Biznesmenit i shpërthen skafi teksa po lundronte për turizëm në brigjet e Vlorës dhe mori plagë të shumta, kurse 2 turistë belgë rrezikuan jetën pas një avarie në jahtin e tyre, por i shpëtoi Roja Bregdetare shqiptare pas sinjalit SOS afër Durrësit. Policia tha se pronari i mobilierisë Shemsi Zemani është plagosur dhe u dërgua për mjekim të specializuar në Tiranë pasi ka marrë dhe djegie, por pa rrezik jete. Kurse familjarët, bashkëshortët dhe vajza e tyre, Arian, Princesse dhe Alissa Dalija, nga Anderlehti, nuk pësuan lëndime dhe pas riparimit të defektit rinisën turin e tyre përgjatë Mesdheut.
Vlorë
Në orët e mesditës u raportua se një gomone ishte përfshirë nga flakët në afërsi të Portit të Jahteve, në Orikum, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e pronarit të mjetit, që ishte njëkohësisht edhe një biznesmen i njohur në qytet. Është dëgjuar fillimisht një shpërthim dhe më tej u panë flakë dhe tym. Dëshmitarët dhe më pas policia, gjetën të plagosur rëndë pronarin e mjetit lundrues, Shemsi Zemani, një pronar mobilierie në qytetin e Vlorës dhe e dërguan menjëherë në spitalin rajonal. Nga hetimet paraprake të policisë, rezulton se 60-vjeçari është përpjekur të ndezë skafin për të kryer një udhëtim në brigjet e Jonit, por motori është përfshirë nga flakët pas shpërthimit. Zemani ka marrë plagë të ndryshme djegieje, por sipas mjekëve pa rrezik jete. Policia tha se shkak për këtë incident dyshohet se është bërë një shkëndijë elektrike në mjetin lundrues dhe hetimet po vijojnë. Grupi hetimor përjashtoi pistën e një atentati me lëndë plasëse, duke thënë se ngjarja është aksidentale. Edhe vetë Zemani gjatë dhënies së dëshmisë ka përjashtuar pistën e një sulmi. Mësohet se biznesmeni në ato momente ndodhej në port së bashku me disa miqtë e tij dhe do të lundronin së bashku me skafin që shpërtheu. Sipas mjekëve, i dëmtuari ka plagë kryesisht në gjymtyrë dhe trup, nga goditjet e copave të shpërthyera dhe djegie.
Durrës
Policia Kufitare e Durrësit, ka mundur të shpëtojë një çift turistësh belgë, të cilët udhëtonin me një jaht në ujërat e detit Adriatik. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes kur u dha edhe sinjali SOS dhe për disa orë operacioni u krye shpëtimi i turistëve. Sipas burimeve të policisë, jahti i vogël me të cilin udhëtonte çifti belg kishte pësuar defekt në det të hapur, ç’ka kishte detyruar çiftin të lëshonte alarmin. Por në këtë avari mësohet se kanë ndikuar deti i trazuar dhe me dallgë. Mjetet e Rojës Bregdetare kanë shkuar në vendngjarje, 3 milje nga bregu, duke rimorkuar mjetin deri në port. Burimet nga Policia Kufitare bënë të ditur se turistët ishin nga e njëjta familje, prindërit dhe vajza e tyre, Arian, Princesse dhe Alissa Dalija, që janë banorë të Anderlehtit në Belgjikë dhe kishin ndërmarrë një udhëtim turistik përgjatë brigjeve të një pjese të Mesdheut.

Ju lumte Roja Bregdetare!! Na beni krenare me akte te tilla!!