Shoqata e Transportit Publik Qytetas kërcënon me prishje të kontratës së shërbimit nëse Bashkia e Tiranës vijon të mbajë veshin e shurdhër ndaj kërkesës së bërë për rritjen e çmimit të biletës në 70 lekë. Sipas tyre, rritja e çmimit të biletës është e vetmja formë për të kapërcyer gjendjen e vështirë financiare që ka përfshirë operatorët e transportit publik në kryeqytet.
Në një dalje publike të bërë dje, kreu i kësaj shoqate Ferdinand Ibrahimi, tha se kërkon rritjen urgjente të çmimit të biletës si pasojë rritjes së çmimit të karburantit apo mosmarrjes së rimbursimeve që Bashkia e Tiranës i detyrohet këtyre operatorëve për përdorimin e aboneve apo dhe kartelave të tjera të pajtimit mujor për udhëtimet falas. Nëse edhe kësaj radhe nuk do të merret parasysh kërkesa e rritjes së çmimit, shoqata pohon se do t’i drejtohet organeve gjyqësore për zgjidhjen e kontratës.
Më tej, Ibrahimi vë në dukje se 7 kompanitë që operojnë në kryeqytet janë në gjendje të vështirë financiare, pasi kanë kryer investime dhe bashkia nuk i ka rimbursuar. Shoqata e transporteve ka kërkuar gjithashtu që abonetë e përgjithshme të shoqërohen me kartonin shoqërues, kartën e studentit ose dokument tjetër personal, pasi janë shtuar rastet e falsifikimeve që i janë bërë kohët e fundit aboneve.
“Kërkesa kryesore është çmimi i biletës. Ne na janë rritur shumë kostot, shpenzimet, po ashtu dhe detyrimet bankare. Ne kërkojmë urgjentisht që çmimi i biletës të shkojë 70 lekë. Një tjetër problem me të cilin po përballemi janë edhe falsifikimet që po u bëhen aboneve. Këto të fundit janë në sasi shumë të mëdha dhe problemi më i madh është që këtë abone e përdorin shumë njerëz. Nëse është e nevojshme ne do të hapim një gjyq si shoqatë për të gjithë kompanitë private me bashkinë për shkeljet që kanë ndodhur në këtë aspekt”, deklaron Ibrahimi.
Duke iu referuar situatës aktuale, Ibrahimi shton se vështirësia financiare që ka mbërthyer operatorët turistikë po i çon drejt reduktimit të mjeteve që do jenë në shërbim të qytetarëve. Dhe nëse ky vendim do të merret reduktimi i mjeteve do të sjellë çrregullime dhe pakënaqësi tek qytetarët, të cilët nuk do munden të shkojnë në destinacionet e tyre në oraret e duhura për shkak të mbingarkesës që do të kenë linjat urbane. Ibrahimi thekson se çmimi aktual i biletës së urbanit prej 30 lekësh nuk mjafton për të shlyer shpenzimet e bëra nga operatorët e transportit publik, teksa ka pësuar rritje edhe çmimi i karburantit.
“Duam rritje të biletës në 70 lekë të reja, pasi është rritur dhe çmimi i karburantit. Duam indeksim për biletat e pajtimit mujor pasi është shtuar numri i aboneve false”, thekson Ibrahimi.
Frika e rritjes së çmimit të biletës
Por kërkesa për rritjen e çmimit të biletës ka shtuar pakënaqësitë në radhët e frekuentuesve të transportit publik, të cilët e konsiderojnë të papranueshme rritjen e çmimit të biletës deri në 70 lekë. Nëse kjo do të ndodhë, shumica prej tyre do të braktisë përdorimin e linjave urbane nga pamundësia e mbulimit të shpenzimeve për biletën, pasi u duhet të qarkullojnë disa herë gjatë ditës në këto linja. “Është absurde! 70 lekë një biletë, do të thotë që në ditë të paguash të paktën 140 lekë vetëm nëse e merr një linjë vajtje-ardhje. Nëse e ke punën larg e të duhet të ndërrosh më shumë se një linjë, do të thotë që gjysma e rrogës së muajit të jetë vetëm për autobus. Po ne ç’do hamë?!” shprehet e acaruar Kela, frekuentuese e përditshme e linjës Kombinat-Kinostudio.
Megjithatë, është qeveria ajo që vendos nëse do të aprovohet kërkesa për rritjen e çmimit të biletës. Nga ana tjetër, pavarësisht kaosit që ka mbërthyer qytetarët për një rritje të mundshme të çmimit të biletës, Bashkia e Tiranës vijon heshtjen e saj duke mos reaguar ndaj “kërcënimeve” të shoqatës.
Sipas ligjit, propozimi i dërgohet Këshillit të Ministrave vetëm pas marrëveshjes që operatorët e transportit publik kanë arritur fillimisht me Bashkinë e Tiranës dhe vetëm më pas Ministria e Transporteve dorëzon kërkesën në Këshillin e Ministrave.
Vonesat në pagat e punonjësve
“Në kontratat e rinovuara në gushtin e vitit 2010 me Bashkinë e Tiranës, operatorët privatë pranuan përmbushjen e kushteve të vendosura prej saj, të cilat në të vërtetë synojnë rritjen e cilësisë së transportit të shërbimit urban, me qëllimin e mirë për përmirësimin e këtij shërbimi përkundrejt rritjes drastike të investimeve, tashmë të kryera (19,2 milionë euro), rrjedhimisht, të kostos së këtij shërbimi. Po këto investime kaq të mëdha dhe jashtë mundësive tona financiare (janë përballuar në 90 për qind të vlerës me kredi nga bankat), nuk justifikohen me të ardhurat që realizohen nga vjelja e tarifave aktuale të shërbimit, të cilat janë miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Vetëm amortizimi i llogaritur në koston e shërbimit është 260 milionë lekë më i madh nga sa llogaritej para kryerjes së këtij investimi”, deklaron Ibrahimi. Si rezultat i kësaj gjendjeje të vështirë financiare, shoqata pohon se nuk është në gjendje të përballojë shpenzimet, në veçanti pagat e punonjësve, të cilët kërkojnë të dalin në demonstrim pasi nuk u janë shlyer pagat prej dy apo tre muajsh.