Shpallen dhjetë nënat e vitit

anazapta

Shpallen 10 nënat më të mira të vitit për mënyrat më të mira të ushqyerjes së foshnjave

Triumfojnë Tirana, Durrësi, Kukësi e Puka

Tirana, Durrësi, Kukësi e Puka rezultojnë të kenë nënat e reja më të mira të vitit. Dhjetë nëna nga këto qytete kanë kryesuar listën e më të mirave, në konkursin e çelur për “Mënyrat e reja dhe më të mira të ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve në Shqipëri” të organizuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nga Ministria e Shëndetësisë, në partneritet me Kombet e Bashkuara, Fondin Spanjoll të Arritjes së Objektivave për Zhvillimin e Mijëvjecarit për Fëmijët.

Ekipi i ngritur për gjetjen e nënave më të mira ka vizituar të gjitha qendrat mjekësore në qytetet kryesore të Shqipërisë, si: Tirana, Kukësi, Puka, Shkodra, Kavaja, Durrësi, Vlora, Fieri, Tepelena, Gjirokastra, Elbasani dhe Korça. Aty u konstatua një pjesëmarrje e madhe e nënave, të cilat dëshmuan për kujdesin në ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve .

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të nderit për nënat e reja, ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo deklaroi se: “Ju jeni nënat e vitit jo vetëm për fëmijët tuaj, por transmetoni një mesazh fisnik edhe ndaj shumë nënave të tjera. Mirëqenia dhe shëndeti i fëmijëve tanë është një nga detyrat tona dhe një prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj na takon të gjithëve të kontribuojmë në përmbushjen e tyre”.  Sipas tij, qëllimi final është të sigurohemi që çdo fëmijë që po rritet në Shqipëri, të ketë mundësinë të bëhet ai që dëshiron të bëhet, ndaj së bashku duhet të përfshihemi në mbrojtjen e shëndetit dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Sigurimi i një fëmijërie të hershme të shëndetshme është një angazhim afatgjatë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse nëse ata do të rriten të shëndetshëm dhe do të jetojnë të lumtur, shoqëria jonë do të pasurohet edhe më shumë”,  deklaroi ministri Tavo.

Për nënat fituese, veç Vertifikatave të Nderit, u dhanë dhe çmime inkurajuese. Qëllimi i këtij konkursi ishte nxitja e nënave të reja që të informohen mbi mënyrat më të reja dhe më të mira të ushqyerjes së fëmijëve, informimi mbi praktikat më të suksesshme dhe të shëndetshme të ushqyerjes së fëmijëve sipas moshës, si dhe nxitja e interesi për marrjen dhe aplikimin e një informacioni sa më profesional në rritjen e shëndetshme të fëmijëve të tyre.

 

Nënat fituese janë:

 

Aliona Hilaj                          Nga Puka

Blerina Kapaj                      Tiranë

Edlira  Rama                        Tiranë

Evelina Mustafaraj          Durrës

Evis Sinoimeri                    Tiranë

Ilda Jala                                Durrës

Nushe Lacaj                        Tiranë

Valbona Veliko                 Tiranë

Valdete Sinanaj                Kukës

Vasilika Kota                       Durrësi

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *