Rreth 2 mijë vende të lira pune janë njoftuar nga sektori privat përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Profesionet janë nga më të ndryshimet si rrobaqepës, kuzhinier, inxhinier, ekonomist, agjent shitje apo edhe gazetar. Por në një kohë që sektori privat ka nevojë për punonjës të rinj, nuk mund të themi të njëjtën gjë për administratën publike, e cila për vitin 2015 ka shkurtuar 1400 persona. Megjithatë shkurtimet kanë prekur disa ministri dhe institucione publike, ndërsa vetë Kryeministria e ka rritur numrin e punonjësve.
Administrata publike
Më e penalizuar rezulton të jetë Ministria e Arsimit me 662 punonjës më pak në krahasim me vitin 2014. Por janë disa institucione për të cilat është rritur numri i punonjësve. Konkretisht Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mirëqenies Sociale kanë numrin më madh të punonjësve. Ajo çka vihet re gjatë këtij viti është se edhe vetë Kryeministria e ka shtuar numrin e punonjësve me 66 vende të reja. Këto të dhëna janë grumbulluar nga një hulumtim i Open Data Albania e cila ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e të punësuarve në institucionet buxhetore për vitin 2015. Të dhënat janë marrë nga tabelat shoqëruese të ligjit për buxhetin e shtetit 2015.
Tkurrja e administratës
Në tërësi numri i punonjësve buxhetorë ka pësuar tkurrje të vazhdueshme përgjatë viteve 2011-2014; ndërsa në ligjin Nr.160/2014 për buxhetin e vitit 2015 parashikohet një rritje e numrit të punonjësve buxhetorë. Në vitin 2014, në institucionet buxhetore punonin 86 350 punonjës, ndërsa në vitin 2015 janë miratuar 2200 (dy mijë e dyqind) punonjës më shumë, duke arritur numrin prej 88 550 punonjësish. Nëse do ta krahasonim me vitet e kaluara, vëmë re që numri i punonjësve i vitit 2015 është pothuajse i njëjtë me numrin e punonjësve buxhetorë në vitin 2012, me një diferencë prej 90 punonjës më shumë në vitin 2012.
Punësimet më të larta
Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2015 janë Ministria e Brendshme, Mirëqenies Sociale. Pavarësisht se kemi një rënie të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 43.28% të totalit. “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve me 1386 punonjës. Shtesa e të punësuarve buxhetorë nën vartësi të kësaj ministrie lidhet me faktin që Arsimi Profesional dhe shkolla të këtij profili tashmë do të kalojnë në vartësi të Ministrisë që mbulon çështje të Rinisë. Pas saj vjen Ministria e Brendshme me 1083 punonjës më shumë; Ministria e Drejtësisë me 428 punonjës më shumë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit me 185 punonjës më shumë në vitin 2015,” thuhet në studim. “Numri i punonjësve pranë Këshillit të Ministrave ka qëndruar i pandryshuar në vitet 2011 e deri në vitin 2013. Në vitin 2014 ky institucion pësoi një rritje me rreth 26% të numrit të punonjësve krahasuar me një vit më parë, duke shtuar kështu 33 vende të reja pune. Për vitin 2015 parashikohet një rritje me 66 punonjës të rinj,” thuhet më tej në hulumtim.
Shkurtimet
Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit. Kjo shifër ka ngelur konstante për të 5 vitet e shqyrtuara. Po të krahasojmë vlerat në vitin 2014 dhe 2015, do të shohim se ka tkurrje të punonjësve Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministria e Financave; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Punëve të Jashtme; Ministria e Mbrojtjes; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare. Nga tkurrja e numrit të punonjësve preken më shumë Ministria e Arsimit dhe Sportit me 662 punonjës më pak, dhe Ministria e Mbrojtjes me 499 punonjës më pak. Sipas ODA-s Ministria e Arsimit dhe Sportit ka pësuar tkurrjen më të madhe të numrit të punonjësve për vitin 2015. Nëse do ta krahasonim me vitet e mëparshme na rezulton si viti me numrin më të ulët të punonjësve për këtë institucion. Ndërsa Ministria e Brendshme është ndër institucionet që do të ketë 1083 punonjës të rinj për vitin 2015.
