Gazetarët luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin e rasteve ku dhunohen të drejtat e njeriut.. Shtatë gazetarë morën Çmimin Gjerman për Mediat në Zhvillim për artikujt e tyre dhe guximin për të folur.
Ky çmim jepet për gazetarët që shkruajnë për çështjet e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit që prej vitit 1975. Këtë viti çmimi ishte i hapur edhe për gazetarë nga e gjithë bota. Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Deutsche Welle, transmetuesi ndërkombëtar i Gjermanisë, i ndanë çmimet në gjashtë kategori. Njerëzit mund të votonin gjithashtu edhe për Çmimin e Zgjedhjes së Njerëzve në kategorinë e fotografisë gazetareske afrikane.
Ministri gjerman i zhvillimit Dirk Niebel theksoi rëndësinë e gazetarisë për kontributin e saj në ndërtimin e një shoqërie civile të lirë dhe të edukuar. Prandaj çmimi jepet për ata që nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të luftojnë për të shprehur mendimin e tyre, shtoi ai.
“Ky çmim i jepet gazetarëve kurajozë të cilët shkruajnë nga vendet e tyre në zhvillim ku ka probleme me të drejtat e njeriut, por ata sërish nuk tremben dhe raportojnë,” tha Niebel gjatë ceremonisë të mbajtur në Berlin të mërkurën.
‘Ju nuk jeni vetëm’
Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle Erik Bettermann përshëndeti gjithashtu gazetarët: “Ky çmim jepet për t’ju inkurajuar juve. T’ju japi guxim të veproni. T’ju japi guxim të ngrini zërin. Dhe mesazhi është i qartë: Ju nuk jeni vetëm.”
Çmimi për Amerikën Latine i shkoi gazetarit multimedial Proyecto Rosa, i cili trajton çështjen e zhdukjes së qytetarëve kolumbianë. Përveç arritjeve gazetareske të Olga Lozano, Juanita Leon dhe Marcela Pelaez, paneli gjykues theksoi edhe vlerën artistike të projektit.
Fituesi gjerman Uwe H. Martin u vlerësua në mënyrë të njëjtë për raportimin e tij multimedial dhe inovativ, Ari i Bardhë. Martin kishte bërë një investigim në industrinë globale të pambukut dhe tregonte se si shkatërrohej jeta e shumë bujqëve.
Fituese e çmimit për rajonin e Europës Lindore/Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme ishte Volha Malafeyechava nga Bjellorusia. Ajo raportonte historinë e një homoseksuali në një vend ku sjelljet homofobike janë normale. Hanan Khandahji raportoi për abuzimin me fëmijët dhe të rinjtë në institucionet e Jordanit dhe bëri ata përgjegjës për krimet.
Ndjeshmëri dhe distancë
Të dy çmimet për Azinë dhe Afrikën u dhanë për aftësinë e tyre për të mbajtur larg ndjeshmërinë nga analiza e mirëfilltë. Gujan Sharma nga India raportoi për mënyrën shokuese si trajtohen pacientët me të meta mendore në spitalet e Indisë, ndërsa Wade Williams nga Liberia raportoi për varfërinë vrasësë në vendin e saj. “Si gazetar, ti ke një stilolaps, dhe një stilolaps mund tu japë zë atyre që kanë nevojë,” tha Williams kur u pyet për rolin e saj si gazetare.
Përdoruesit e internetit zgjodhën edhe fituesin e çmimit Zgjedhja e Njerëzve për fotografinë më të mirë gazetareske afrikane. Çmimi u mor nga nigeriani Oluyinka Ezekiel Adeparusi. Fotografia e tij tregon fëmijët e lagjës së varfër të Makokos, të cilët shkojnë me varka në shkollë.