Shpërblim për 9350 mjekë dhe infermierë të poliklinikave

anazapta

Elvana Hana: Pagesat për mjekët dhe infermierët sipas arritjes së performancës dhe cilësisë së shërbimit. Përfitojnë 9300 punonjës në të gjitha poliklinikat e vendit

Pranvera Kola

Shërbimet dhe kujdesi i ofruar ndaj pacientëve u ka  siguruar një tjetër shpërblim mjekëve dhe infermierëve të poliklinikave në vigjilje të festave të fundvitit. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, ka deklaruar dje se cilësia e shërbimit që u është ofruar popullatës lidhet drejtpërdrejt me pagesën e personelit mjekësor, i cili, për të gjashtin vit radhazi, shpërblehet në bazë të punës së kryer në shërbim të pacientëve.

Sipas Hanës, nisur nga treguesit e mirë të shërbimeve të ofruara, punonjësit e poliklinikave do të përfitojnë deri në një pagë financim shtesë në këtë fundviti, në bazë të realizimit të indikatorëve të performancës dhe bonusit. Konkretisht për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, janë shpërndarë rreth  290 milionë lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të  qendrave shëndetësore ku bëjnë pjesë rreth 2000 mjekë familje, të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermiere dhe 750 punonjës të tjerë, sanitare, shoferë, ekonomistë.

Fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në llogaritë bankare të Qendrave Shëndetësore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit dhjetor. Mbështetur në realizimin e pritshëm të treguesve për vitin 2012, rezulton se 416 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë edhe deri në një pagesë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë.

Numri i planifikuar i vizitave nga mjekët e përgjithshëm e të familjes në shkallë Republike për vitin 2012  është realizuar rreth 93 për qind, ndërsa treguesi i cilësisë (bonusi) është realizuar rreth 60 për qind duke paraqitur rritje krahasuar me të dhënat e raportuara për të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Por, ISKSH bën gjithashtu të ditur se tregues të cilësisë që rezultojnë të jenë me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, mund të përmenden të tilla si: edukimi mjekësor në vazhdim me rreth 30  për qind, përqindja e pacientëve brenda normës për hipertensionin arterial–e cila është rritur me 19 për qind  krahasuar me vitin e kaluar, treguesi i pacientëve brenda normës përsa i takon diabetit gjithashtu është rritur me 10 për qind, si dhe ndjekja e fëmijëve 0-1 vjeç që ka një përmirësim me  7 për qind.

Referuar të dhënave rezulton se treguesi i performancës është realizuar në nivele mbi 90 për qind, nga 291 qendra shëndetësore të cilët ushtrojnë aktivitetin në 10 rajone.  Ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 55 për qind nga mbi 217 qendra shëndetësore që veprojnë në 7 rajone.

Sipas rajoneve rezulton se përfitojnë pagesa shtesë maksimale, punonjësit e rajonave: Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Berat, Dibër, Durrës dhe Vlorë etj, të cilat kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë së performancës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar qendrat shëndetësore, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave kanë arritur të tërheqin rreth 25 milionë lekë më shumë, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit kanë tërhequr 85 milionë lekë më shumë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *