Prej më shumë se një viti, qeveria shqiptare vendosi moratoriumit kundër gjuetisë së shpendëve dhe kafshëve të egra në vendin tonë.
Megjithatë, gjuetia në terren vazhdon dhe fotoja më sipër e tregon këtë. Dy shoqata, ajo e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror dhe Shoqata e Ruajtjes së Shpendëve dhe Gjitarëve shprehin shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të moratoriumit të gjuetisë të vëzhguara në muajt e fundit. Grupet e monitorimit në terren të këtyre organizatave dhe rrjetet e bashkëpunëtorëve të tyre në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kanë konstatuar dhe dokumentuar një intensifikim të lartë të rasteve të gjuetisë së paligjshme, veçanërisht në periudhën nëntor 2015 – janar 2016.
Moratoriumi dy vjeçar i gjuetisë hyri në fuqi në mars të vitit 2014, si masë imediate për mbrojtjen e popullatave të fundit të faunës së egër në Shqipëri, gjëmtuar në vite si pasojë e një gjuetie të shfrenuar, dhe nisur nga dispozitat ligjore në fuqi, afati i këtij moratoriumi përfundon në 15 mars të këtij viti.
Organizatat vlerësojnë ndikimin tërësor pozitiv që moratoriumi ka patur në uljen e gjuetisë në Shqipëri në këto dy vjet, por shprehin shqetësimin se në muajt e fundit, zbatimi i tij ka rënë ndjeshëm dhe situata e vëzhguar në terren cenon seriozisht suksesin dhe përmbushjen e objektivave të moratoriumit.
“Nga vrojtimet në terren, rezulton se gjuetia e paligjshme praktikohet kryesisht përgjatë fundjavës (veçanërisht të dielën), dhe orëve të para të mëngjesit, por edhe gjatë natës. Kohë në të cilën organet ligjzbatuese, duket se kanë një vigjilencë më të shkujdesur mbi kontrollin e territorit”, thuhet në njoftim.
Vetëm përgjatë 2 muajve të fundit janë konstatuar dhe dokumentuar 1507 raste të gjuetisë së paligjshme, dhe pritet që këto raste të shtohen, veçanërisht përgjatë kësaj fundjave ku është parashikuar një rënie e ndjeshme e temperaturave, ç’ka shkakton grumbullimin e grupeve të mëdha të shpendëve dimërues në zonat ligatinore.
Ndër zonat më problematike, rezultojnë ato ligatinore-bregdetare si Laguna e Patokut në rrethin e Lezhës, Ligatina e Fllakës në afërsi të Durrësit, Laguna e Vilunit në rrethin e Shkodrës, kompleksi ligatinor Vjosë – Nartë në rrethin e Vlorës etj, ku numri i fushëzave të gjahtarëve në disa prej zonave të përmendura është dyfishuar vetëm përgjatë dy javëve të fundit. Gjithashtu e njejta situatë problematike paraqitet edhe në zona të tjera, në mënyrë të veçantë nërajonin Pukë-Mirditë, në rajonin e Korçës, rajonin e Tropojës, etj. /Dita/
