SHOQËRI E LARTË / Ekspertët: Një unazë serioze fejese duhet të kushtojë të paktën 3 jetë minatorësh

redaktor
1128509475

TIRANË – Ekspertët e fejesa-martesave, gurutë e zyrtarizmit të lidhjeve sentimentale të sërës së lartë dhe njohësit e të gjitha kulisave që fshihen pas fasadës së jetës së shoubizit, artit, kalamajve të politikës dhe sipërmarrjes shqiptare ranë dakord dje paradite në një konferencë shkencore, se nëse një djalë e ka seriozisht, duhet t’i dhurojë vajzës që i ka rrëmbyer zemrën një unazë diamanti që ka kushtuar jo më pak se tre jetë minatorësh diku në Afrikë ose Azi.

I dërguari i Gojëve të Liga në këtë eveniment pohon se sipas ekspertëve, cilësia e bizhusë nuk është qëllim në vetvete, por përcjell mesazhin e besimit dhe angazhimit kundrejt partneres.

Duke folur për diktofonin e Gojëve të Liga, profesionistja e shoqërisë së lartë të Tiranës, ekspertja e fustaneve të dasmave dhe bizhuterive Grindelinda Qorrsokaku thotë:

“Është një traditë e lashtë shqiptare që diamanti i unazës së një fejese të fisme të komunikojë mesazhin se dashuria e përjetshme meriton çdo sakrificë. Në rastin tonë, të paktën tre jetë zezakësh në Sierra Leone, ose Kongo. Ose diku tjetër. Dhe për të mos u dukur si racistë, një porosi: Nuk është e thënë që minatorët të jenë detyrimisht zezakë”.

Sipas Znj.Qorrsokaku, çiftet që pretendojnë se kanë një vend të caktuar në shoqëri, nuk duhet të mjaftohen me diamante që kanë kushtuar më pak.

“Ah, po. Do isha dakord për një diamant që ka kushtuar një jetë minatori dhe tre duar të prera, nëse është fjala për një dhuratë vajzës që mbush 16 vjeçe, ose djalit që mbaron me sukses shkollën e mesme. Përndryshe është mungesë takti dhe gustoje. Do tregohesh me gisht”.

Ekspertja e alta societa-së ka një këshillë për ata që janë në majë të piramidës shoqërore të Tiranës:

“Kush është vërtet elitar pastaj, zgjedh një rrugë tjetër, më burrnore: Shkon vetë në Afrikë të Jugut, Mianmar ose Zimbabve, rreshton tre-katër minatorë dhe i heq qafe, për ta bërë gjithë procesin një ngjarje të paharrueshme”.          

Nga ana tjetër, konferenca shkencore arriti në përfundimin se makina e një biznesmeni apo politikani me respekt për veten, nuk mund të ketë disqe të kromuara që kushtojnë më pak se dy jetë minatorësh bulqizakë, ose më pak se gjashtë fëmijë të larguar nga shkolla për të gërmuar.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pa makinë dhe pa diamante. Në rastin më të mirë, tasat e makinës i ka të lidhura me fasheta plastike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *