise të tjerë. Këtë e provuan edhe me nxënësit skraparas, duke i provokuar me fyerje. Por një ditë morën përgjigjen e merituar!..
Problemi bëri jehonë deri në Tiranë dhe deri në zyrat e Kom. Qendror dhe në Ministrin e Arësimit. Nuk harroj kurrë sjelljen burrërore të nxënësit Spartak Sako që u rezistoi provokimeve dhe presioneve të zyrtarëve që shkonin e vinin nga Tirana në Vlorë për ta trajtuar reagimin e nxënësve të shkollës “Ramiz Aranitasi” si një akt i organizuar deri te prindërit e nxënësve të shkollës “Petro Nini”. Kjo fryrje që u kërkua të bëhej si akt politik, u “shfry” nga Hysni Kapo në Kom.Qendror të PPSH. dhe nga Teki Malindi në Skrapar. E përmenda këtë ngjarje, sepse ishte një guxim i kohës dhe këtë e bën nxënësit e Skraparit, gjithashtu për të thënë se, nxënësit e këtij brezi, të mbrujtur me karakterin e një krahine shumë patriotike, ecën në jetë, të dalluar për zotësi e cilësi të tilla që kanë merituar respekt e vlerësime të larta.
Për mua, kolektivi mësimor i shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”, ishte si një familje, ku secili plotësonte njeri-tjetrin. Më 1973, unë u transferova në qytetin tim, në Vlorë. Që nga ajo kohë kanë kaluar 46 vjet. Do më falin disa nga kolegët e mi që mund të mos ua përmend emrat, por gjurmët e jetës sonë të përbashkët, janë të pashlyeshme. Si emra, janë në kujtesën time, veç vlonjatëve që i kam përmendur më sipër, mësuesit e fizikës: korçari Pandeli Stefani dhe vendasit Agron Hasko, Xhelil Shahu dhe Tare Xhaja, mësuesit e kimisë: tiranasi Agim Hasko dhe vendasi Ҫelnik Nako, mësuesit e histori-gjeografisë: Asqeri Turhani dhe pogradecaria dhe nuse në Skrapar, Pranvera Ҫuni. Mësuesit e matematikës: Xhafer Ibro dhe Qemal Zaimi, mësuesin e letërsisë Gani Zyko, mësuesi i gjuhës ruse që më zevendësoi mua, Maliq Bregu, mësuesit e edukimit fizik: Avdyl Shkëmbi dhe Partizan Goxhaj, ushtarakët Maliq Alushani dhe Ismail Lame, drejtorin e shkollës që zevendësoi Qani Zaimin, Teki Bregu, i cili më bëntë përshtypje për një shpirt e sjellje të spikatur demokratik. Dua të veçoj edhe atë djalin nga Zagoria e Gjirokastrës, nipin e një patrioti të shquar, Ksenofon Dilo, për atë kohë të gjatë që kaloi në Skrapar dhe për devotshmërinë e tij si intelektual e qytetar në shërbim të disa breza nxënësish skraparas.
Për atë që më dha një mësim për tërë jetën.
Është Qani Zaimi. Ishte drejtor i shkollës. Një mësues me përvojë të gjatë i gjuhë-letërsisë. Ishte viti i parë i punës, pasi ishim kthyer nga kursi ushtarak për oficerë rezervistë. Shkolla e mesme dhe shkolla 8 vjeçare ishin në një ndërtesë, sepse nuk ishte bërë godina e re. Siç thashë më lartë, ne ishim të sapo dalë nga Universiteti dhe në moshë të re. Kur shoh fotografitë sot, nuk dalloj shumë nga nxënësit maturantë.
Ishte një ditë e zakonshme mësimi. Fillova orën e mësimit në një klasë paramaturë dhe pasi bëra apelin, shikoj që një nxënës në bangat e mesit nuk po ulej. I fola përsëri, por ai nuk më bindej, por më shikonte në sy me mospërfillje. Reagimi im ishte i gabuar. Drejtor Qaniu kurrë nuk ma përmendi atë veprim të gabuar nga ana ime. Dhe unë kurrë nuk ia harrova atë sjellje të tij. Jo vetëm nuk ia harrova, por e bëra mësim për tër jetën. Më ndodhi që të punoja në disa vende pune, ku pata raste të isha në rolin drejtues, jashtë sektorit mësimdhënës, siç ishte Qani Zaimi për mua. E kam përdorur shumë faljen edhe kur në disa raste meritonin ndëshkim. Dhe më ka dalë për mirë. Shumë prej tyre nuk ma kanë harruar. Dhe kur ata ma kujtojnë, para meje del gjithmonë Qani Zaimi.
***
Pra, të shtunën, më dt. 9 nëntor shkolla “Ramiz Aranitasi”, ka festë të madhe. Ngjashëm me ditën e themelimit të kësaj shkolle emër jo vetëm në Skrapar. Do jetë ditë urimesh, përgëzimesh, bilance suksesesh, apel krenarie për ish nxënësit e saj që, sot i gjen të shquar në gjithë sektorët e jetës, si pedagogë të dëgjuar, publicistë e gazetarë prestigjozë, mjekë të talentuar, juristë e biznesmenë, artistë e shkrimtarë unik, ushtarakë të zotë, mësues, agronomë, ekonomistë që i japin hov gjithë jetës së vendit të tyre, por të shquar edhe në arenën ndërkombëtare.
Të shtunën, më 9 nëntor, drejtori aktual i shkollës, Meçan Zeqo, i meriton të përjetoj atë ditë gjithë urimet më të përzemërta të atyre që do jenë aty bashkë me të dhe të atyre që nuk do të kenë mundësinë e përqafimeve të malluara. Përmes tij, urime për suksese të tjerë gjithë kolektivit mësues-nxënës të shkollës “Ramiz Aranitasi”.

Nje shkrim korrekt ! Ka vetem nje gabim. Jo ishte pragu i festave te vitit 1972,por i vitit 1971. Ate vit shkollor une isha me detyren e udheheqsit te pionierve ne shkollen tetevjecare ” Karehman Ylli” Te gjithe trupen pedgogjike te shkolles se mesme e kam njohur,madje disa i kam patur dhe shoke te ngushte. Shkolla e mesme ” Ramiz Aranitasi” ishte model ne te gjitha drejtimet. Nga ajo shkolle kane dale nxenes te shkelqyer. Mesuesit e ardhur nga rrethet u bene djemte, vellezerit e motrat tona. Kudo respektoheshin ,sepse i respektonte edukata e kultura e tyre e mbi te gjitha puna e tyre ne frontin e mesimit dhe edukimit. Respekte Petrit ! Gezuar festen e 60 vjetorit te shkolles se mesme “Ramiz Araniti” skraparlinj ! Respekte e paci vetem gezime te gjithe Ju mesuesit e kesaj shkolle kudo qe ndodheni ! Gezuar edhe Ju mesuesit e kesaj shkolle te ardhur nga rrethet e tjera qe punuate me aq perkushtim edhe pse larg familjeve tuaja ! Gezofshi shendet te plote !
Gjimnazistet e Petro Ninit ishin avangarda e Europianizimit te Rinise shqiptare.E kam fjalen per vitet 71-72-73
Te gjithe djem e vajza blloku ishin.
Por nuk ishin skllever te Dogmes.
Me vjen keq per ju o Petrit,qe jeni ndjere mes tyre,si dhite ne Diskoteke.