Kombëtarja do të jetë debutuese në një aktivitet madhor, Kampionati Europian që do të nisë më 10 Qershor në Francë. Tifozët shqiptarë pritet të jenë të shumë, në stadiume dhe jashtë tyre. Por sa do të shpenzojnë përkrahësit kuqezinjve për të qenë në këtë eveniment.
Gazeta “Daily Mail” në një shkrim të saj tregon përllogaritjet duke e krahasuar me një tifoz anglez. Ky është një vëzhgim i kompanisë së basteve Ladbrokes, që e mbështet në pagën mesatare që merr një anglez dhe një shqiptar. Diferenca është thuajse 7 herë, pasi një anglez paguhet mesatarisht 1486 paund, ndërsa një shqiptar 220.
Duke bërë krahasimin për shpenzimet e kryera shqiptarët do t’u kushtojë më shumë ndjekja e skuadrës së tyre, pasi u duhet të prekin kursimet. Në këtë vëzhgim përfshihet udhëtimi, qëndrimi, biletat për stadium, ushqimet apo pijet. Në këtë këndvështrim tifozët shqiptarë janë ata që do të sakrifikojnë më shumë nga buxheti i tyre pas ukrainasve që kanë një pagë më të ulët.
