Gjykatësi i Apelit të Tiranës Fatos Qato nuk ia doli të justifikonte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shpenzime në vlerë 5.4 milion lekë.
Vendimi i zbardhur i KPK tregon se kjo vlerë që ishte përdorur për të shkolluar dy vajzat në Hollandë, djalin në një shkollë private në Tiranë, operacionet në zemër të gjykatësit dhe arredimin e shtëpisë nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme.
Në vendim rezulton se KPK nuk ka njohur si të ardhura të ligjshme, të ardhurat nga qiraja pasi për to nuk ishin paguar tatimet, por nga ana tjetër për një sërë vitesh nuk i llogariti gjykatësit dhe familjes së tij shpenzime jetese. Si shkelje gjykatësit iu konsiderua edhe mosdeklarimi vjetor dhe në “Deklaratën Veting” i shpenzimeve më shumë se 300 mijë lekë.
Komisioni, i kryesuar në këtë gjykim prej Valbona Sanxhaktarit, me Brunilda Bekteshin relatore dhe Suela Zhegun anëtare, mbylli hetimet për Qaton vetëm për kriterin e pasurisë. Qato i cili kishte filluar punë në sistemin e drejtësisë në vitin 1986 si hetues në Hetuesinë e Tiranës dhe për më shumë se 15 vjet ishte gjykatës i Gjykatës së Apelit të Tiranës, u shkarkua nga Komisioni.
Gjyqtari pretendoi llogaritje të gabura të KPK-së dhe kërkoi njohje të të ardhurave dhe një shpërndarje më të madhe në kohë të shpenzimeve, por argumentet e tij u cilësuan jo bindëse, ndërsa Komisioni arsyetoi se Qato: “Nuk arriti një nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë”.
k.a. / dita

Pasurite dalin te paligjshme, por paligjshmeria nuk denohet, por thjesht lirohet nga pergjegjesite