Shoku ynë Zylo mbushi 70…

DITA Online

 

Xhevdet Shehu

Sot më 8 qershor, kolegu dhe shoku ynë Zylyftar Hoxha mbush 70 vjet. Është një përvjetor që na jep rastin t’i urojmë Zylos jetë të gjatë dhe krijimtari të mëtejshme. Në të vërtetë, Zyloja nuk ta jep përshtypjen për një 70-vjeçar, falë vitalitetit dhe energjive që ai i shpërfaq në jetën e tij të përditshme. Kjo për shkak të jetës intensive që ka bërë dhe të një vullneti të admirueshëm, sidomos në fushën e gazetarisë ku ai ka spikatur.

Pardje atij iu organizua me rastin e ditëlindjes një veprimtari mbresëlënëse në Durrës. E organizuan miqtë dhe shokët e tij skraparllinj. Zylyftari, me modestinë që e karakterizon, ndihej sikur ishte borxhli ndaj gjithë atyre që e kishin organizuar festën. Por ja që e bënë këtë skraparlinjë e Zylos dhe ai u dorëzua para tyre. Ai s’ka nevojë për dekorata, sepse kush i ka merituar ato, s’i nevojiten. I tillë është Zyloja, i cili na përgatit çdo fundjavë faqet mero-enciklopedi në DITA. Me personalitete të kulturës kombëtare, me shpërfaqjen e një Shqipërie ndryshe, me bukuritë e trevave dhe ngjarjet kulmore të historisë sonë kombëtare. Mbi të gjitha ai ka një dashuri të pakufishme për Skraparin, për Tomorrin dhe nahijen e Beratit. Këto ai i shpreh krejtësisht natyrshëm në shkrimet e tij. Përjetimet e tij përmes vëzhgimit të mprehtë e të detajuar, kanë lënë gjurmë, kanë ngjyrosur brendinë e tij. Pastaj, shpirti fillon të flasë përmes fjalëve. Pikërisht këtu mund të gjurmoni mitin personal të autorit, boshtin e tij krijues, tematikën që ka rrokur në shkrimet e tij.

Në shkrimet e Zylos shfaqen portrete që të duket se je duke u dhënë dorën për t’i ngjatjetuar, ndonëse përshkruhen me fjalë të kursyera. Renditen aty çetat e Skraparit për liri e pavarësi; luftëtarët e tyre me pushkë e me penë. Ai nxjerr në pah se skraparlliu pushkën dhe mikpritjen nuk i ndante. Edhe kur flinte dyfekun e mbante te buxhaku, nën jastëk. Bukur janë përshkruar traditat, mikpritja, zakonet e bukura, këngët e vallet që këndohen e hidhen në ato zona. Ndjenjat e tij janë ulur këmbëkryq në ato vatra, me bukën e ponicës në dorë dhe pjatat me fasule laragushe aq të shijshme. Aty edhe me gjizën e shakullit edhe turshitë. Kadaja përpara e kënga zien. Jashtë dëbora qëndis faqet e maleve. Janë të përziera bashkë ndjenjat dhe mallëngjimi, krenaria dhe krijimtaria…

Eh, more shoku ynë Zylo! I bëre 70 vjet dhe na dukesh si djalë i ri. Na dukesh shumë më i ri seç na tregon pasaporta jote. Nejse! Vazhdo me këtë ritëm dhe të festofshim edhe ne do të urojmë edhe shumë përvjetorë të tjerë! Natyrisht me nga një qingj përpara e me raki ballkazani pres Skrapari! Po hoqe dorë nga këto, mos na fto në ato ditëlindjet e tua…

 

Share This Article
2 Comments
  • Te lumte mendja, dora e pena, i dashur Xhevdet, qe na e solle perpara te mirin Zylyftar! Çdo fjali e ke gdhendur, por me kuptimplotja eshte fraza e fundit: Pa qengj e pa raki ballkazani, me mire mos na fto! Zylyftarit i urojme jete te gjate e te gezuar, ndersa juve, i dashur Xhevdet, te tjera shkrime te kesaj natyre per kolege te shumte, qe, mjerisht,jane harruar!

  • Zylyftari, gazetari qe u rrit ne malet e Skraparit. Me shkrimet,sjelljen dhe talentin e tij fitoi respektin e njerezve te thjeshte. Kjo eshte dekorata qe i jepet ne kete 70 vjetor! Zylo: Gezuar! Rrofshe qofsh! Penen mos e lesho!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *