Duke filluar nga dita e nesërme maturantët mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e një prej programeve arsimore të larta. Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi dje se duke filluar nga dita e hënë, datë 04.08.2014 fillon procesi mjaft i rëndësishëm i aplikimit të maturantëve me formularin A2 të preferencave. Për të konkurruar në garën për t’u shpallur fitues në njërin nga programet e studimit të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të vendit, çdo maturant që rezulton kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe ka kryer procedurat për pasqyrimin në sistem të pikëve/notës mesatare, duhet të plotësojë Formularin A2, on-line. Për të hyrë në portalin e Maturës Shtetërore adresa që duhet përdorur është matura.akp.gov.al.
Kush janë kriteret për aplikim?
Maturantëve aplikues të formularit A2, duhet të bëjnë kujdes në kriteret e përzgjedhjes së preferencave ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes së preferencave janë:
1. Maturanti/kandidati duhet të bëjë kujdes jo vetëm në përzgjedhjen e jo më shumë se 10 preferenca, por një element mjaft i rëndësishëm është dhe renditja e tyre sipas shkallës së plotësimit të dëshirës personale për ndjekjen e studimeve të larta.
2.Nuk është e domosdoshme që të jenë përzgjedhur 10 preferenca, por për të rritur probabilitetin e fitimit të një të drejte studimi, është e këshillueshme që të zgjidhen sa më shumë preferenca (deri në 10)
3.Kriteri i vetëm që e shpall një maturant/kandidat fitues në një degë është kriteri i Meritës, pra sasia e pikëve të grumbulluara në një program studimi të përzgjedhur. Preferenca është kriter kualifikues brenda përbrenda përzgjedhjeve të një maturanti/kandidat. Kjo do të thotë që nëse maturanti X kapërcen pikët e fituesit të fundit në disa programe studimi të përzgjedhura nga ana e tij, sistemi e shpall fitues në preferencën më të lartë të këtij grupi preferencash. E thënë ndryshe një fitues i një programi studimi mund ta ketë rreshtuar si preferencë të dhjetë atë program, por ai fiton ndaj një maturanti tjetër që e ka preferencë të parë, për faktin se ka grumbulluar më shumë pikë.
4.Maturantët/kandidatët që marrin pjesë në konkurse pranimi, që të rrisin mundësinë e fitimit të atij programi duhet ta vendosin si prioritet të parë.
Sqarimi i Ministrisë
Për të gjithë maturantët/kandidatët që do të aplikojnë Ministria e Arsimit sqaron në njoftimin e saj se: “Maturanti mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por sistemi e shpall atë fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të shprehur prej tij. Kjo është arsyeja që në plotësimin e formularit A2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat), por dhe renditja e tyre”.
Të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve dhe të Universitetit të Sporteve të Tiranës, programet “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, programi i studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, u nënshtrohen konkurseve të pranimit, të organizuar nga këto Institucione Publike të Arsimit të Lartë gjatë periudhës 01.09.2014 deri 05.09.2014, sipas datave të përcaktuara në udhëzimin e MAS për zhvillimin e konkurseve. Po kështu konkursi për programet e studimit të FASTIP (Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”) zhvillohet për njohuritë në gjuhën angleze si dhe intervistë nga kompania që mbështet praktikën profesionale të kandidatit. Për këto programe studimi në procesin e llogaritjes së pikëve merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit. Maturantët e interesuar për përgatitjen për procesin e aplikimit me formularin A2, të gjitha informacionet e nevojshme mund t’i gjejnë në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve www.akp.gov.al si dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.arsimi.gov.al.
| Datë | Aplikantët në Qytetet | |||||||
| 04.08.14 | Tirana Qytet | Tirana Qark | ||||||
| 05.08. 14 | Tirana Qytet | Tirana Qark | ||||||
| 06.08. 14 | Tirana Qytet | Tirana Qark | Kamëz | Kavajë | Durrës |
Krujë |
||
| 07.08.14 | Elbasan | Peqin | Gramsh | Librazhd | Korçë | Pogradec | Kolonjë | Devoll |
| 08.08.14 | Fier | Mallakastër | Lushnjë | Berat | Kuçovë | Skrapar | ||
| 09.08.14 | Shkodër | Malësi e Madhe | Pukë | Lezhë | Kurbin | Mirditë | ||
| 10.08.14 | Vlorë | Sarandë | Delvinë | Gjirokastër | Tepelenë | Përmet | ||
| 11.08.14 | Kukës | Has | Tropojë | Dibër | Mat | Bulqizë | ||
