Ata janë liderë dhe pushtetarë ‘të fortë’, zotër të politikës aktuale kosovare, por jo rrallë edhe të kritikuar. Ndonjëherë për të folurit, ndonjëherë për lëshimet që bëjnë, e ndonjëherë edhe për mungesën e të shkuarës së një politikani të mirëfilltë. Në faqet zyrtare të institucioneve që udhëheqin, biografia e tyre del e mangët, por në raste, e mbushur edhe me patetizëm. Pas largimit të dhunshëm të studentëve dhe mësimdhënësve nga objektet universitare, ai punon për ngritjen dhe strukturimin e arsimit universitar. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1993, kryeministri Hashim Thaçi me sukses të lartë i përfundon studimet në Degën e Historisë. Të tilla informacione, dhe fakti se në vitin 1991 Thaçi zgjidhet prorektor student i Universitetit të Prishtinës janë disa nga pak pikat në fushën e edukimit që figurojnë në biografinë e kryeministrit në web-faqen e vetë kryeministrisë së Kosovës. Thaçi flet gjuhën angleze e gjermane, thuhet midis rreshtash biografie, edhe pse të parën e kanë kritikuar në shumë prej paraqitjeve të tij. Pa i mbushur të tridhjetat, në vitin 1996, në Universitetin e Zyrihut, Thaçi ka ndjekur studimet postdiplomike në Historinë e Evropës Juglindore dhe shkencave politike, ndërsa prej vitit 1999 ai ka afirmuar e mbrojtur çështjen e Kosovës me ligjërata e fjalime, në dhjetëra universitete e institute prestigjioze të vendeve perëndimore, shkruhet në biografinë e kryeministrit të Kosovës. Në një konferencë në Bërdo të Sllovenisë, fjala “tani” e shqipes e që në anglisht shkruhet “now”, në gojën e Thaçit thuhet “nou” e jo “nau” siç do të ishte e thënë mend. “Vellkom”, “vellkomd”, “apreshiejt”, “az zun az posibëll” janë një tjetër produkt i anglishtes speciale të Thaçit, edhe pse për ata që do të mund ta kenë studiuar e doktoruar gjuhën angleze më mirë se kaq, e dinë sigurt se gjuha angleze e qarqeve ndërkombëtare është e shqiptuar më ndryshe, jo si stili i Thaçit. Të tjerat atribute të kryeministrit Thaçi lidhen me UÇK-në, luftën e krijimin e shtetit.
Faqja elektronike e Presidencës së vendit nis me fotografinë e kryesueses. E lindur në Rashkoc të Gjakovës, Jahjaga është shtatë vite më e re se Thaçi. Dikur zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Kosovës, shkollën fillore, gjimnazin, ndërsa studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë, në vitin 2000. Në web faqen e saj, sikur edhe të Thaçit, nuk shkruhet për ndonjë botim konkret të tyre. Ajo e di edhe serbishten, pos gjuhës angleze. Duartrokitja e saj në ceremoninë e sjelljes së eshtrave të mbretit Zog megjithatë nuk u ka pëlqyer shumë njerëzve, po aq sa edhe gabimet e saj në të folur, për dallim nga Thaçi jo në gjuhën angleze. “Gjeneral, parada le t’ja fillon” e “fizibliteti” janë të tjera dështime që presidentja ka bërë në paraqitjet e saj në gjuhën amtare. Aktualisht, Atifete Jahjaga vazhdon studimet e magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka dy certifikime postdiplomike, një në Leicester dhe një në Universitetin e Virginias në ShBA.
Komuna e Prishtinës në web-faqen e saj ka përshkruar në vija të holla shefin e saj, kryetarin Isa Mustafa. Ai ka kryer edukimin fillor dhe të mesëm në kryeqytet, njëjtë edhe Fakultetin Ekonomik. Ka magjistruar në shkencat organizative – Menaxhmenti Financiar dhe ka doktoruar në ekonomi në fushën e Lidershipit të ekonomisë, vazhdon web-faqja. Mustafa ka raste jo të rralla kur edhe mungon në ligjëratat e Fakultetit Ekonomik, aty ku mes tjerash ligjëron lëndën e Mikroekonomisë.
Behgjet Pacolli duket të këtë një biografi më laramane. Pos gjuhës shqipe, në njërën nga faqet e shumta elektronike që ai posedon e që jo pak mbajnë mbiemrin e tij (pacollimabetex.com, pacollidiamond.com, pacollikosovo.com, pacolliafghanistan.com), Pacolli thuhet se flet anglishten, frëngjishten, gjuhën serbe, gjermanishten, rusishten, spanjishten, gjuhën italiane e atë serbo-kroate. Së paku, për të i kemi të ditura disa botime, midis tyre autobiografinë “Nga sfida në sfidë, Jeta Behgjet Pacolli”, kjo në vitin 2010. Megjithatë publikimet e tjera nga sfera socio-ekonomike, politike e kulturore nuk figurojnë, edhe pse thuhet të ekzistojnë. Mes të tjerash, në biografi shkruhet se Pacolli është sponsorizues i sportit e kulturës në Kosovë. Edukimin fillestar, Pacolli e ka marrë në fshatin Marec, të mesmin në Prishtinë ndërsa të lartin e ka kryer në Gjermani, e specializimin më pas në Institutin Mosinger në Zyrih, në fushën e menaxhmentit dhe marketingut.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka një jetë të tërë në arsim. Ai ka mbaruar studimet në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik-dega Histori, më pas për t’u futur në punën e pedagogut. Më herët, me fillim vitet e 70-ta ai ka qenë arsimtar në Arllat, Drenas e Skënderaj. Në vitin 2010 ai ka botuar librin “Kthesa e madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, më pas edhe me botime të tjera si “Pavarësia si kompromis”, “Guxo ta duash lirinë” dhe “Flijimi për lirinë”, ndër librat tjerë të botuar.
Albin Kurti shkollimin fillor dhe atë të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa studimet në vitin 1993 i ka filluar në Fakultetin e Elektros në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë edhe folës i TEDxVienna, para dy vitesh. Sipas disa web-faqeve, në vitin 1999 ai ka punuar si përkthyes në zyrën e asokohe përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçit.
Ministri Memli Krasniqi dikur ka kënduar për të qenit “high”, në mbrojtje të kryeqytetit nga mospërhapja e degjenerimeve si homoseksualizmi. Vargjet “Politikanët që haber nuk kanë, që ia majnë vetes nalt e punojnë hiç pa plan” ose “intelektualët me fakulteta, që për asgjë nuk ju duhen diplomat e veta, veç ata e dinë si i kanë fitu ato grada, me 30 vjet janë shku nëpër absolventiada” kanë qenë trendi i kohës kur dyshja me tekste sulmonte politikë e çdo gjë tjetër. Kështu thonë disa prej këngëve të tij të vjetra, në kohën kur “Ritmi i Rrugës”, ishte i rrugës e merrej edhe me ushtarë të tillë, të rrugës. Ky ministër, ka kryer shkollimin fillor në shkollën “Hasan Prishtina” dhe atë të mesëm në Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike. Ka punuar edhe si gazetar, derisa iu hodh politikës. / Gazeta “Zëri”