Ka fate që shkojnë kundër çdo pesimizmi: Ndonjëherë mjaftojnë talent i pastër e disiplinë e hekurt për të ngjitur shkallët e suksesit.
Ndodhi me tenorin shqiptar Saimir Pirgu, i riu plot hijeshi romantike që i përshtatet në mënyrë të përkryer personazhit të të dashurit operistik, “qoftë atij të zhanrit të gëzueshëm, qoftë atij fatkeqit” siç deklaron vetë.
Saimir Pirgu ka triumfuar në të gjithë teatrot më të mëdhenj të botës: në Londër me Dukën e Mantovës të Rigoletto-s, në New York me Alfredon e shqetësuar të Traviata-s, me Taminon në “Flauti Magjik” në Scala të Milanos etj. Në Amerikë e konsiderojnë “një nga tenorët më të rëndësishëm të momentit”, ndërsa për Placido Domingon “Zëri i tij është i shkëlqyer, teknika e përkryer”.
Me këto fjalë të bukura, la Repubblica flet për tenorin Saimir Pirgu këto ditë kur ai po bën një turne botëror për prezantimin e albumit të tij të ri, “Il mio canto”.
E ka regjistruar me Orkestrën e Maggio Fiorentino të drejtuar nga Speranza Scappucci. E vetmja datë italiane e turneut, ishte mbrëmë (1 mars) pikërisht në Operën e Firences. Ndërsa data 5 Mars, domethënë këtë të shtunë, Pirgu do të këndojë në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Tiranë.
Më poshtë një pjesë e intervistës që Saimiri jep për të përditshmen italiane në të cilën përshkon shkurtimisht karrierën e tij e lidhjen me disa nga emrat më të mëdhenj të operistikës.
Si nisi marrëdhënia juaj me muzikën?
Që i vogël merrja pjesë në manifestime muzikore në Elbasan ku kam lindur në vitin 1981. Atje u diplomova për violinë. Por frymëzimi im më i madh qenë Tre Tenorët: Pavarotti, Domingo e Carreras. Pas rënies së komunizmit, kur munda të shoh televizionin italian, mbeta i mahnitur nga koncerti i tyre legjendar.
I ri fare zgjodhët të studioni kanto në Bolzano.
Qe i vetmi konservator ku arrita të regjistrohem. Atje për të mbajtur veten gjatë studimeve mu desh të punoja në një restorant, herë si kamerier, herë laja pjatat. Pata një docent të shkëlqyer, Brunetti, që është akoma maestroja im e që më ka këshilluar gjithnjë me pjekuri, duke më mësuar të qëndroj me këmbë në tokë. Fitova menjëherë konkurse të rëndësishme e Abbado më dha mundësinë të debutoja në Ferrara me “Così fan tutte”. Një tjetër takim vendimtar për mua ishte ai me Pavarottin.
Si u njohët me të?
Ishte në Merano kur isha edhe unë aty. Donte të dëgjonte studentët më të mirë të Konservatorit e u kujdes për mua. Ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe bujar. Me nxënësit nuk kursehej.
Më pas u njohët edhe me një tjetër prej Tre Tenorëve “tuaj”, Domingon.
Si mbikëqyrës në Los Angeles dhe Washington, Domingo ka ndërtuar karrierën time në ShBA. Mes të tjerash më ftoi të këndoja në Gianni Schicchi me regji të Woody Allen-it, përvojë e ndërlikuar dhe e paharrueshme.
Në rrugën tuaj është gjendur edhe Riccardo Muti.
Për herë të parë më drejtoi në Requiem të Verdit në Salzburg, dhe isha me të edhe në Redipuglia në vitin 2014, në një koncert të transmetuar në Eurovizion, ku ishte i pranishëm edhe President i Republikës që pata mundësinë të falënderoj personalisht për shtetësinë italiane që mu njoh ato ditë.
Si e gjykoni emergjencën tragjike të emigrantëve që zbarkojnë në brigjet italiane?
Çuditem që Italia tregon shpesh se harron vuajtjet e atij që detyrohet të lërë vendin e vet. Mirëqenia e Perëndimit është rritur falë burimeve të territoreve, banorët e të cilëve sot luftojnë për të drejtën e tyre për mbijetesë. Problem nuk janë ata mëse 100 mijë shqiptarë të gomoneve, por flukset e stërmëdha të popujve që vijnë nga kontinentet me më shumë nevojë për ndihmë. E kjo duhet parë në nivel global.
Saimir Pirgu, sjell albumin “Il mio canto”, në Tiranë
Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu do të zbresë më në fund në Tiranë, pas promovimit të albumit të tij që fillimisht e kishte promovuar në Londër, për ta prezantuar më pas edhe në disa shtete të tjera . “Il Mio Canto”, Kënga Ime, titullohet albumi i Saimir Pirgut, dhe ky album është me ariet më të bukura italiane dhe franceze, publikuar nga Shtëpia Diskografike e Operas Mbretërore në Covent Garden dhe nga studiot e BBC 3. Kjo performancë e Pirgut do të mbahet në Tiranë më 5 mars, në ora 19:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

