Komisioni Rregullator është hallka e fundit nëpër të cilin kalon rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Komisioni u mblodh këtë të martë me në rend dite shqyrtimin e projektvendimit të Komisionerit Ilirjan Celibashi.
Dy anëtarët e propozuar nga PD në këtë Komision shprehën votën kundër projektvendimin duke cituar disa parregullsi, sipas tyre që u vunë re para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve të 25 prilli.
Anëtarja Helga Vukaj citoi patronazhistët dhe marrjen e grumbullimin, sipas saj, të paligjshëm të të dhënave të shqiptarëve, ndërsa anëtari tjetër, Muharrem Cakaj citoi edhe tre pika të tjera.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi që të marrë si prova dhe të hetojë mungesën e votës të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, që kanë votuar si gjithmonë duke u rikthyer në vendlindje. Së dyti, shpërndarja e parave të rindërtimit vetëm një javë para zgjedhjeve, propaganda e Qeverisë me vaksinat duke thënë na votoni ne se ju sigurojmë vaksinat dhe përdorimi i të dhënave personale të zgjedhësve shqiptarë në kundërshtim me legjislacionin dhe shantazhimin e kryeministrit që mos harroni se kryeministri deklaronte se mos harroni se po ju shikojnë patronazhistët”, tha Cakaj.
Cakaj tha se për të gjitha këto arsye gara më 25 prill ishte e padrejtë dhe e pabarabartë dhe njoftoi votën kundër projektvendimit.
Anëtari Dritan Caka dhe Ilirjana Nano thanë se të gjitha pretendimet dhe denoncimet janë shqyrtuar nga organet e tjera, që nga Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi deri te Kolegji Zgjedhor. Nano e konsideroi mbledhjen e Rregullatorit thjesht si formalitet dhe me vendimmarrje të kushtëzuar, që vetëm të miratojë projektvendimin.
“Ka përfunduar i gjithë procesi i ankimimeve administrative dhe zgjedhore. kodi zgjedhor kërkon nga ne shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Është një vullnet i kushtëzuar nga i gjithë procesi i mësipërm dhe rrjedhojë logjike dhe matematike e të gjitha proceseve vendimmarrëse dhe ankimore”, u shpreh ajo.
j.l./ dita
