Shpërthen banesa e një biznesmeni në kry-eqytet. Ngjarja është shë-nuar mëngjesin e djeshëm, në zonën e Tufinës në kryeqytet, ku si pasojë e një sasie eksplozivi është hedhur në erë banesa në pronësinë e biznesmenit Alban Beka. Burime nga policia bëjnë me dije se në momentin e shpërthimit, në banesë nuk ka pasur njeri, pasi familja e biznesmenit ka qenë me pushime. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ngjarja mund të ketë pasur si motiv konkurrencën, pasi Baka rezulton si pronar i një pike bastesh dhe një palestre në zonën e Tufinës. Por, forcat e policisë po punojnë edhe në pista të tjera hetimi, duke mos përjashtuar as mundësinë se autorët e ngjarjes mund të kenë gabuar edhe objektiv dhe se shënjestra e shpërthimit mund të kenë qenë edhe ndonjë person tjetër.
Policia arrin në këtë konkluzion, pasi dyshohet se eksplozivi është hedhur nga një makinë në rrugë drejt banesës së Bekës, në një distancë prej 100 metrash. Fatmirësisht, nga vendosja e eksplozivit në banesë nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Burime policore sqarojnë se deri tani janë marrë mbetjet e eksplozivit, për t’i dërguar më pas në laborator, me shpresën se do të gjejnë prova të tjera materiale që do ndihmonin për zbardhjen e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake mësohet se deri tani policia ka marrë në pyetje të gjithë personat që ka gjetur në vendin e ngjarjes dhe persona të tjerë që dyshohet se kanë dijeni për shpërthimin e banesës së Alban Bekës. Burime nga forcat blu bëjnë me dije se policia ka kontaktuar edhe me biznesmenin Baka, i cili, pas njoftimit është nisur menjëherë drejt Tiranës, duke lënë në mes pushimet. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, biznesmeni ka thënë se nuk ka probleme me asnjë person. Gjithashtu ai është shprehur se nuk ka asnjë dijeni për personat që mund të kenë bërë një akt të tillë kriminal./bw