KQZ i ka dërguar dje një shkresë Kuvendit për të përmbyllur procedurën e ndarjes së mandatave për zgjedhjet e 23 qershorit. Bashkangjitur me shkresën që mban firmën e sekretares së Përgjithshme ndodhet dhe përllogaritja e mandateve sipas vitit 2009
Komisioni Qendror i Zgjedhje i ka përcjellë ditën e djeshme një shkresë Kuvendit për ndarjen e mandateve. Burime nga KQZ për gazetën DITA bëjnë me dije se në shkrese shpjegohet nga procedura e ndjekur nga KQZ sipas neneve 75 dhe 76 te Kodit Zgjedhor, për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e vitit 2013. Në këtë shkresë, jepen edhe vlerësime apo konsiderata lidhur me vendimmarrjen e KQZ, në datën 23 nëntor 2012, miratimin apo jo të ndarjes së mandateve prej saj etj. Sipas shkresës, përcjellja e këtij informacioni në Kuvend bëhet me qëllim informimin por edhe për përmbylljen prej tij të procedurave të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, pra miratimin e ndarjes së mandateve.
Shkresa
Ajo çfarë është e rëndësishme të përmendet gjithashtu për këtë shkresë, është bashkëlidhja që i është vendosur asaj: “Vendimi i KQZ për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009″?!.
Për më tepër shkresa që i drejtohet Kuvendit, është firmosur nga Sekretarja e Përgjithshme e KQZ, nëpunësi civil më i lartë i administratës së KQZ, dhe jo nga Kryetarja e KQZ e cila sipas Kodit Zgjedhor (nenit 20) përfaqëson KQZ-në në marrëdhënie me institucionet e tjera. Duhet theksuar se po sipas Kodit, kjo kompetencë e Kryetares së KQZ ushtrohet bashkërisht me Zëvendëskryetarin e saj. Nxjerrja e kësaj shkrese në këtë mënyrë, tregon se kemi një veprim në fshehtësi ndaj anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga partitë e opozitës, dhe në favor të pushtetit dhe qeverisë, Kryetarja dhe administrata e KQZ. Kryetarja dhe administrata e saj dhe e pushtetit, kanë për qëllim vënien në jetë të një plan ogurzi për fitimin e zgjedhjeve në tavolinë, plan i cili po përgatitet dhe ndoshta do të votohet nga mazhoranca në Kuvend, për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e vitit 2013.”
Tre pyetje për KQZ-në
Pyetjet që natyrshëm lindin pasi njihesh me përmbajtjen e kësaj shkrese janë:
1. Çfarë skenari antikushtetues dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, po përgatit këtë radhë mazhoranca, partia në pushtet, lidhur me “mandatet” për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, instrumentin më të rëndësishëm për përfaqësimin e popullit, instrumentin nëpërmjet të cilit ai ushtron sovranitetin e tij? Përse kësaj shkrese i bashkëlidhet një vendim i KQZ-së i vitit 2009, nëse llogaritja për ndarjen e mandateve sipas Kodit Zgjedhor, mbështetet në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që është 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, pra në numrin e popullsisë së nëntorit të vitit 2012?
2. Përse KQZ-ja, po anashkalohet dhe nuk po e rimerr përsëri këtë çështje në shqyrtim (pasi nuk e miratoi atë në nëntor të vitit 2012), për një vendimmarrje në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor, por edhe në ushtrim të kompetencës së saj ligjore, me qëllim propozimin në Kuvend të ndarjes së mandateve për zgjedhjet e vitit 2013?
3. Cila është arsyeja që kjo shkresë në Kuvend, në mënyrë të kundërligjshme, nuk është përcjellë nëpërmjet Kryetares dhe Zëvendëskryetarit të KQZ, ashtu siç edhe parashikon Kodi Zgjedhor, por nëpërmjet nëpunëses më të lartë civile të administratës së KQZ, asaj administrate që duhet të veprojë në përputhje me ligjin, e depolitizuar dhe paanshme në mbështetje të veprimtarisë së KQZ?