Qeverisja e re në vitin 2013 e nisi me një barrë të rëndë detyrimesh për sipërmarrjen, detyrime të krijuara që nga viti 2005. Ajo i njohu këto detyrime duke marrë dhe borxh nga institucionet ndërkombëtare financiare për t’i paguar ato. Shlyerja e tyre shihej si një mundësi e mirë për të marrë frymë tregu, për të rritur likuiditetin dhe ulur kreditë me probleme. Për vitin 2014 nga 35 miliardët e parashikuara për shlyerje detyrimesh janë realizuar 93 për qind e tyre. Ecurinë më të dobët e ka pasur shlyerja e borxheve ndaj kategorisë së investimeve publike. Nga 10 miliardë lekë të planifikuara janë shlyer 9.2 miliardë lekë. Gjithashtu fondi i vënë në dispozicion për kontratat e mallrave dhe shërbimeve u realizua me 93 % ose rreth 500 milionë lekë më pak se plani. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave janë shlyer thuajse të gjitha detyrimet e mbartura nga mos rimbursimi i TVSH. Nga 12.9 miliardë lekë të planifikuara u shlyen 12.8 miliardë lekë. Ecuri më të dobët ka pasur shlyerja e detyrimeve për vendimet gjyqësore, shpronësimet dhe pagesat për aftësinë e kufizuar, me një realizim 84 për qind të planifikimit. Sipas Ministrisë së Financave ka dy arsye që kanë ndikuar në mosdisbursimin e krejt shumës së vënë në dispozicion. E para lidhet me një pezullim të shlyerjes së faturave për shkak të auditimit që ju bë procesit dhe e dyta lidhet me burokracinë e institucioneve përgjegjëse për të çelur vlerat e vëna në dispozicion nga thesari. Këtë vit janë planifikuar të shlyhen 20 miliardë lekë detyrime të mbartura, shuma e cila është sa 1.3 % e PBB-së. Nga ana tjetër Ministria e Financave është angazhuar të zhvillojë sondazhe çdo tre muaj te ministritë kryesore, nëse ka detyrime financiare të krijuara rishtas dhe të papaguara në kohë, për të përcaktuar pagesat e reja të kërkueshme që rrjedhin nga faturat ose pretendimet e marra pas datës 1 janar 2015.
Fatura që gjeti qeveria e re, 72 miliardë lekë
Qeverisja e majtë gjeti një faturë financiare për të paguar rreth 72 miliardë lekë. Pasi e njohu këtë detyrim krijoi një mënyrë të qartë se si do të bëhen këto pagesa deri në vitin 2016. Kështu në vitin 2014 qeveria duhej të paguante rreth 35 miliardë lekë, këtë vit 20 miliardë dhe në vitin 2016, 17.57 miliardë lekë, duke zeruar në këtë mënyrë detyrimet e qeverisë ndaj biznesit. E gjithë vlera e detyrimit përbën rreth 5.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe për vitin 2014 ishte parashikuar të shlyhej thuajse gjysma e këtij detyrimi. Strategjia e shlyerjes së detyrimeve e hartuar nga Ministria e Financave kishte parashikuar të gjithë zërat që nga nisja e procesit të verifikimit të detyrimeve në shtator 2013 e deri në momentin e shlyerjes së këtyre detyrimeve. Fillimisht në muajin tetor 2013 u kontraktua një shoqëri e pavarur për të ndërmarrë një proces kontrolli dhe për të nxjerrë gjendjen përfundimtare në lidhje me kontratat qeveritare të pashlyera deri në fund të gushtit 2013. Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qendrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve të cilat kërkojnë kontrolle të mëtejshme, u vlerësuan në 24.6 miliardë lekë. Detyrime të prapambetura u identifikuan dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH dhe tatim fitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore.
Si po ecet me radhën e pagesave?
Radha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara ndjek parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar. Pagesat kanë filluar të kryhen nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSH apo Tatim Fitimit. Radha e pagesës ndryshon vetëm nëse ka parregullsi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme. Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin është kryer që gjatë vitit 2014.
Si kryhen pagesat?
Pagesat për subjektet kontraktore bëhen pas njoftimit zyrtar nga DPT dhe DPD për detyrimet tatimore si dhe aprovimit të listës analitike nga KDP. Të gjitha pagesat kryhen nëpërmjet sistemit të thesarit me transfertë të vlerës totale të detyrimit në llogarinë bankare të subjektit/individit. Në rastet kur subjekti tatimpagues figuron me detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, pagesa kryhet nga thesari për totalin e detyrimit financiar të prapambetur duke përdorur një nga këto dy mënyra:
- Pas dhënies së garancisë bankare për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga ana e subjektit tatimpagues;
- Transfertë në një llogari bankare escrow kundrejt konsensusit për shlyerjen e detyrimeve tatimore, të shprehur me një marrëveshjeje midis Ministrisë së Financave, subjektit tatimpagues dhe bankës së nivelit të dytë ku ka llogarinë subjekti.
