Divjakë- Shpërthimi aksidental i një granate luftarake në banesë shkaktoi vdekjen e babait peshkatar dhe djalit të tij vetëm 2 vjeç. Tragjedia ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes në qytezën e Divjakës, në shtëpinë e familjes Gaxho. Nga ky shpërthim humbën jetën në vend Dashnor Gaxho, kryefamiljari 27-vjeçar dhe djali i tij A. Gaxho. Policia e Lushnjës mbërriti me një grup hetimor në vendngjarje për kryerjen e veprimeve dhe konstatoi se bëhet fjalë për një aksident. Dyshohet se Gaxho kishte përgatitur mjete luftarake për peshkim dhe do dilte në det. Por do të jetë grupi hetimor që do zbardhë plotësisht këtë tragjedi.
Ngjarja
Sipas rrëfimit të familjarëve dhe këqyrjes së kryer nga ekspertët, orët e pasdites fëmija ka qenë duke luajtur. Kurse babai i tij njihej si peshkatar dhe dilte çdo ditë në det. Por në rrethana ende të paqarta, 2-vjeçari në një moment është shfaqur në dhomën e ndenjes me një mjet luftarak në dorë që mendohet se ka qenë granatë. I ati është vërsulur me shpejtësi për t’ia hequr nga dora dhe për ta hedhur jashtë shtëpisë, por në momentin e shkëputjes, për shkak se mungonte siguresa, granata ka shpërthyer. Bilanci ka qenë tragjik, pasi babë e bir pas zhurmës së krijuar dhe tymit, mbetën të përgjakur në dysheme, me plagë të shumta në kokë dhe trup. Ekspertët konstatuan se viktimat kishin dëmtime serioze në organet jetësore, si dhe në gjymtyrë, duar të copëtuara. Hemorragjia dhe plagët kanë shkaktuar vdekjen e tyre brenda pak minutash, pa qenë nevoja për ndihmën e parë në spitalin e Lushnjës. Gjithsesi trupat e pajetë u përcollën në morg për ekspertizë mjeko-ligjore dhe autopsi. Hetimet drejtohen nga vetë krerët e komisariatit që mbulojnë zonën e Divjakës dhe prokurori i rrethit, pasi ngjarja cilësohet e rëndë, pavarësisht se u deklarua aksidentale. Grupi hetimor po mbledh dëshmi për të zbuluar nëse ka pasur ndonjë rrethanë tjetër për mjetin luftarak, apo fëmija e ka gjetur në banesë.