Shpërblime deri në një pagë mujore për arsimtarët që rezultojnë më të mirët jo vetëm në arritjet profesionale, por edhe në konkurset e zhvilluara nga Ministria e Arsimit. Në nenin 76 të Dispozitave Normative për Arsimin Parauniversitar përcaktohet se mësuesit që arrijnë rezultatet më të mira mësimore me nxënësit e tyre, si dhe ata që fitojnë konkurse të ndryshme të organizuara për dijet e tyre do të garojnë për të fituar një shpërblim, vlera e të cilit në varësi të kategorisë ku bëjnë pjesë do të shkojë deri në një pagë mujore. Rol të veçantë në ndarjen e këtyre shpërblimeve do të ketë edhe këshilli i mësuesve të shkollës. Mësuesit që arrijnë të marrin shumicën e votave të këshillit, referuar punës së bërë do të mund t’i gëzohen shpërblimit përkatës që llogaritet sa ½ pagës mujore. Kështu mësuesi që do të rrëmbejë vlerësimin më të mirë nga këshilli i përbërë prej kolegëve të tij do të shpërblehet. Këto janë vetëm disa nga kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë shpërblime në rast se dëshmojnë kualifikime dhe arritje profesionale mbi ecurinë e punës. Për mësuesit që shpallen fitues të konkurseve kombëtare shpërblimet arrijnë deri në një pagë mujore, ndërsa ata që grumbullojnë vlerësimet maksimale në konkurset e zhvilluara në nivel lokal do të shpërblehen me 3\4 e pagës. Neni 76 i Dispozitave Normative për Arsimit Parauniversitar, krahas kritereve për të përfituar këto shpërblime përmban edhe detajet konkrete se si do të bëhet ndarja shpërblimeve për drejtorët dhe mësuesit e institucioneve arsimore publike nga drejtuesit e njësisë arsimore vendore. Shpërblimi për merita profesionale të mësuesve, sipas përcaktimeve të bëra ndjek një procedurë konkrete dhe të detajuar. Konkretisht drejtori i institucionit arsimor publik, pas këshillimit me partnerët socialë e bordin e institucionit përcakton mësuesin që propozohet për shpërblim nga fondi i veçantë për merita profesionale në karrierë dhe njofton me shkrim titullarin e njësisë përkatëse arsimore vendore. Më pas titullari i njësisë arsimore vendore nënshkruan urdhrin për shpërblimin për merita profesionale të mësuesit të institucionit publik të arsimit parauniversitar të përcaktuar sipas kritereve të përmendura në lidhje me kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë. Lidhur me funksionimin e Këshillit të Mësuesve, dispozitat normative përcaktojnë se këshilli mblidhet, si rregull, jo më pak se një herë në muaj. Këshilli mblidhet edhe në rastet kur e gjykon të arsyeshme drejtori i institucionit arsimor ose kur e kërkon jo më pak se 1/3 e anëtarëve të tij. Mbledhjen e parë këshilli i mësuesve e zhvillon të paktën dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor. Në këtë mbledhje këshilli i jep mendime drejtorit për formimin e klasave, orarin mësimor, tematikat e përafërta të mbledhjeve të zakonshme të këshillit, veprimtaritë e zhvillimit të brendshëm profesional dhe çështje të tjera, sipas kërkesës së drejtorit ose me nismën e këshillit. Në mbledhjet e këshillit të mësuesve, drejtori i shkollës ka të drejtë të ftojë që të marrin pjesë edhe përfaqësues të njësisë bazë përkatëse të qeverisjes vendore, të njësisë arsimore vendore, punonjësin psikosocial, kryetarin e bordit, kryetarin e këshillit të prindërve, kryetarin e qeverisë së nxënësve, kryetarin e komisionit të etikës dhe sjelljes ose të deleguar të tyre, personelin mjekësor të shkollës. Sipas kërkesës së drejtorit ose me nismën e këshillit. Autoritetet e arsimit kanë konfirmuar se edhe për 2014-ën do të vijojë rritja e pagave për arsimtarët në të gjithë vendin, rritje e cila e cila është parashikuar në masën 4 për qind.
Pagat e mësuesve, rritje me 4 %
Nëpërmjet projektbuxhetit të 2014-ës, Ministria e Arsimit garanton pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për rreth 38 953 punonjës të arsimit e sportit. Me fondet e përcaktuara për këtë vit autoritetet arsimore kanë konfirmuar se parashikojnë edhe një rritje në fondin e pagave, në masën 4 për qind krahasuar me një vit më parë, çka lejon indeksimin e pagave me normën e inflacionit apo edhe një rritje modeste të tyre.
Kriteret për të përfituar shpërblimin
Pika 1 e nenit 76 të Dispozitave Normative specifikon se ndër kriteret e shpërblimit të mësuesve për merita profesionale janë :
• Për merita profesionale në karrierë, shpërblimi i punonjësve të institucioneve publike të arsimit parauniversitar (drejtor, nëndrejtor, mësues) është një pagë mujore.
• Fituesi në konkursin kombëtar për produkte apo arritje profesionale, të shpallura nga Ministria e Arsimit gjithashtu do të shpërblehet me një pagë mujore.
• Fituesi në konkursin lokal për produkte apo arritje profesionale, të shpallur nga njësia arsimore vendore, shpërblehet me ¾ e pagës mujore.
• Ndër4sa fituesi për produkte dhe arritje profesionale, të shpallura nga institucioni publik i arsimit parauniversitar (shkolla) , shpërblehet me ½ e pagës mujore.
•Mësuesi më i votuar për merita profesionale,me shumicë të thjeshtë votash të fshehta nga këshilli i mësuesve, shpërblehet me ½ e pagës mujore.
Mësuesi jo në profilin përkatës
Në mungesë të mësuesve-aplikantë me arsimin përkatës, shqyrtohen për t’u pranuar mësues jo në profilin përkatës : Mësuesi jo në profilin përkatës që punon me kontratë pune me afat, si dhe ai që emërohet e largohet nga drejtori i shkollës pas pëlqimit nga këshilli i mësuesve. Drejtori e largon nga shkolla mësuesin jo në profilin përkatës kur për vendin e tij aplikon një mësues në profilin përkatës.
Zëvendësimi i mësuesit që mungon
Kur një mësues mungon për një kohë të shkurtër, drejtori i institucionit arsimor publik, si rregull, e zëvendëson atë me mësues ose drejtues të institucionit arsimor. Kur mungesa e një mësuesi është e zgjatur, drejtori i institucionit përpilon listën e kandidatëve për zëvendësimin e mësuesit, që përbëhet nga: mësues që kanë aplikuar pranë Drejtorive Rajonale arsimore, si dhe aplikantët drejtuar shkollës, pas shpalljes nga shkolla për mësues zëvendësues, në një mjedis publik të saj dhe në faqen e saj të internetit. Pas konkursit, drejtori i institucionit arsimor njofton me shkrim Drejtorinë Rajonale Arsimore për marrjen në punë ose largimit nga puna të mësuesit zëvendësues.