Kryeministri Berisha bën mirë që të jetë më i përmbajtur kur flet. Është pasojë e mënyrës si e kupton ai të bërit politikë, përçarja e madhe që po ravijëzohet sërish mes shqiptarëve. I ndërsen njerëzit e dobët duke i manipuluar me këto “bëra rruga e tunele”. E para, rrugët të bëhen. Por rrugët të bëhen me aq para sa kushtojnë. Që paratë e tjera të shkojnë në shkolla e në kopshte që të rrisim fëmijët tanë, si fëmijë të lumtur e jo ti marrim përdore t’i cojmë nëpër mitingjet e Berishës.
E dyta, Berisha nuk po i bën rrugët me paratë e veta që të dal të rrah gjoksin e ti thotë vetes “Skënderbeu” apo idiotësi të tilla që dëgjojmë shpesh këto kohë.
Rruga bëhet me para taksapaguesish dhe me borxhe të mëdha që po i marrim dhe që do ti paguajmë, ndaj cdo dyshim sado i vogël për shpërdorim, duhet sqaruar mirë.
Le ti lemë njëherë të vetme të paktën ne shqiptarët këtu “poshtë” grindjet e kota që u interesojnë atyre shqiptarëve atje “lart” për të mbajtur pushtetin.
Unë vetë jam nga Saranda, merrem me tregti të vogël. Paguaj taksa muaj për muaj, aq sa më shemb shpirti. Dua që ato para të shkojnë atje ku duhet. Por, vëllezër, pushtetarët, ministrat, kryeministrat janë njerëz që duhet të japin llogari për ato që bëjnë. Ndaj nuk bëjnë gabim ata që kërkojnë llogari. Të kërkojnë një më një dhe Berisha i pari është i detyruar të hapë kamaren dhe të përgjigjet. Unë këtë mendim kam. Shkopi e nxjerr koqen nga kalliri, – themi ne këtej nga anët tona.
Letër e nënshkruar: Eduard Aleksi
