Arben Duka
Për Policinë e Shtetit,
alarmin po e jap unë,
sot je polic a drejtor
dhe nesër një i papunë!?
Vetëm një sekondë pas ikjes,
kur gjithçka të është mohuar,
mbetesh fillikat në rrugë,
para krimit i zbuluar!
Policinë për çdo gjë,
natë e ditë e mbajmë lidhur,
e hedhim-kur s’duhet më,
porsi një limon të shtrydhur!
Policët që rrezikojnë,
çdo çast familjen dhe veten,
vjen një ditë dhe e kuptojnë,
që krejt të braktisur mbeten!
Ky s’është fenomen i ri,
ka ndodhur për shumë vjet,
dhe në fakt kjo dukuri,
të pabesë e bën një shtet!
Nëse e vë mirë matricën,
del më shumë se i pabesë,
se ta harron sakrificën,
dhe të lë krejt në harresë!
Besimi tek policia,
refren tek Tahiri mbeti,
po më vështirë të rikthehet,
besim’ i policit tek shteti!
Shumica nga ne-aksionet,
i sheh si kuriozitet,
por polici vë çdo ditë,
në rrezik jetën e vet!
Kanë ndërruar karriget,
po vazhdon njëlloj muzika,
në punët e policisë,
shpesh fut hundët politika!
Opozita e godet,
kot së koti e bën pis,
vazhdon pisllëku në shtet,
kur policin e braktis!
Policinë sot e përdorin,
të zgjidhë gati çdo problem,
e përdorin e shpërdorin,
pothuaj gjer në ekstrem!
Pushtetet që venë e vinë,
hiq e vër ata flamurë,
e kanë bërë policinë,
e sigurt mos ndihet kurrë!
E pasigurt dhe pikë,
asnjë presje nuk i heq,
menaxhimi politik,
gjithmonë ka ndikuar keq!
Nuk e di se kur do shkruhet,
ajo fletë e historisë,
që Drejtori-jo Ministri,
të jetë Njësh’ i policisë!
Nuk e di se kur do bëhet,
si Perëndimi vendi im,
ku karriera e policit,
të ketë realisht kuptim!
