Uesli Shnajder ka paralajmëruar Real Madrid se nuk do ta ketë aspak të lehtë kundër Gallatasarajit në Ligën e Kampioneve dhe se madrilenët nuk duhej kurrsesi të nënvlerësonin ekipin turk. Këto fjalë të mesfushorit holandez erdhën pasi pa për herë të parë që nga viti 2010, ish-trajnerin e tij te Interi, Zhoze Murinjon.
Trajneri i Real Madrid i ktheu vizitën e kortezisë Gallatasarajit, vetëm një ditë pasi Fatih Terim vëzhgoi skuadrën e tij në fitoren 5-2 ndaj Majorkës. Ai u shfaq në stadiumin e Kaiserisporit bashkë me djalin e tij për të ndjekur ndeshjen e ekipit turk që ka si kundërshtar në çerekfinalet e turneut, ndërsa pa se si Shnajder shënoi që në minutën e 3-të në suksesin 3-1.
“Ishte diçka fantastike ta shihja përsëri. Hera e fundit që jam takuar me të është në finalen e Ligës së Kampioneve të luajtur në vitin 2010, atë të fituar kundër Bajern Mynih. Kjo ishte hera e fundit që jam takuar me të dhe ishte një moment i veçantë që erdhi të na takonte tani. Jam shumë i lumtur për një gjë të tillë, pasi ia kam kaluar në mënyrë të shkëlqyer kur stërvitesha nga ai. Por unë thjesht po i dërgoj një mesazh se kur ai është rreth e rrotull, duhet të jetë i kujdesshëm, pasi unë shënoj gjithmonë”, ishte batuta e Shnajder.
Nëse Shnajder përshëndeti nga larg trajnerin portugez kur e pikasi në tribunën e stadiumit, Fatih Terim vendosi ta respektonte deri në fund homologun e tij, pasi shkoi ta takonte duke shkëmbyer një sërë përqafimesh shumë miqësore me portugezin./lajmeshqip