Shorti për kupat e Evropës, kur goglat ia lënë vendin fushës

redaktor

Një ditë pas shortit të tureve eliminatore në kompeticionet europiane është krijuar një ide më e qartë për skuadrat tona, pjesëmarrëse në to. Në Champions League shorti i Skënderbeut ishte i favorshëm, pasi kampionët e vendit edhe pse mund të kishin një kundërshtar më të lehtë, kanë evituar rivalët më të rrezikshëm që mund t’i vendosin përballë goglat. Reagimet e para në Austri aty ku bardhekuqtë janë duke zhvilluar fazën përgatitore kanë qenë pozitive, teksa premtohet kalimi i këtij raundi.

Megjithatë korçarët duhet të tregohen të kudjesshëm pasi nënvlerësimi shpesh herë të dënon duke dhuruar surpriza të pakëndshme. Ndërkohë skuadrat pjesëmarrëse në Europa League niseshin si sfidues dhe shorti i rezervoi kundërshtarë të rrezikshëm për të respektuar pikërisht këtë status. Megjithatë Kukësi mund të konsiderohet me fat pasi përballë do të ketë Torpedo Zhodino, një skuadër pa shumë histori jo vetëm në Europë por edhe në futbollin bjellorus. Për më tepër përballjet me skuadrat nga ish shteti i bashkimit sovjetik flasin në favorin tonë. Nëse nënkampionët kanë shpresa të mëdha kualifikimi, Laçi dhe Partizani nisen si nëndetëse për të tentuar daljen në sipërfaqe. Kurbinasit kanë peshkuar Inter Baku të Azerbajxhanit, një emër për t’u respektuar dhe që shihet si favorit absolut për kualifikim. Megjithatë së fundmi kjo skuadër ka hasur probleme të mëdha, pasi klubi është në një krizë të plotë financiare, me futbollistë të larguar si dhe stafin teknik. Inter Baku do të jetë një skuadër e re me futbollistë azerbajxhanas në përbërje dhe ky mund të konsiderohet avantazh i madh për Laçin, që tashmë ka fituar edhe eksperiencën e duhur në aventurat europiane.

Më të vështirë e ka Partizani, që peshkon Stromsgodset të Norvegjisë, një skuadër e cila ka avantazhin se është në mes të aktivitetit dhe më lartë me përgatitjen fizike. Megjithatë të kuqtë kanë historinë me vete dhe shpresojnë që pritja e gjatë të shërbejë si karikim për ekipin që të japë më të mirën. 15 herë kampionët pavarësisht vështirësisë së shortit nuk tremben dhe premtojnë për surprizë. Edhe pse duket e vështirë nuk është e pamundur që të paktën 3 skuadra të Kategorisë Superiore të kalojnë minimalisht një raund eliminator në kompeticionet europiane.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *