Shkon në gjykatë dosja për Bashkinë e Pogradecit

anazapta

Task-Forca e Prokurorisë mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen në ngarkim të zyrtarëve të Bashkisë së Pogradecit, për shpërdorim detyre në lidhje me lejet e ndërtimit, tenderë dhe veprime të tjera të dyshuara. Pas rreth një viti hetimesh, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte dërguar për kallëzim penal më 1 janar 2013 dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kjo e fundit ia referoi Task-Forcës, është vendosur që procedimi të kalohet në Gjykatën e Pogradecit. Lajmi konfirmohet nga institucioni i akuzës, por nuk jepen detaje të hollësishme në lidhje me situatën penale të zyrtarëve.

 

Dosja penale

Mësohet se dosja është dorëzuar nëpërmjet Prokurorisë së Pogradecit në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe aty do kryhen veprimet për regjistrim dhe hedhje shorti për gjyqtarin që do caktohet. Gjykimi i zyrtarëve do të kryhet në gjendje të lirë në lidhje me akuzën “shpërdorim detyre”. Në kallëzimin e KLSH-së para një viti, mes të denoncuarve ishte edhe kryebashkiaku Artan Shkëmbi, por në dosjen e dërguar për gjykim nuk konfirmohet nëse ai do të jetë nën proces gjykimi si i akuzuar. Por bëhet me dije se të paktën 4 vartës të tij, nënkryetarë dhe drejtorë, janë nën akuzë për shpërdorim detyre. Përveç Shkëmbit, KLSH denoncoi për dëmin ekonomik rreth 50 milionë lekë dhe lejet e ndërtimit, nënkryetarin Erjon Vesho, aktualisht drejtor i Ujësjellësit Pogradec, ish-shefi i Zyrës së Urbanistikës, Paskalino Ziko, aktualisht nënkryetar i Bashkisë, Emel Marjanin, drejtor i Zyrës së Shërbimeve dhe një zyrtar i katërt, aktualisht drejtor i zyrës për mbrojtjen e liqenit. U kërkua procedim edhe për 5 zyrtarë të tjerë, në nivel specialisti zyre dhe masa administrative për punonjës të tjerë.

 

Kallëzimi i KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka kryer disa audite ekonomike në Bashkinë e Pogradecit. I fundit më 31 gusht 2012 dhe i përfunduar në dhjetor, kurse më 1 janar 2013 është dërguar kallëzimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Nën akuzë ishte kryebashkiaku Artan Shkëmbi dhe 10 zyrtarë të lartë dhe punonjës zyre të institucionit, për shkelje të rënda të barazisë së tenderëve, shpërdorim detyre dhe për lejet e ndërtimit. Nën akuzë u morën dy nënkryetarët, kreu i Urbanistikës si dhe specialistët. Prokuroria e Përgjithshme ia kaloi Task-Forcës si dosje për verifikim nëse kishte elementë të veprës penale.

 

Shkeljet e konstatuara

Bëhej fjalë për dhënien e lejeve në zonën e qendrës së qytetit, sheshe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit, të miratuar në KRRTRSH, veprime këto të kryera në kundërshtim me ligjin “Për Urbanistikën” dhe “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”. Gjithashtu studimet Urbanistike Pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike, dhënie leje ndërtimi për pistë, të shfrytëzueshme në pronë publike (liqen). Janë konstatuar shkelje e barazisë në tenderë publik, si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i stadiumit dhe ambienteve rreth tij”, për të cilin është skualifikuar pa të drejtë ofertuesi me ofertën ekonomike më të vogël, në vlerën 3,429,652 lekë,  dhe prokurimi në kundërshtim me ligjin për tenderin me objekt “Rikonstruksioni i Shëtitores 10 Dëshmorët e Pojskës”. Shkelje janë gjetur në kontratat e qirave për ambiente të institucioneve, nënshkrimi i kontratave për institucione të treta dhe në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, si në rastin për kontratën e marrjes me qira ambiente ndërtese dhe oborre të fondacionit “EDU-PRO”, themelues i të cilit është titullari i institucionit, kryetari i Bashkisë. Dëmi ekonomik në total nga këto veprimtari kap vlerën 46,4 milionë lekë.

 

Shkëmbi: Akuzat e KLSH nuk qëndrojnë, nuk i jap unë lejet e ndërtimit

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, ka reaguar pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në dëm të tij dhe institucionit për abuzimet me lejet e ndërtimit, tenderët dhe shkelje të tjera ligjore të denoncuara në prokurori. Artan Shkëmbi theksoi se kallëzimi është bërë si “dhuratë për Vitin e Ri” ndaj bashkisë dhe atij personalisht, duke vepruar në kundërshtim me ligjin. “Denoncimi u përcoll me urgjencë natën e Vitit të Ri, kur të gjithë festonin. Ndërsa KLSH bëri një kontroll mbi po ato raporte e dokumente që i kishte kontrolluar një herë vetë apo ish-kryetarët e këtij institucioni. Gjithsesi dua të sqaroj se nuk ka shkelje as në leje dhe as në tenderë. Nuk ka as konflikte interesi dhe as abuzime. Kryetari i bashkisë nuk jep leje ndërtimi, por jep KRRT-ja, nuk cakton ndërtime publike, pasi janë bërë me VKM”, theksoi Shkëmbi ndër të tjera. Ai ka bërë observacione si në KLSH, por edhe në organin e akuzës, duke dhënë sqarime bashkë me zyrtarët e tjerë të denoncuar. Kryebashkiaku mohoi të gjitha akuzat më 6 janar, duke shtuar se sulmi është politik dhe i qëllimshëm.

 

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Jo me shume se njeqind metra larg nga liqeni qyteti te jep pamjen e Kandaharit ne luftime ne kohe vere nga pluhuri I madh I trajlave ,fugonave dhe zhurmes gjemuese tek axhensia e caktuar si e tille qysh me 1960ten. Ne vend qe aty te ish nje pedonale me gjelberim peme e lule ku jo vetem banoret e asaj lagje por edhe te ardhurit e shumte per te pushuar ta ndjejne bukurine e pastertine e qytetit me te bukurin ne bote Pogradecit jo vetem anes liqenit.per te mos folur per mjerimin e mureve te pallateve nene rruge ,te rruges se unazes ne Gorice ,rruga e Verdoves,pale pastaj hapesirat mes pallateve ku u mbollen pafund pallate dhe dalngadale qyteti po tjersohet a thua se nuk je me ne Pogradecin Nostalgjik.
    Ajo qe po I behet Pogradecit nuk eshte gje tjeter vecse Babazi barbaresh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *