Shpërblimi i lindjes, kushtet dhe dokumentet që duhen për ta përfituar

Ornela

Shpërblimi për lindje fëmije i paguhet çdo personi të siguruar që mund të jetë nëna ose babai, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore për të paktën për një vit para lindjes se fëmijës. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, shpërblimi i lindjes është i pagueshëm vetëm njëherë, ndërkohë që prioritet në marrjen e këtij shpërblimi kanë nënat, në rast se janë të siguruara.

“Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 për qind të pagës minimale mujore, të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në momentin e lindjes të së drejtës”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.

Tre janë dokumentet që duhet të dorëzohen pranë strukturave përgjegjëse për të siguruar marrjen e këtij shpërblimi. Në dosjen e dokumenteve të duhura duhet që të përfshini certifikatën e lindjes së fëmijës ku të specifikohet që është për të siguruar shpërblimin e lindjes, librezën e periudhës së kontributeve, si dhe një vërtetim i vjetërsisë në punë dhe derdhjet e kontributive.

Të ardhurat që sigurohen për E ardhura për barrë lindje

Krahas shpërblimit të lindjes, në degën e sigurimit për barrëlindje paguhen të ardhurat për barrëlindje, si dhe të ardhurat për kompensimin për barrëlindje, kur ndryshohet vendi i punës.

E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm.

Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.

Lidhur me masën e përfitimit të kësaj të ardhure, autoritetet e sigurimeve sqarojnë se pagesa për barrëlindje për gruan e siguruar është sa 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. Më pas kjo pagesë bëhet sa  50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.

Në të njëjtën formë përllogaritet edhe e ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Po ashtu ligji përcakton se nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.

E ardhura për kompensim në shtatzani

Gruaja e siguruar, që me vendim të komisionit mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arsye shtatëzanie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash për pakësimin që pëson nga ndryshimi i vendit të punës. Ky kompensim jepet vetëm në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo më pak se 12 muaj. Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë së 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit, nga data e lindjes të së drejtës për pagesë.

Dokumentacioni për shpërblimin e lindjes:

  • Certifikata e lindjes së fëmijës.
  • Libreza e periudhës kontributive.
  • Vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe derdhjet kontributeve.

 Kushti i përfitimit:

Shpërblimi për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna, ose babai i fëmijës që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes së fëmijës.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *