Franc Bekenbauer dhe Josep Blater janë përsëri miq. Dy figurat e rëndësishme të futbollit botëror, njëri shefi i FIFA-s dhe tjetri një legjendë e Gjermanisë janë takuar mes tyre në Zvicër, duke i dhënë kështu fund “luftës së ftohtë”. Gati dy muaj pas pezullimit të Bekenbauerit nga çdo funksion në FIFA – atij iu pengua dhe pjesëmarrja në kampionatin botëror në Brazil – kaizeri gjerman dhe presidenti i FIFA-s janë takuar duke lënë hatërmbetjet. Lajmi është bërë me dije nga “Sky” që ka kontaktuar dhe me vetë Franc Bekernbauerin. Ai ka sqaruar gjithçka në lidhje me dënimin e tij që kishte vënë në krizë marrëdhëniet me shefin e tij Blater. “janë krijuar disa rrethana të pafavorshme që kanë çuar në pezullimin tim. Por tani gjithçka është kapitull i mbyllur dhe kemi folur si miq mes nesh” ka thënë Bekenbauer për “Bild” dhe “Sky”. Më pas Bekenbauer ka vijuar: “Nuk ka qenë një moment i mirë, ka qenë dhimbshme që nuk munda të isha në Brazil. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se bëjmë dhe gabime, edhe unë kam bërë gabim, që kam nënvlerësuar situatën. Nëse do të më duhet ta plotësoj atë pyetësor do ta bëja, por nuk e kam bërë sepse mendoja se nuk duhej bërë duke qenë se nuk kisha asnjë funksion në FIFA. Edhe tani mendoj se vendimi për të pezulluar nuk ishte i drejtë. Dhe në fakt Komisioni i Etikës më ka dhënë të drejtë pasi e ka hequr pezullimin. Bekenbauer u pezullua nga çdo aktivitet i FIFA-s për 3 muaj sepse refuzoi të plotësonte një pyetësor që kishte të bënte me hetimet për votimin e organizimit të kampionatit botëror të vitit 2022 në Katar.
